Ndërlidhjet

logo-print

UNMIK-u i sheh me shqetësim metodat që institucionet e Kosovës duan t’i aplikojnë për ta integruar pjesën veriore të Kosovës në sistemin kosovar. Ky mision lë të kuptojë se strategjia për veriun është e politizuar. Por, analistët për çështje politike thonë se problemi i veriut është politik dhe kërkon zgjidhje politike.



Strategjia për veriun, e hartuar nga Qeveria dhe Zyra Civile Ndërkombëtare, kryesisht është pritur mirë, madje edhe nga opozita në Kosovë, por jo edhe nga UNMIK-u, i cili me rikonfigurim ka bartur përgjegjësitë te misioni evropian për sundimin e ligjit.

Shefi i UNMIK-ut, Lamberto Zanier, ka shprehur shqetësimin për, siç ka thënë, modalitetet e aplikimit të kësaj strategjie për veriun.

Zëdhënësi i këtij misioni, Rasell Giki, shpjegon më hollësisht qëndrimin e UNMIK-ut:

“Mendoj se pikëpamjet e Përfaqësuesit Special të Sekretarit të Përgjithshëm janë të mirënjohura dhe ato kanë të bëjnë me depolitizimin, sa më shumë që të jetë e mundur, të kësaj çështjeje, fokusimin në çështje praktike, sepse çështjet praktike u ndihmojnë të gjitha komuniteteve dhe arritjes së marrëveshjes nga të gjitha palët. Kjo është rruga që duhet ndjekur”.

Por, rruga që duhet ndjekur, sipas analistëve për çështje politike, është pikërisht ajo që përcakton strategjia. Krenar Gashi, drejtor për hulumtime në Institutin KIPRED, thotë se zgjidhja më e mirë e, siç e quan, konfliktit të ngrirë në veri, është strategjia e Qeverisë.

“Komentet e zotit Zanier nuk mund të interpretohen ndryshe, pos komente të një njeriu që udhëheq një mision paqeruajtës, qëllimi i të cilit ka qenë status kuo-ja në Kosovë. Kësisoj, nuk duhet të merremi ne me UNMIK-un e Zanierin, por duhet të merremi me zbatimin e kësaj strategjie, e cila është një ndër politikat më të mira që i ka sjellë kjo Qeveri”, thotë Gashi.

Problemi i veriut nuk është i ri. Strukturat paralele serbe atje funksionojnë që nga viti 1999. Shumë analistë kanë vlerësuar se strategjia, e hartuar para disa muajve nga Qeveria dhe ICO-ja, është dokumenti më i mirë deri më tani, i cili synon kthimin e kontrollit të Prishtinës në pjesën veriore.

Por, UNMIK-u e konsideron këtë strategji si të politizuar. Rrjedhimisht, sipas zyrtarëve të këtij misioni, ajo do të jetë vështirë e realizueshme dhe madje mund të çojë në tensionim të situatës.

“Nuk është sekret se situata në veri mund të tensionohet dhe kjo është e vërtetë, ndërsa ne i afrohemi, për shembull, sezonit të ndërtimit në Kroin e Vitakut dhe në zonat përreth. Ka qenë një lloj progresi dhe ajo që ne duam të shohim është rindërtimi paqësor, ku të gjitha palët mund të arrijnë ndonjë marrëveshje për ndërtim dhe që të dyja palët të kthehen në shtëpitë e tyre”, thotë Giki.

Në anën tjetër, Krenar Gashi thotë se problemi i veriut është politik dhe kërkon zgjidhje politike.

“Kësisoj, strategjia domosdo është politike. Unë nuk konsideroj se mund të shkaktojë tensione implementimi i kësaj strategjie, për arsye se strategjia e ka një qëllim të qartë - ta kthejë rendin dhe ligjin në veri të Kosovës dhe ta ofrojë pushtetin më afër qytetarëve të Kosovës që jetojnë në këtë pjesë”
, shprehet Gashi.

Për shkak të mosnjohjes nga pesë shtete anëtare të Bashkimit Evropian, strategjia për veriun nuk ka gjetur mbështetjen e EULEX-it, i cili është distancuar nga ajo, duke thënë se nuk është dokument i tij.

Neutraliteti ndaj statusit ka bërë që edhe KFOR-i të qëndrojë në distancë. UNMIK-u thotë se strukturat paralele janë të papranueshme, por nuk pranon dokumentin që do t’i zhbënte ato.

“Për UNMIK-un është me rëndësi që t’i përmbahet në mënyrë të përpiktë neutralitetit ndaj statusit. Secili e di se nuk mund të keni struktura paralele që veprojnë pranë njëra-tjetrës”.

“Njerëzit po pengojnë përpjekjet për ndërtim në kohën kur buxheti është shkurtuar gjithandej në botë. Mënyra për ta adresuar këtë çështje nuk është që të ndërmerren veprime të ngutshme, por të zhvillohet dialog konstruktiv me të gjitha palët”
, thekson Giki.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka premtuar se përmes kësaj strategjie do t’i japë fund kaosit 10-vjeçar që mbretëron në veri. Institucionet kanë përjashtuar përdorimin e dhunës për të kthyer rendin dhe ligjin në veri, ku kontrollin e kanë strukturat paralele, të financuara nga Qeveria e Serbisë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG