Ndërlidhjet

Të (mos) hapen dosjet!


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese

Deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk e pëlqejnë hapjen e dosjeve në lidhje me veprimet e ish-funksionarëve komunistë, gjatë periudhës së ish-Jugosllavisë.

Një nismë e tillë është iniciuar nga deputeti dhe zyrtari i Partisë Demokratike të Kosovës, Nait Hasani, i cili ka bërë kallëzim penal ndaj shumë funksionarëve të lartë të ish-sistemit komunist, duke i ngarkuar ata me veprën penale të krimeve kundër njerëzimit. Njëherësh, ai ka kërkuar që edhe Kuvendi t’i dënojë krimet komuniste me anë të një rezolute.

Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, i cili vjen po nga PDK-ja, thotë se një rezolutë e tillë ka qenë më herët në rend dite në Kuvend, por ajo nuk është miratuar. Krasniqi thotë se nuk e pëlqen të merret me të kaluarën dhe historinë, por me të ardhmen e vendit.

“Qëndrimi im si kryetar i Kuvendit është se ne kemi obligim që të mos merremi me histori, ngase obligimi ynë është që t’i bëjmë ligjet për të tashmen dhe të ardhmen e Republikës së Kosovës”, thotë Krasniqi.

Një qëndrim jo të qartë në lidhje me këtë problematikë të ngritur nga deputeti Hasani, ka shprehur Lidhja Demokratike e Kosovës.

Shefi i Grupit Parlamentar të kësaj partie, Ismet Beqiri, thotë se i takon Grupit Parlamentar që të marrë një pozicion në lidhje me dosjet e së kaluarës, nëse preferohet apo jo hapja e tyre.

Një iniciativë e tillë ka qenë edhe më herët dhe, sa e di unë, është tërhequr më duket nga PDK-ja. Sidoqoftë, unë, si përfaqësues i Grupit Parlamentar të LDK-së, nuk do të paragjykoja tash, para se të vijë si kërkesë dhe eventualisht para miratimit të Kryesisë. Por, mund të them se LDK-ja është partia e parë antikomuniste në këto troje”, shprehet Beqiri.

Në anën tjetër, një pjesë e opozitës e ka konsideruar hapjen e dosjeve të së kaluarës si një humbje kohe.

Ardian Gjini, shef i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, thotë se hapja e dosjeve nuk i ndihmon Kosovës dhe as qeverisjes më të mirë, e cila, sipas tij, është në një krizë të thellë.

“Unë mendoj se propozimi më i kotë i mundshëm në këtë fazë për Kosovën, është që të vihet në atë situatë Kuvendi që të merret disa muaj me këtë çështje. Kur jemi zgjedhur në Kuvend, nuk kemi kërkuar nga populli të na votojë që t’i përmirësojmë gabimet e së kaluarës, por e kemi lutur që të na votojë për të ndërtuar një jetë më të mirë”.

“Nëse dikush, në situatën në të cilën sot gjendet Kosova, e sheh të arsyeshme ta vë si prioritet dënimin e krimeve të komunizmit dhe jo krimeve që po ndodhin sot në shoqërinë kosovare, mendoj se në rastin më të keq mund të duket edhe cinike”
, thekson Gjini.

Ndërkohë, shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës Kosova e Re, Ibrahim Makolli, rikujton se ai kishte kërkuar qysh në nëntorin e vitit të kaluar që Kuvendi të miratojë një rezolutë për dënimin e krimeve të komunizmit, por ajo nuk ishte përkrahur pikërisht nga partitë shumicë në Kuvend.

Ndërsa kallëzimi penal është çështje personale e deputetit Hasani, nxjerrja e rezolutës mbështetet nga Makolli i AKR-së.

“Kosova është, nëse nuk gaboj, në mesin e dy vendeve të vetme që tashmë edhe 20 vjet pas shembjes së komunizmit, nuk i kanë dënuar krimet e komunizmit. Ne, si Grup Parlamentar, kemi qenë dhe jemi në favor të kësaj, që Kuvendi të nxjerrë një rezolutë, përmes së cilës do t’i dënojë krimet e komunizmit, të shkaktuara në Kosovë nga viti 1945 deri në vitin 1989”, thotë Makolli.

Në kallëzimin penal të Nait Hasanit, ish - i burgosur politik, përfshihen emrat e shumë ish - funksionarëve komunistë, disa të gjallë e disa të vdekur.

Faktet, të cilat Hasani i ka përfshirë në kallëzimin penal, fillojnë që nga dëshmitë e botuara të atyre që i kanë mbijetuar masakrës së Tivarit në vitin 1945, e deri te librat hulumtues, të botuar së voni.

Akuzat përfshijnë edhe shpërnguljet e shqiptarëve për në Turqi, sjelljen e komunistëve ndaj demonstratave dhe demonstruesve në periudha të ndryshme kohore, e deri te bashkëpunimi i funksionarëve komunistë gjatë viteve ’90 me regjimin serb.
XS
SM
MD
LG