Ndërlidhjet

Rasmusen: NATO i ka dyert e hapura për Ballkanin


Anders Fog Rasmusen
Anders Fog Rasmusen
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fog Rasmusen, i tha Radios Evropa e Lirë se aleanca do ta vazhdojë politikën e dyerve të hapura për Ballkanin.

Ai tha se në takimin e ministrave të jashtëm në Talin, do të diskutohet koncepti i ri strategjik i NATO-s dhe reformat në aleancën.

“Ne do ta diskutojmë politikën tonë të dyerve të hapura, veçanërisht ndaj Ballkanit, marrëdhëniet e Bosnjë e Hercegovinës me NATO-n. Ne gjithashtu do t'i diskutojmë politikat bërthamore të NATO-s dhe mbrojtjen raketore, si dhe raportet NATO-Rusi”, tha Rasmusen në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.

Lidhur me Gjeorgjinë dhe Ukrainën, Rasmusen tha se qëndrimi i aleancës nuk ka ndryshuar.

"Ne e morëm vendimin në samitin e Bukureshtit në vitin 2008. Sipas tij, Gjeorgjia dhe Ukraina do të bëhen anëtare të plota të NATO-s, nëse duan dhe u mundësohet - kuptohet, pasi t'i plotësojnë kriteret e nevojshme", tha Rasmusen.

Rasmusen i tha Radios Evropa e Lirë se NATO-ja insiston në respektimin e plotë të sovranitetit dhe të integritetit territorial të Gjeorgjisë.

"Ne e ftojmë Rusinë që t'u përmbahet obligimeve ndërkombëtare të saj, përfshirë plotësimin e marrëveshjes së armëpushimit"
, tha ai.

Duke folur për marrëdhëniet e NATO-s me Rusinë, Rasmusen tha se "mospajtimet nuk do të duhej ta errësojnë faktin se aleanca ka interesa të ndara me Rusinë në fusha të tjera, siç janë përballja me kërcënimet e njëjta si terrorizmi".

Kreu i aleancës gjithashtu e quajti të vjetëruar doktrinën ushtarake të Rusisë.

"Qëndrimi im i qartë është se gjuha në doktrinën e re ushtarake të Rusisë është ajo që do ta quaja retorikë e vjetëruar e kohës së Luftës së Ftohtë. Doktrina e re ushtarake nuk e pasqyron botën reale kur bëhet fjalë për marrëdhëniet NATO-Rusi", tha Rasmusen. (v.p.)
XS
SM
MD
LG