Ndërlidhjet

Koordinimi pas GJND-së


Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë

Kosova duhet të kërkojë ndihmën e aleatëve për shtimin e njohjeve pas përmbylljes së procesit në GJND, thonë njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare në Prishtinë. Ata presin që në krye të lobimit për njohje të reja të vihen SHBA-të dhe vendet mike të BE-së.



Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian duhet të figurojnë në krye të listës së shteteve aleate, me të cilën Kosova do të duhej të koordinonte agjendën diplomatike pas shpalljes së verdiktit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë mbi ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së saj, thonë njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare në Prishtinë.

Zyrtarë të lartë të institucioneve kosovare deklaruan, ditë më parë, se janë duke përgatitur një strategji koordinuese për veprimet pas GJND-së.

Profesori i së drejtës ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, Afrim Hoti, shprehu bindjen se kjo strategji do të përmbajë hapa konkretë, me qëllim të përshpejtimit të procesit në lobimin për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga shtetet që ende nuk e kanë bërë një gjë të tillë.

“Besoj në strategji të tilla, për aq kohë sa prapa këtyre strategjive qëndrojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian. Ne e dimë që Serbia, bashkë me miqtë e saj, në mënyrë kontinuele vazhdon me lobimin kundër pavarësisë së Kosovës”.

“Megjithatë, mendoj se dhënia e mendimit nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë do të jetë një dritë jeshile, e cila mund të shfrytëzohet edhe nga institucionet kosovare në kapacitetet e tyre, sa ato kanë mundësi, por, në radhë të parë, ka mundësi që të përdoret nga aktorët kryesorë botërorë – SHBA-të dhe Bashkimi Evropian”,
tha Hoti.

Veprimi i radhës së shtetit serb për ta kundërshtuar pavarësinë e Kosovës pritet të ndodhë në kuadër të sesionit të 65-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, që nis punimet në vjeshtën e këtij viti. Ndërkaq, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë pritet të deklarohet në lidhje me çështjen e Kosovës në verën e këtij viti.

Anëtari i Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme, Ibrahim Gashi, tha se Kosova duhet të jetë një hap më përpara sesa diplomacia serbe. Për këtë gjë, sipas tij, është i nevojshëm edhe një koordinim i brendshëm.

“Kjo nënkupton duke angazhuar ekspertë ndërkombëtarë, personalitete ndërkombëtare, ekspertë vendorë që kanë fuqi të argumentimit, siç janë qarqet akademike, pastaj diplomacinë ndërkombëtare, diplomacinë publike”
, shpjegoi Gashi.

Përfaqësues të Ministrisë së Jashtme të Kosovës kanë shprehur bindjen se pas procesit në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, më shumë shtete do ta njohin shtetësinë e Kosovës. Deri më tani, Kosova është njohur nga 66 vende.

Procesi në institucionin më të lartë të drejtësisë botërore, sipas profesorit Hoti, ka ndikuar që edhe shtetet mbështetëse të Kosovës të hezitojnë në marrjen e hapit për njohje, duke pritur dritën jeshile nga Haga për ta bërë një gjë të tillë.

“Mendoj se procesi para gjykatës, në fakt, ka stopuar paksa shumë miq të Kosovës. Shumë miq nga komuniteti ndërkombëtar janë shërbyer me këtë proces, duke menduar se me këtë proces do t’i jepet shansi Serbisë që të jetë konstruktive për ta ruajtur balancën e saj të brendshme, si justifikim që gjoja edhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë dha një mendim për legalitetin e pavarësisë së Kosovës”, theksoi Hoti.
XS
SM
MD
LG