Ndërlidhjet

OKB drejt standardeve për fluturimet mbi hirin vullkanik

  • RFE /RL

Islandë

Islandë


Organizata për Aviacionin Civil ka bërë të ditur se do të angazhohet për vendosjen e standardeve të sigurisë për fluturimet, pas shpërthimit të hirit vullkanik.

Kjo lëvizje vjen një javë pas shpërthimit të vullkanit Eyjafjallajokull në Islandë, që çoi në mbylljen e hapësirës ajrore evropiane, duke shkaktuar kaos në udhëtimet mes vendeve dhe përtej kontinentit.

Rejmond Benxhamin, sekretari gjeneral i kësaj organizate, ka thënë se do të angazhojë një grup të madh ekspertësh për t’i hulumtuar dhe propozuar standardet.

“Ne do të ngremë një grup njerëzish, ku do të ketë ekspertë, qeveritarë dhe shkencëtarë, për t’i hartuar standardet”, ka thënë Benxhamin.

Njoftimi vjen pas kritikave se autoritetet e kanë ekzagjeruar reagimin në vendosjen e masave strikte pas shpërthimit vullkanik.

Organizata për Aviacionin Civil ka thënë se aktualisht nuk ka standarde në koncentrimin e hirit vullkanik, për sa u përket efekteve që mund të shkaktojë në motorët e aeroplanëve.

Kjo ka çuar në konfuzion mes agjencive kombëtare të sigurisë së udhëtimeve, duke bërë që ato ta mbyllin totalisht hapësirën ajrore, që mund të mos ketë qenë e nevojshme.

Mbyllja e hapësirës evropiane ka shkaktuar një kaos në industrinë e udhëtimit, me një humbje prej 250 milionë dollarësh në ditë.

Shoqata e Transportit Ajror në ueb-sajtin e saj ka publikuar një deklaratë shtypi, ku thuhet: “Rimendoni masat ndaj vullkanit, qeveria duhet t’i marrë vendimet bazuar në fakte dhe jo në teori”.

Kreu i kësaj shoqate, Xhovani Bisinjani, ka akuzuar qeveritë evropiane për mosvlerësimin si duhet të niveleve të rrezikut, kur bënë ndalimin e fluturimeve në pjesën më të madhe të hapësirës ajrore.

“Ato nuk vepruan, pa studiuar rrezikun, pa u konsultuar, pa u koordinuar dhe pa drejtuar si duhet”, ka thënë Xhovani Bisinjani.

Organizata për Aviacionin Civil, me bazë në Montreal, ka 190 anëtarë dhe aktualisht monitoron hirin e liruar nga vullkanet në gjithë botën.

Sekretari gjeneral i kësaj organizate ka thënë se shkaku që çoi në vendosjen e rregullave strikte, është si pasojë e konfuzionit.

“Nëse ju do t’i pyesni ekspertët se cili është përqendrimi i hirit që mund të çojë në ndaljen e motorit, ata nuk do ta kenë një përgjigje, pasi kjo është çështje e rrezikut. Ju, e shihni? Në fund të ditës, çdokush po shikon për rrezikun. Ndaj, kjo është arsyeja që po them se askush nuk do të fluturojë nëse kjo është me rrezik”, ka thënë Rejmond Benxhamin.

Organizata për Aviacionin Civil nuk ka caktuar një afat kohor për zhvillimin e standardeve, por edhe kur ato të marrin rrugën për t’u bërë, do t’i çohen çdo agjencie kombëtare ajrore të sigurisë për t’u miratuar e ndjekur dhe standardet nuk janë parashikuar që të jenë të detyrueshme.

Hiri vullkanik përbën një rrezik për aeroplanët, pasi ai përmban material që mund të depërtojë në motorët, duke shkaktuar ndaljen e tyre.

Një avioni Boing 747, i kompanisë British Airways, që hasi në një re vullkanike ndërsa fluturonte nga Australia për në Malajzi, të katër motorët i pushuan së funksionuari për 15 minuta. (a.ç.)
XS
SM
MD
LG