Ndërlidhjet

Kosova nuk heq dorë nga pjesëmarrja e barabartë


Qeveria e Kosovës

Qeveria e Kosovës

Prishtina përjashton kompromisin në takimet rajonale, duke thënë se do të marrë pjesë vetëm si palë e barabartë. Ekspertët serbë thonë se Beogradi e ka të qartë se përsëritja e skenarit të Kranjit, në Bruksel nuk do të pritej mirë, ndërkaq mendojnë se Bashkimi Evropian dhe Spanja nuk do të rrezikojnë që samiti i Sarajevës ta përjetojë fatin e tubimit të Kranjit.



Prishtina zyrtare insiston në qëndrimin se në takimet rajonale do të marrë pjesë vetëm si palë e barabartë.

Një ditë pas takimit mes ministrave të jashtëm të Serbisë, Spanjës dhe Turqisë, ku u shpreh një optimizëm i matur mbi pjesëmarrjen e tërë Ballkanit në konferencën e Sarajevës, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi këmbëngul se Kosova do të marrë pjesë vetëm si palë e barabartë.

“Qeveria e Kosovës është e interesuar që të marrë pjesë në forumet rajonale dhe ato ndërkombëtare. Natyrisht se do ta japë kontributin e vet për zhvillimet pozitive, por, njëkohësisht, duhet të them se Kosova është e interesuar dhe do të marrë pjesë si palë e barabartë, si të gjitha palët tjera që marrin pjesë në ato diskutime; do të thotë, me një trajtim të plotë dhe të barabartë me të tjerët”, thotë për Radion Evropa e Lirë zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi.

Që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, takimet rajonale janë kthyer në një problem, si për shtetet mikpritëse, ashtu edhe për vetë Bashkimin Evropian, që në të shumtën e rasteve i organizon këto takime.

Takimi i fundit i tillë, që u mbajt në Slloveni, u bojkotua nga Serbia, pasi që Kosova nuk u prezantua nën ombrellën e Rezolutës 1244.

Për të gjetur zgjidhje për konferencën e radhës në Sarajevë, kanë diskutuar në Beograd ministri i Jashtëm spanjoll, turk dhe ai serb, por duke anashkaluar Kosovën. Gjykuar sipas deklaratave të tyre, kompromisi është i mundshëm.

Por, Qeveria, sipas zëvendëskryeministrit Kuçi, kërkon vetëm trajtim të barabartë.

“Trajtimi i plotë dhe i barabartë nënkupton që të mos jemi në asnjë pozitë më pak sesa shtetet tjera të rajonit”, thotë Kuçi.

Por, analistët politikë, ndryshe nga samiti i Bërdos në Slloveni, takimin në Sarajevë e shohin si më pak të favorshëm për Kosovën. Janë dy arsye për këtë - mbajtja e samitit në Bosnjë, shtet ky që nuk e ka njohur Kosovën, si dhe organizimi i takimit nga kryesuesja e radhës e BE-së, Spanja - shtet ky që po ashtu nuk e ka njohur Kosovën.

Megjithatë, analisti Agron Bajrami mendon se çdoherë e më shumë, Kosova po paraqitet si entitet i rëndësishëm.

“Jemi dëshmitarë të një procesi që mundohet të gjejë zgjidhje, e cila do të akomodonte insistimin e Serbisë, se Kosova nuk duhet të marrë pjesë në takime rajonale, përveç nëse nuk është pjesë e delegacionit të UNMIK-ut”.

“Me gjithë pengesat që kemi dhe insistimin e Serbisë, Kosova mbetet dhe shihet si entitet shumë i rëndësishëm për rajonin. Çdo takim pa Kosovën do të ishte takim i dështuar, andaj ekziston kjo përpjekje për të gjetur një zgjidhje”,
thotë Bajrami.

Në anën tjetër, angazhimi i Turqisë, e cila nuk është anëtare e BE-së, për të ndihmuar në organizimin e konferencës në Bosnjë, sipas Agron Bajramit, ka një shpjegim:

“Turqia do të mund ta merrte rolin e diskutimit të formulës për pjesëmarrjen e Kosovës. Meqë Spanja insiston ta mbajë qëndrimin e saj kundër pavarësisë dhe komunikimi i Spanjës me Kosovën është i drejtuar në një komunikim multilateral përmes BE-së, Turqia besoj se do të mund të diskutonte me zyrtarët kosovarë pa asnjë ngarkesë, meqenëse, përveç që e njeh shtetin e Kosovës, është edhe përkrahëse e madhe e pavarësisë së Kosovës”.

“Andaj, edhe po supozoj se Turqia është gjetur si një lojtar, i cili ka një mundësi të bisedojë me Kosovën, por që njëkohësisht konsiderohet si shumë i afërt me Bosnjën, ku duhet të ndodhë takimi”, shprehet Bajrami.

Ndërsa flitet për këtë konferencë, Kosovës ende nuk i ka arritur ftesa për pjesëmarrje. Zëvendëskryeministri Kuçi është optimist se ftesa do të arrijë dhe se Kosova do të paraqitet si palë e barabartë.

Ende është në proces të negociatave, por mendoj se do të marrim pjesë dhe pres që të jemi pjesëmarrës të barabartë dhe të përfaqësohemi në nivele të larta qeveritare”, thotë Kuçi.

Analistët kosovarë mendojnë se as Spanja, as Turqia, nuk janë ato shtete që do ta bindin Kosovën për pjesëmarrje ose jo në konferencë, pa marrë parasysh modalitetet se si do të paraqitet atje. Agron Bajrami shpjegon:

“Nga përvoja, mendoj se Kosova do të veprojë ashtu si do të këshillohet nga disa vende të tjera, jo nga Spanja, Turqia apo Bosnja, por nga disa shtete të mëdha, përfshirë edhe nga SHBA-të, që nuk janë pjesë e BE-së, por që kanë shumë ndikim në zhvillimet rajonale, përfshirë edhe ato që janë nën ombrellën e BE-së”.

Kosova, deri më tani, është njohur nga 66 shtete. Mosnjohja e saj nga 5 shtete të BE-së po shkakton pengesa edhe në takimet rajonale, meqë Serbia nuk pranon të ulet në një tryezë, nëse Kosova paraqitet si shtet.

* * * * * * * * * *

Ekspertë serbë thonë se Beogradi e ka të qartë se përsëritja e skenarit të Kranjit, në Bruksel nuk do të pritej mirë. Në këtë kontekst, Ivan Vejvoda, drejtor ekzekutiv i Fondit Ballkanik për Demokraci, thotë:

Qeveria e Serbisë
“Para së gjithash, duhet thënë se angazhimi që është investuar për këtë takim, flet për vetëdijesimin e Serbisë dhe të Qeverisë në Beograd, se ky është një çast i rëndësishëm”.

“Shumëçka do të varet nga vendimi i Beogradit për pjesëmarrje ose mospjesëmarrje në samitin e Sarajevës. Reagimi i Brukselit nuk do të jetë i mirë nëse Beogradi nuk do të marrë pjesë në këtë tubim”
, thotë Vejvoda.

Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe ish-ambasadori i Serbisë në Francë, Predrag Simiq, thotë se Bashkimi Evropian dhe Spanja nuk do të lejojnë dhe nuk do të rrezikojnë që samiti i Sarajevës ta përjetojë fatin e tubimit të Kranjit.

“Takimet rajonale, në të cilat mungon një vend, bëhen kundërproduktive dhe, rrjedhimisht, nuk kanë gjasa për sukses”
, thotë Simiq.

Edhe analisti i gazetës “Politika” të Beogradit, Boshko Jakshiq, thotë se Bashkimi Evropian do të tentojë të bëjë gjithçka që është e mundur, që samiti në Sarajevë t’i tubojë përfaqësuesit e të gjitha vendeve të rajonit.

“Është e qartë se kemi të bëjmë me përpjekje për të shmangur situatën që u krijua rreth takimit në Kranj. Ekziston vullnet i mirë, por edhe presion që të mos lejohet situata, në të cilën Serbia nuk do të ishte pjesëmarrëse e takimit rajonal dhe ndërkombëtar në Sarajevë”, thotë Jakshiq.

Ai shton se është e hetueshme që pas takimit në Kranj, ka zbutje të retorikës serbe, sepse, siç thotë ai, Beogradi zyrtar e ka kuptuar se mospjesëmarrja në takime nuk sjell asgjë të mirë, sepse konsiderohet bojkotim dhe obstruksion në raport me bashkëpunimin rajonal.

Rrjedhimisht, tash bëhen përpjekje për ta gjetur formulën magjike për këtë çështje, thotë Jakshiq dhe konkludon:

“Fitohet përshtypja se tash jemi larg kësaj formule. Por, pavarësisht që Oliver Ivanoviq ka thënë se Beogradi nuk do të heqë dorë që Prishtina të paraqitet si ‘Kosova – UNMIK’ ose ‘Kosova – 1244’, ai, megjithatë, ka lënë të hapur një mundësi të pjesëmarrjes vetëm me emër”, pohon Jakshiq.

Ivan Vejovoda apostrofon rolin e Turqisë në përpjekjet për gjetjen e një formule adekuate, që do të mundësojë praninë e Prishtinës dhe të Beogradit në samitin e Sarajevës.

“Dy vjetët e fundit, Turqia është e angazhuar rreth çështjeve të rajonit, Lindjes së Mesme dhe Iranit. Politika ndaj Ballkanit është pjesë e këtyre angazhimeve të Qeverisë turke dhe paraqet një kontribut konstruktiv”.

“Turqia mund t’i kontribuojë gjetjes së formulës adekuate, që do të mundësojë praninë e Beogradit dhe të Prishtinës në samitin e Sarajevës”
, thotë Vejvoda. (m.k.)

Trego komentet

XS
SM
MD
LG