Ndërlidhjet

Përfaqësues të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal në Kosovë thonë se procesi i decentralizimit është afër fundit, ndonëse, sipas tyre, veriu i vendit vazhdon të mbetet sfidë në implementimin e këtij projekti.




Përfaqësuesit e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal nuk i kanë pohuar e as mohuar deklaratat se strategjia për veriun e Kosovës ka ndikuar në ngadalësimin e punëve për formimin e komunës në veri të Mitrovicës.

Megjithatë, ministri Sadri Ferati theksoi se një nga sfidat më të mëdha për implementimin e planit të decentralizimit mbetet veriu i Kosovës.

“Mitrovica është një ambient ku nuk sundon ligji, një ambient ku nuk respektohen të drejtat elementare, që janë: e drejta e kthimit, e drejta e lëvizjes, e drejta e punës, e drejta e organizimit të lirshëm, edhe politik, e mbi të gjitha, them e drejta e qytetarit që lirshëm ta paraqesë interesin se si do të jetojë, ngase i nënshtrohet një presioni, një kritike, një veprimi ekstrem atje”, tha ministri Ferati, për të shtuar se procesi i decentralizimit tashmë është afër fundit.

“Mund të them se procesi i decentralizimit ka ecur sipas dinamikës së tij dhe është afër fundit. Pra, jemi në përfundim e sipër të bartjes së kompetencave pas aprovimit të ligjeve, që kanë krijuar një bazë për bartjen e kompetencave dhe resurseve kah komunat”, tha Ferati.

Deri më tash, janë themeluar: komuna e Graçanicës, e Ranillugut dhe e Kllokotit – që të tria këto komuna me shumicë serbe. Ndërsa, komuna e Novobërdës ka përfituar me zgjerimin e territorit të saj. Por, nuk ka ndodhur ende formimi i komunave në Mitrovicë dhe në Partesh – gjë kjo e paraparë me Planin e Ahtisarit.

Ministri Ferati, megjithatë, tha se ekipet përgatitore komunale janë themeluar edhe në Mitrovicë, edhe në Partesh, por, sipas tij, punët atje po ecin më ngadalë.

“Po, është një vonesë në krahasim me ambiciet tona për komunën e Mitrovicës dhe të Parteshit. Siç dihet, në Partesh, presidenti i ka shpallur zgjedhjet për datën 21 qershor. Unë isha në vizitë atje dhe gjithçka tregonte se Parteshi është gati për organizimin dhe mbajtjen e zgjedhjeve, si dhe shihej një vullnet për dalje në zgjedhje. Ndërsa, Mitrovica është një çështje, ku përparimi po ec më ngadalë”
, u shpreh Ferati.

Nga ana tjetër, njohësit e pushtetit lokal dhe të decentralizimit konsiderojnë se deri më tash janë realizuar disa nga pikat e planit të paraparë për decentralizim dhe, sipas tyre, mbeten ende sfida serioze, të cilat kërkojnë përkushtim më të madh.

Drejtori i Institutit Kosovar për Qeverisje Lokale, Besnik Tahiri, vlerësoi se duhet të krijohet një strategji më gjithëpërfshirëse, e cila, sipas tij, do t’i adresonte problemet që përcjellin formimin e komunave të reja, përkatësisht asaj të Mitrovicës veriore dhe të Parteshit.

“Disa nga komunat kanë probleme serioze. Ne e kemi ditur që komuna e Ranillugut funksionon në Ropotovë, në një fshat tjetër, sepse nuk ka një objekt fizik. Stafi është relativisht i mangët. Bashkëpunimi ndërkomunal ka qenë deri diku problematik. Strukturat paralele, në një mënyrë apo tjetër, ende e sabotojnë këtë proces... Të gjitha këto janë sfida, të cilat duhet të adresohen në një strategji pak më gjithëpërfshirëse, me veprime konkrete”, tha Tahiri.

Tahiri po ashtu theksoi nevojën e ndryshimeve të dukshme në terren, në mënyrë që qytetarët t’i shohin përfitimet nga formimi i komunave të reja.

“Këtë vit, në radhë të parë, duhet të kemi kujdes që t’i japim rezultatet e para, rezultate të prekshme për qytetarët, që me të vërtetë të shihen benefitet. E dyta, ne sugjerojmë që kryetarët e komunave, që tani kanë pozicione ekzekutive, të jenë më afër qytetarëve. Ne mendojmë se platformat politike që janë paraqitur nëpër komuna, në fakt nuk janë përkthyer në plane konkrete të punës në pushtetin lokal”,
u shpreh Tahiri.

Me ligjet e miratuara në Kuvendin e Kosovës, pushtetit lokal i janë bartur shumë kompetenca nga niveli qendror, tha Tahiri. Por, sipas tij, ende ka ngecje në zbatimin e ligjeve.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG