Ndërlidhjet

Irani mban ushtrimet, derisa thellohen mospajtimet me Perëndimin


Ushtrimet ushtarake të Iranit në Gjirin Persik, 22 prill 2010.

Ushtrimet ushtarake të Iranit në Gjirin Persik, 22 prill 2010.

Irani ka filluar ushtrimet ushtarake të shkallës së gjerë në Gjirin Persik, në periudhën e mospajtimeve me Perëndimin lidhur me programin e kontestuar bërthamor iranian. Pentagoni tha dje se aksioni ushtarak i Shteteve të Bashkuara kundër Iranit, mbetet opsion, megjithëqë Uashingtoni po zhvillon diplomaci dhe po i shtyn sanksionet ekonomike, për t’i ndalur aktivitetet atomike të Iranit.



Garda Revolucionare elite e Iranit ka filluar ushtrimet ushtarake në Gjirin Persik dhe në Ngushticën e Hormuzit, që ka karakter strategjik.

Televizioni shtetëror iranian raportoi se forcat tokësore, ajrore dhe detare nga Garda Revolucionare po marrin pjesë në ushtrimet treditëshe ushtarake, të quajtura “Profeti i Madh”.

Sipas raporteve televizive, ushtrimet ushtarake synojnë “të tregojnë fuqinë ushtarake konstruktive dhe të përkushtuar të Iranit, në ndërtimin e sigurisë në rajonin strategjik”.

Në ushtrime merr pjesë edhe anija “Ja Mahdi” , që përshkruhet se ka shpejtësi “shumë të madhe” dhe është e armatosur me raketa të dirigjuara.

Po ashtu, më se 300 anije të tjera, secila me aftësi për të hedhur raketa, po marrin pjesë në këto ushtrime.

Komandantët e Gardës Revolucionare thonë se Irani mund t’i përgjigjet çfarëdo kërcënimi, “pavarësisht se kush i bën këto kërcënime”.

Këto ushtrime ushtarake po bëhen në periudhën e mospajtimeve të thella me vendet e Perëndimit, lidhur me programin e kontestuar atomik të Teheranit.

Shtetet e Bashkuara po kërkojnë imponimin e raundit të katërt të sanksioneve të Kombeve të Bashkuara kundër Iranit, për shkak të refuzimit të këtij vendi për t’i ndalur aktivitetet atomike të pasurimit, që janë kërkuar nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së.

Pentagoni ka thënë se aksioni i ushtrisë së Shteteve të Bashkuara kundër Iranit, po ashtu mbetet opsion, megjithëqë Uashingtoni po zhvillon diplomaci dhe sanksione ekonomike, si mënyrë për ndaljen e aktiviteteve atomike të Teheranit.

Irani thotë se përpjekjet për pasurimin e uraniumit janë vetëm për energji atomike për kërkime mjekësore. Por, Perëndimi ka shqetësime se Irani, në mënyrë të fshehtë, po synon krijimin e uraniumit për të prodhuar armatim atomik.

Teherani, më herët, ka thënë se do të përgjigjej ndaj ndonjë sulmi eventual kundër kapaciteteve iraniane atomike, duke i marrë në shënjestër interesat izraelite dhe amerikane në rajon dhe mbylljen e Ngushticës së Hormuzit, në hyrje të Gjirit Persik.

Lideri suprem, Ajatollah Ahi Khamenei, është kërcënuar se Irani do t’i “gjunjëzojë” perëndimorët, nëse do të ketë ndonjë konfrontim.

“Politika jonë atomike është transparente. Ne kemi thënë shumë herë se ne nuk do të përdorim armatim për shkatërrim në masë. Por, perëndimorët duhet ta dinë se në konfrontim me Iranin, të ashtuquajturat fuqi do të gjunjëzohen”, ka thënë Khamenei.

Teherani është i hidhëruar nga një deklaratë e mëhershme e presidentit amerikan, Barak Obama, se, sipas strategjisë së re të politikës atomike, Shtetet e Bashkuara nuk do ta përdorin armatimin atomik kundër vendeve që nuk e kanë këtë lloj të armatimit. Por, kjo, sipas presidentit Obama, nuk vlen për Iranin dhe Korenë Veriore.

Këtë çështje, Khamenei e ka kuptuar si një kërcënim.

“Presidenti amerikan, Obama, padyshim i kërcënohet Iranit me armatim bërthamor. Këto kërcënime janë joefektive për popullin e Iranit, por kjo është turp për historinë politike të Amerikës”, ka thënë Khamenei.

Izraeli, për të cilin gjerësisht mendohet se është i vetmi vend me arsenal atomik në Lindjen e Mesme, thotë se programi bërthamor i Iranit është kërcënim për ekzistimin e shtetit izraelit. Zyrtarët e Izraelit po ashtu kanë thënë se nuk e përjashtojnë aksionin ushtarak kundër kapaciteteve atomike të Iranit. (f.b.)

Trego komentet

XS
SM
MD
LG