Ndërlidhjet

Nismë e re, me ide të vjetra


Prishtinë
Prishtinë

Nisma serbe për Kosovën ka hartuar një strategji, e cila kërkon kthimin e Republikës së Kosovës në krahinë të Serbisë. Ideja nuk përkrahet as nga vetë përfaqësuesit e serbëve të Kosovës, të cilët e shohin atë si të dënuar të dështojë.



Dy vjet pas pavarësisë së Kosovës dhe pas njohjes nga 66 shtete, një iniciativë serbe kërkon ta kthejë rrotën e historisë prapa.

Nisma serbe për Kosovën ka prezantuar sot në Çagllavicë një strategji, përmes së cilës kërkohet krijimi i kushteve për, siç thuhet, funksionimin e krahinës autonome të Kosovës në kuadër të Serbisë.

Strategjia nuk merr fare parasysh situatën aktuale në Kosovë, duke anashkaluar jo vetëm Deklaratën e Pavarësisë, e cila mbetet e papranueshme për Serbinë, por edhe vetë Rezolutën 1244, e cila pamundëson çfarëdo veprimi të Serbisë në Kosovë.

Njëri nga iniciatorët e kësaj nisme, Momçillo Trajkoviq, prezanton pikat kryesore të strategjisë:

“Ajo përmban ligjin për krahinën autonome të Kosovës, ligjin për ndryshimet dhe plotësimin e ligjit mbi organizimin territorial të Republikës së Serbisë, konkluzionin për themelimin e pleqësisë shtetërore për Kosovën, statutin e krahinës autonome të Kosovës, ligjin për fondin shtetëror për Kosovën, konventën për lëvizjen për Kosovën, qëllimet programore të lëvizjes dhe aktet tjera”.

Kjo strategji nuk ka gjetur përkrahjen e serbëve të tjerë të Kosovës, që nuk janë pjesë e Nismës. Rangjell Nojkiq, njëri nga liderët e serbëve të Kosovës, thotë se të gjitha iniciativat e dala nga njerëzit që përbëjnë Nismën për Kosovën, janë të dënuara të dështojnë.

“Të gjitha ato që i bëjnë zoti Sholeviq, zoti Trajkoviq dhe disa të tjerë së bashku me ta, nuk i kuptoj seriozisht, thjesht, pasi që të gjitha idetë e tyre ishin të pasuksesshme ose ishin në funksion të manipulimit me serbët në këto treva. Kështu që nuk do të komentoja më shumë sesa këto që i thashë”
, shprehet Nojkiq.

Politikania tjetër nga Graçanica, Rada Trajkoviq, thotë se një strategji e tillë do të duhej të hartohej vite më parë, e jo tash, kur realiteti ka ndryshuar në mënyrë drastike.

Nuk besoj se Momçillo Trajkoviq nuk e kupton se sa shumë kanë shkuar përpara proceset, kur bëhet fjalë për realitetin në terren dhe mundësinë e implementimit të asaj që ata e kërkojnë”.

“Kjo, në rastin më të mirë, është dashur të jetë një lloj pozite negociatore para hartimit të Kornizës Kushtetuese, para zgjedhjeve të para parlamentare, por ndoshta edhe si platformë para negociatave në Vjenë. Mirëpo, në këtë moment, realiteti në terren ka shkuar shumë përpara
”, thotë Trajkoviq.

Trajkoviq sheh edhe nga një prizëm tjetër. Ajo thotë se me këtë propozim, mbase synohet t’i bëhet preson Serbisë, që të deklarojë qartë se nuk mund t’i ofrojë ato që ia kërkojnë serbët e Kosovës.

“Të gjitha janë në esencë presion mbi shtetin, që të thotë publikisht se gjërat e tilla nuk mund t’i kryejë për serbët e Kosovës dhe që serbët, në esencë, ta fitojnë të drejtën që të integrohen në institucionet e Kosovës”
, deklaron Trajkvoiq.

Serbët e Kosovës janë të ndarë në ata që tashmë janë pjesë e institucioneve të Kosovës dhe ata që ende shikojnë kah Serbia, apo janë pjesë e strukturave paralele serbe.

Strategjia e paraqitur nga Nisma Serbe, sipas Rada Trajkoviqit, mund të jetë një justifikim për përfshirjen e serbëve në institucionet e Kosovës.

“Në perspektivë mund të jetë edhe alibi për pjesëmarrjen dhe angazhimin e tyre në disa procese politike në Kosovë. Përndryshe, në të kundërtën, e tëra kjo do të ishte iluzore; kjo është ide në tërësi iluzore”, thotë Trajkoviq.

Ndryshe, themelimi i Nismës për Kosovën, një muaj më parë, nuk është pritur mirë nga opinioni kosovar, pasi që koordinatori i kësaj Nisme është Mirosllav Sholeviq, i cili në Kosovë njihet si njëri prej pjesëmarrësve të zëshëm në mitingun e Gazimestanit, në vitin 1989, nga i cili pasoi suprimimi i autonomisë së Kosovës në ish-Federatën Jugosllave dhe dominimi politik i diktatorit Sllobodan Millosheviq.
XS
SM
MD
LG