Ndërlidhjet

EULEX: Masa ndëshkimi për rumunët


Fotografi ilustruese

Fotografi ilustruese

Duke folur për incidentin në kufirin Kosovë-Maqedoni, ku dyshohet që në kontrabandë të jenë të përfshirë pjesëtarë rumunë të EULEX-it, zyrtarë të këtij misioni thanë se do të ndërmerren masa të ashpra ndëshkuese po qe se vërtetohet një gjë e tillë.



Shefi i misionit evropian për forcimin e sundimit të ligjit në Kosovë, Iv De Kermabo, theksoi vendosmërinë e misionit që udhëheq, për ta zbardhur rastin në lidhje me dyshimet për përfshirjen e pjesëtarëve rumunë të EULEX-it në kontrabandë.

Ai tha se do të ndërmerren masa të rrepta ndëshkuese për policët rumunë, po qe se vërtetohet përfshirja e tyre në kontrabandimin e mallrave gjatë kalimit të kufirit Kosovë -Maqedoni.

Nëse hetimet vërtetojnë një gjë të tillë, do të merren masa të ashpra, sepse kjo nuk është aspak e pranueshme për EULEX-in. Ne kemi një kod të mirësjelljes dhe natyrisht jemi këtu për të zbatuar ligjin; ne nuk mund ta pranojmë një gjë të tillë po qe se vërtetohet”, u shpreh Kermabo.

Deklaratat e numrit një të EULEX-it vijnë një ditë pas inicimit të hetimeve të brendshme për diku 16 policë rumunë, të cilët dyshohet të kenë kontrabanduar alkool dhe duhan gjatë udhëtimit për në Rumani.

Kermabo shprehu shqetësimin e tij në lidhje me përfshirjen eventuale të pjesëtarëve të EULEX-it në veprime të paligjshme, por tha se duhet të pritet përfundimi i hetimeve, para se të nxirren përfundime të caktuara.

Ai theksoi se veprimet e disa pjesëtarëve të EULEX-it nuk duhet të ndikojnë në rolin dhe qëllimin e misionit në tërësi.

“Dua të jem shumë i matur, por në të gjitha bashkësitë e njerëzve ka të tillë që kanë sjellje të këqija. Sjellja e keqe e disa individëve nuk duhet të ndikojë në rolin e misionit dhe në veprimet e të gjithë pjesëtarëve të EULEX-it”
, theksoi Kermabo.

Policët rumunë ishin ndalur në pikën kufitare në Bllacë dhe ishin marrë në pyetje nga zyrtarët e Doganës së Maqedonisë. Me qindra kuti të duhanit dhe shishe të alkoolit ishin konfiskuar nga autoritetet maqedonase.

Njohësit e çështjeve të sigurisë në Prishtinë thonë se incidenti i së hënës ka ulur kredibilitetin e misionit EULEX, por ka zbehur edhe atë të doganave kosovare.

Drejtori i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, Ramadan Qehaja, u shpreh:

“Ky rast tregon se ne ende kemi dobësi në dogana të Kosovës, edhe pse nuk mund të themi se doganat janë totalisht të dobëta. Mirëpo, si duket, ato nuk janë imune ndaj dobësive dhe lëshimeve të ndryshme që mund të ndodhin aty”.

Qehaja theksoi se dikush nga eprorët e EULEX-it duhet të japë dorëheqje, edhe pse udhëtimi i policëve rumunë ndodhi jashtë orarit zyrtar të punës. Mirëpo, Kermbao tha se nuk e ka ndërmend të marrë një hap të tillë.

“Jam shumë i shqetësuar, por nuk do të jap dorëheqje. Jam njeri përgjegjës për misionin dhe do ta vazhdoj punën time”, theksoi Kermabo.

Kermabo tha se, lidhur me incidentin, tanimë janë njoftuar Brukseli zyrtar dhe autoritetet rumune në Prishtinë, të cilat, siç thuhet, po merren urgjentisht me rastin.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG