Ndërlidhjet

Mitrovicë: Vihet gurthemeli në lagjen e romëve



Kur Kosova e shpalli pavarësinë para dy vitesh dhe e miratoi kushtetutën, u premtua se do të jetë shoqëri demokratike dhe shumëetnike, dhe ky premtim po realizohet, tha ambasadori amerikan Kristofer Dell në ceremoninë e vënies së gurthemelit në lagjen e romëve në pjesën jugore të Mitrovicës.

Ai tha se kjo ditë paraqet simbol të asaj që Kosova mund ta arrijë me partnerët e saj, SHBA-në e BE-në.

Presidenti Fatmir Sejdiu tha se Kosova është shtëpi e të gjithëve, ku njerëzit janë të barabartë.

“Mitrovica është qytet i veçantë në Kosovë, dhe besoj se të gjithë partnerët do t’i përmbushin premtimet për realizimin e këtij projekti”, tha Sejdiu.

Kryeministri Hashim Thaçi tha se detyra e të gjitha institucioneve është që të krijojnë një Kosovë shumëetnike, e cila sa më parë të hyjë në NATO dhe BE.

"Ky është projekt për integrimin dhe jetën e re në Kosovën demokratike, projekt për kthimin e n jerëzve dhe jetën e përbashkët në Kosovën shumëetnike", tha Thaçi.

Ai premtoi se Qeveria e Kosovës bashkë me institucionet ndërkombëtare do t'i kryejë të gjitha obligimet ndaj qytetarëve të Kosovës.

Ministri në Qeverinë e Kosovës, Sasha Rashiq, tha se Ministria për Kthim dhe Komunitete angazhohet për gjetjen e zgjidhjes së përhershme dhe të qëndrueshme për kthimin e të gjithë të zhvendosurve në Kosovë.

"Shtëpitë janë të rëndësishme për kthimin, por nevoitet të krijohen kushte për integrimin e njerëzve në shoqëri", tha Rashiq.

Në lagjen rome do të ndërtohen 50 shtëpi për më të rrezikuarit nga kampet Osterod dhe Çesmin Lluk në veri të Mitrovicës.

Kjo është pjesë e programit të financuar nga USAID, i cili për këtë projekt ka ndarë 2.4 milionë dollarë, ndërsa ai pritet të përfundojë për 30 muaj.
XS
SM
MD
LG