Ndërlidhjet

Romët me lagje të re

  • RFE /RL

Mitrovicë (foto arkiv)

Mitrovicë (foto arkiv)

Në lagjen e romëve në pjesën jugore të Mitrovicës, u vu gurthemeli për ndërtimin e 50 shtëpive të reja për romët nga kampet Osterod dhe Çesmin Lluk. Ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Kristofer Dell, tha se gurthemeli tregon se premtimet po realizohen.






Kur Kosova e shpalli pavarësinë para dy vjetësh dhe e miratoi Kushtetutën, u premtua se do të jetë shoqëri demokratike e shumetnike dhe ky premtim po realizohet, tha ambasadori amerikan, Kristofer Dell, në ceremoninë e vënies së gurthemelit në lagjen e romëve, në pjesën jugore të Mitrovicës.

Ai tha se kjo ditë paraqet simbol të asaj që Kosova mund ta arrijë me partnerët e saj, SHBA-të e BE-në.

Presidenti Fatmir Sejdiu tha se Kosova është shtëpi e të gjithëve, ku njerëzit janë të barabartë.

Mitrovica është qytet i veçantë në Kosovë dhe besoj se të gjithë partnerët do t’i përmbushin premtimet për realizimin e këtij projekti”, tha Sejdiu.

Kryeministri Hashim Thaçi tha se detyra e të gjitha institucioneve është që të krijojnë një Kosovë shumetnike, e cila sa më parë të hyjë në NATO dhe në BE.

"Ky është projekt për integrimin dhe jetën e re në Kosovën demokratike, projekt për kthimin e njerëzve dhe jetën e përbashkët në Kosovën shumetnike", tha Thaçi.

Ai premtoi se Qeveria e Kosovës, në bashkëpunim me insitucionet ndërkombëtare, do t'i kryejë obligimet ndaj qytetarëve të Kosovës.

Ministri për Kthim dhe Komunitete, Sasha Rashiq, tha se ministria që ai drejton angazhohet për gjetjen e zgjidhjes afatgjate dhe të qëndrueshme për kthimin e të gjithë të zhvendosurve në Kosovë.

"Shtëpitë janë të rëndësishme për kthimin, por nevojitet të krijohen kushte për integrimin e njerëzve në shoqëri", tha Rashiq.

Ai shtoi se institucionet e Kosovës duhet të sigurojnë kushte për jetë normale të të gjithë atyre që duan të kthehen.

Projekti, i cili është pjesë e programit të financuar nga USAID, do të kushtojë 2.4 milionë dollarë, ndërsa pritet të përfundojë për 30 muaj.

Në lagjen rome do të ndërtohen 50 shtëpi për më të rrezikuarit nga kampet Osterod dhe Çesmin Lluk në veri të Mitrovicës. (v.p.)
XS
SM
MD
LG