Ndërlidhjet

logo-print

Kërkesat për zgjidhjen e çështjes së strehimit në komunën e Prishtinës janë të mëdha, ndërkohë që kjo komunë tashmë ka ndërtuar një objekt social. Zyrtarët komunalë thonë se deri në muajin korrik aty do të sistemohen 48 familje të pastreha. Në kampin e të ashtuquajturës Fusha e Pajtimit në Prishtinë jetojnë 25 familje në kushte të vështira, të cilat shpresojnë të përfitojnë strehim në objektin social.



Komuna e Prishtinës aktualisht ballafaqohet me rreth 2 mijë kërkesa për zgjidhjen e problemit të strehimit dhe në mesin e tyre janë edhe 25 familjet që jetojnë në kushte të vështira në kampin me kontejnerë të metalit, në të ashtuquajturën Fusha e Pajtimit në Prishtinë.

Muhamet Gashi, zëdhënës i komunës së Prishtinës, thotë se në përpjekje për ta zbutur këtë numër, kuvendi komunal ka ndërtuar një ndërtesë sociale, në të cilën pritet të strehohen 48 familje të pastreha.

“Pritet të formohet një komision i përbashkët midis komunës dhe kompanisë, e cila ka fituar koncesionin për ndërtimin e këtyre banesave, dhe të bëhet pranimi teknik i objektit”.

“Posa të bëhet pranimi teknik, komuna do ta shpallë konkursin, do t’i caktojë kriteret dhe të gjithë qytetarët me nevojë apo që nuk e kanë të zgjidhur çështjen në komunën e Prishtinës, do të aplikojnë në bazë të konkursit. Brenda dy muajsh do të kryhet e tërë procedura - konkursi edhe përzgjedhja e përfituesve. Në muajin korrik, me siguri, familjet që përfitojnë, do të hyjnë në banesa”
, thotë Gashi.

Hapjen e konkursit për të përfituar banesë në ndërtesën sociale, me padurim janë duke e pritur edhe banorët e kampit në Fushën e Pajtimit. Sabri Kastrati, banor dhe njëkohësisht përgjegjës i këtij kampi, thotë se kontejnerët, në të cilët janë të strehuar, tashmë janë amortizuar dhe nuk ofrojnë as kushtet minimale për jetesë.

“Gjysma e tyre pikojnë, gjysmën i kemi rregulluar vetë. Verës është shumë nxehtë e dimrit ngrijmë nga të ftohtët. Banjat nuk funksionojnë fare. Kanalizimin e kemi rregulluar vetë... pa urbanizim. Gjendja e këtyre banorëve është e mjerueshme. Shumica e tyre jetojnë me ndihma sociale. Nuk di nëse janë dy apo tri familje që kanë të punësuar”, rrëfen Kastrati.

Ngjashëm e përshkruan situatën edhe Edin Mehmeti, banor i këtij kampi, i cili shfaq drojën nga ndonjë epidemi e mundshme, për shkak të, siç thotë ai, kushteve katastrofale të jetesës.

Vetë kontejnerët janë katastrofalë. Pikojnë në të gjitha anët, u është hequr materiali, i cili mbron kinse nga të ftohtët, por nuk mbron. Është e papërballueshme. Edhe fëmijët janë të sëmurë. Këtu prapa i kemi diku mbi 100 kamionë vetëm me mbeturina”.

“Fëmijët luajnë aty në livadh, në fushë të sportit. Ajri i ndotur... Është shumë e mundur që të ndodhë edhe ajo - që të shfaqet ndonjë epidemi këtu”,
shprehet Mehmeti.

Ndryshe, banorët e këtij kampi shpresojnë se komuna e Prishtinës do të gjejë një zgjidhje për ta dhe se familjet e tyre do të mund ta përfitojnë strehimin në ndërtesën sociale.

Sabri Kastrati thotë:

“Ende nuk kemi ndonjë përgjigje nga kuvendi komunal. Dhëntë Zoti të na çojnë të gjithëve, por nuk besoj. Po thonë që ata, të cilët janë të komunës së Prishtinës, do të hyjnë aty. Ata që nuk janë, do t’i çojnë nëpër komunat e veta”.

Edhe Edin Mehmeti mban të njëjtën shpresë:

“Shpresa kemi të gjithë. Se çfarë bëhet... shpresën e kemi të Zoti së pari, por edhe te këta (zyrtarët komunalë), se do të na e bëjnë një zgjidhje dhe nuk do të na lënë këtë mjerim, sepse kjo është katastrofë e madhe”.

Në anën tjetër, zëdhënësi i komunës së Prishtinës, Muhamet Gashi, thotë se të drejtën e konkurrimit për të përfituar banesë në ndërtesën sociale, e kanë edhe banorët e kampit të Fushës së Pajtimit.

“Para se të shpallet konkursi, do të caktohen kriteret për familjet, të cilat duhet t’i plotësojnë ato që të jenë përfituese. Edhe ata që për momentin shfrytëzojnë kontejnerët, e kanë të drejtën e aplikimit. Por, komuna dhe komisioni përkatës do të përpiqen që ta kryejnë punën sa më mirë dhe që përfitues të këtyre banesave sociale të jenë familjet që më së shumti kanë nevojë për strehim”, thekson Gashi.

Sidoqoftë, zyrtarët komunalë të Prishtinës kanë paralajmëruar se së shpejti do të fillojë të ndërtohet edhe një ndërtesë sociale, në të cilën do të vendosen po ashtu rreth 50 familje me problem të pazgjidhur të strehimit.

Ata kanë thënë se në vazhdimësi do të bëjnë përpjekje për të ndarë buxhet ose për të siguruar donacione, në mënyrë që, të paktën në çdo 2-3 vjet, të ndërtojnë nga një objekt social.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG