Ndërlidhjet

Klinton: PVA është katalizator për reformat në Bosnje


Aleanca veriatlantike i ofroi Bosnjës futjen në Planin e Veprimit për Anëtarësim në NATO. Vendimi u mor në takimin e ministrave të jashtëm në Estoni.
Sekretarja amerikane e Shtetit Hillari Klinton, tha se vendimi u mor për t’i përshpejtuar reformat në vend.

"NATO u dakordua t’i lejojë Bosnjës futjen në Planin e Veprimit për Anëtarësim. Ne e morëm këtë hap duke pritur se ai do të shërbejë si katalizator për reformat e rëndësishme, të cilat do të ndihmojnë të forcohen institucionet e Bosnjes, dhe t’i lejohet që të funksionojë me më shumë efikasitet si shtet”, tha Klinton.

Kërkesa e Bosnjës ishte hedhur poshtë në dhjetor, për shkak të mospërmbushjes së reformave.

Zëdhënësi i NATO-s tha se nga dhjetori Bosnja bëri përparim të dukshëm, përfshi këtu dhe vendimin për shkatërrimin e armatimit të tepërt, dhe që të ndihmojë me trupa në Afganistan.

Klinton poashtu tha se Uashingtoni mbështet zgjërimin e aleancës.

“Shtetet e Bashkuara vazhdojnë ta përkrahin zgjërimin e NATO-s dhe përpjekjet e vendeve aspirante që t’i përmbushin standardet për anëtarësim. Përvoja dhe kontributet e Estonisë, si anëtar i ri relativisht i vogël, demonstron se dyert e hapura të NATO-s e forcojnë aleancën tonë dhe i çojnë përpara synimet tona të përbashkëta”, tha Klinton.

Kryediplomatja amerikane e hodhi poshtë mundësinë e largimit të shpejtë të armëve bërthamore amerikane nga Evropa, duke thënë se kjo duhet të përcaktohet nga NATO-ja si tërësi, dhe jo thjesht nga SHBA-të.
XS
SM
MD
LG