Ndërlidhjet

logo-print


Ambasadori amerikan në Prishtinë, Kristofer Dell, vlerësoi se strategjia për veriun e Kosovës nuk e pengon procesin e decentralizimit në veri të Mitrovicës. Dell theksoi se strategjia e hartuar nga Qeveria e Kosovës dhe Zyra Civile Ndërkombëtare, lehtëson krijimin e komunës në veri.

Mendoj se strategjia për veriun ka krijuar hapësirën, në të cilën veriu i Mitrovicës mund të fillojë të angazhohet në procesin e krijimit të komunës së re dhe krijon hapësirë politike, në të cilën qytetarët serbë të Kosovës do të fillojnë t'i eksplorojnë mënyrat, përmes të cilave mund t’i bashkohen këtij procesi në ndërtimin e shtetit më të ri në Evropë”, u shpreh Dell, pas një takimi me ministrin e Pushtetit Lokal, Sadri Ferati.

Ambasadori Kristofer Dell dha vlerësime pozitive për komunat e reja, të cilat tashmë janë funksionalizuar.

Zyrtarët e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, ditë më parë, nuk i kanë pohuar e as mohuar deklaratat se strategjia për veriun e Kosovës ka ndikuar deri më tash në ngadalësimin e punëve për formimin e komunës në veri të Mitrovicës.

Ministri Sadri Ferati tha sot se procesi i decentralizimit është duke shkuar mirë, por, siç u shpreh ai, ky proces kërkon angazhime shtesë të të gjitha institucioneve.

“Është një proces, i cili nuk shkon edhe aq shpejt sa ne dëshirojmë, por të gjitha ngadalësimet e deritashme janë të natyrës objektive. Ky proces natyrisht kërkon angazhim nga të gjithë”, u shpreh Ferati.

Ministri Ferati, gjatë takimit me ambasadorin Dell, tha të ketë marrë përkrahjen e ambasadorit amerikan për vazhdimin e procesit të decentralizimit.

Komuniteti ndërkombëtar është më shumë i interesuar që të shohë krijimin e komunave me shumicë serbe. Sipas planit për decentralizim, deri më tash, janë formuar tri komuna me shumicë serbe - Graçanica, Ranillugu dhe Kllokoti. Ndërsa, komuna e Novobërdës ka përfituar me zgjerimin e territorit të saj.

Ministri Ferati tha se procesi për krijimin e komunës së Parteshit dhe të Mitrovicës veriore është duke vazhduar më ngadalë.

“Ne do t’i gëzohemi suksesit që Parteshi, me datën 21, e ka mundësinë që të shndërrohet në një komunë. Sa i takon Mitrovicës, situata nuk është e njëjtë. Ne atje nuk e kemi këtë proces, për të cilin po flasim për Parteshin. Duhen shumë veprime; në radhë të parë, duhet të ketë sundim të ligjit, në mënyrë që njerëzit atje të bashkëpunojnë lirshëm me ne”, deklaroi Ferati.

Përfaqësues të Ministrisë së Pushtetit Lokal dhe njohës të procesit të decentralizimit thonë se sfidë për procesin e decentralizimit mbetet veriu i Mitrovicës.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG