Ndërlidhjet

Sadiku: Vërmicë-Merdare, projekt jo vetëm i një qeverie


Muhamet Sadiku

Muhamet Sadiku

"Nisma është shumë e rëndësishme, por projektin po e përcjellin paqartësi të mëdha, sepse këtë projekt duhet ta fillojë kjo qeveri dhe ta përfundojnë edhe qeveritë e ardhshme", thotë eksperti Muhamet Sadiku.



RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Sadiku, a mund të jepni një vlerësim të përgjithshëm për fillimin e punimeve për ndërtimin e autostradës Vërmicë-Merdare?

MUHAMET SADIKU
Mendoj se çdo projekt, në situatën e tanishme, është shumë i rëndësishëm për Kosovën, sidomos projektet e tilla kapitale, të cilat do të kenë efekte shumë të rëndësishme edhe në aspektin ekonomik, social, edhe në aspektin integrues të Kosovës.

Prandaj, unë mendoj se një projekt i tillë është shumë i rëndësishëm, sidomos për Kosovën, e cila për target të vetin ka anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

RADIO EVROPA E LIRË
Është thënë se ky projekt do të ndikojë në zhvillimin ekonomik të vendit, pastaj do të ketë një punësim të qytetarëve... Komenti juaj lidhur me këtë?

MUHAMET SADIKU
Vetë fakti se po fillohet me ndërtimin e një autostrade, tregon se kjo do të reflektohet tejet pozitivisht në zhvillimin e aktiviteteve ekonomike në Kosovë, në përmirësimin e pozitës tregtare të Kosovës në raport me tregjet e jashtme.

Sidomos, është e rëndësishme dalja ndërkombëtare e Kosovës në Portin e Durrësit, që do të thotë se tregu i Bashkimit Evropian do të jetë më i afërt dhe me një kosto më të përballueshme për importuesit kosovarë. Në përgjithësi, krijon mundësi të mëdha që të lehtësohet edhe eksporti i Kosovës me tregjet e jashtme.

RADIO EVROPA E LIRË
Çka konsideroni si sfidë më të madhe në këtë projekt?

MUHAMET SADIKU
Duhet të them se është përgjegjësi e tërë shoqërisë kosovare që ta realizojë me sukses këtë ndërmarrje tejet të rëndësishme. Unë mendoj se, përveç idesë shumë të rëndësishme, megjithatë, projektin e shoqërojnë disa paqartësi serioze, të cilat mund të bëhen pengesë e madhe në periudhën e ardhshme.

Është e pakuptueshme që ende ne nuk e kemi një kosto të qartë se sa do të kushtojë projekti në përgjithësi. Gjithnjë flasim për disa segmente të caktuara. Çështja e dytë që është e paqartë - trasoja e projektit - kjo fut paqartësi tejet të mëdha për fatin e projektit.

Ajo që është vërtet tejet problematike – ne ende nuk i dimë burimet e financimit. Ne po llogarisim në buxhetin e Kosovës, por duhet pranuar se Kosova nuk ka potenciale fiskale që ta përballojë një investim të vetin me burime të veta të financimit, sepse Kosova përballet edhe me njëqind probleme të tjera, të them kështu kushtimisht, të cilat janë kryesisht të natyrës sociale - kam parasysh këtu nivelin tejet të lartë të varfërisë.

Sido që të jetë, mendoj se nisma është shumë e rëndësishme, strategjike, porse projektin po e përcjellin paqartësi të mëdha, sepse këtë projekt duhet ta fillojë kjo qeveri dhe duhet ta përfundojnë edhe qeveritë e ardhshme. Këtë projekt do të fillojnë ta paguajnë taksapaguesit e tanishëm dhe duhet të llogarisim edhe në taksapaguesit e gjeneratave që do të vijnë.

Do të thotë, mbetet çështja më problematike sigurimi i burimeve multilaterale. Përvojat ndërkombëtare tregojnë se këto projekte mund të financohen vetëm me burime multilaterale – domethënë, pjesëmarrja e qeverisë, pastaj dhënia me koncesion e disa pjesëve të magjistrales, pastaj shfrytëzimi i kredive të buta nga institucionet financiare ndërkombëtare dhe, në fund të fundit, si një opsion pak më i vështirë dhe që sjell pasiguri, hyrja e Kosovës në borxhe të reja në bankat komerciale.

Sidoqoftë, unë mendoj se është projekt shumë i rëndësishëm, projekt i cili do t’i afektojë edhe gjeneratat e ardhshme, do t’i afektojë edhe qeveritë e ardhshme, edhe taksapaguesit kosovarë. Por, nëse institucionet e Kosovës arrijnë që të sigurojnë një mbështetje multilaterale në projekt, kjo mund të reflektohet në sigurinë për përfundimin e suksesshëm të këtij projekti.

RADIO EVROPA E LIRË
Është thënë se autostrada Vërmicë-Merdare do të përfundojë brenda 36 muajsh, nga dita e fillimit të punimeve. Sa besoni ju në këtë afat kohor?

MUHAMET SADIKU
Unë kam parasysh këtu këtë pjesën e rrugës nga Prishtina në drejtim të Aeroportit – disa herë, afatet e deklaruara janë shtyrë. Prandaj, kjo që deklarohet se projekti do të përfundojë për 36 muaj, unë mendoj se me këto gjëra, me këto elemente të paqarta, vështirë se mund të mbahet një afat i tillë.

Unë mendoj se faktori kyç në mbajtjen e fjalës për përfundimin në kohë të këtij projekti dhe në përfundimin cilësor të këtij projekti, është gjetja e burimeve të financimit.

Operimi në tregun financiar ndërkombëtar është një operacion tejet i sofistikuar dhe kam frikë se Kosova, në këtë moment, ka kapacitete që të dalë në tregun financiar ndërkombëtar dhe të sigurojë burime të financimit.

Mirëpo, ajo që është më e sigurt, projekti do të ketë mbështetje me buxhetin e Kosovës. Kjo mbase është mënyra më e lehtë për të siguruar burime për financimin e një projekti, sepse sigurimi i burimeve të financimit jashtë mjeteve të buxhetit është çështje shumë e ndërlikuar, është një operacion, të cilin mund ta bëjnë vetëm institucionet që kanë kapacitete dhe ekspertizë të mjaftuar profesionale.

Është joracionale që ai që ka fituar projektin, ta marrë përgjegjësinë dhe të na i marrë burimet për gjetjen e burimeve të financimit. Qeveria e Kosovës dhe qeveritë e Kosovës duhet të merren me këtë problem.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG