Ndërlidhjet

logo-print

NYT: “Greqia, kush tjetër pas saj?”


“New York Times”

Ndërsa Greqia rrezikonte këtë javë të mos paguante borxhet, investitorët, nga ana tjetër, të frikësuar gjithashtu, nxitonin t’u largoheshin shqetësimeve financiare, duke shitur aksionet në Portugali, Spanjë dhe Irlandë.

Por, ndërsa tregjet, gjithnjë e më shumë, e shikonin këtë situatë si një krizë të Eurozonës, shumë udhëheqës evropianë e mohojnë.

Nëse Bashkimi Evropian dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar nuk e mbështesin Greqinë, ajo mund të mos jetë në gjendje ta paguajë borxhin.

Afërsisht, 40 miliardë dollarë ndihmë e premtuar nga Brukseli, me një shtesë prej 15 deri në 20 miliardë dollarësh nga FMN-ja, ka të ngjarë të mos jenë të mjaftueshme për Athinën.

Borxhi i Greqisë që duhet paguar në 12 muajt e ardhshëm, llogaritet në 50 miliardë dollarë. Ndërkohë që Gjermania po reziston për të dhënë para ndihmë për të.

Pas thirrjes së kryeministrit grek, Jorgos Papandreu, për të aktivizuar planin e ndihmës, kancelarja gjermane, Angela Merkel, tha se Greqia së pari duhet të negociojë për një program bindës kursimesh.

Përpjekjet e Greqisë për t’i zvogëluar shpenzimet publike nuk i kanë bindur investitorët se është e aftë që këtë deficit të mund ta vë nën kontroll.

Por, mes një recesioni të ashpër, i cili ka gjasa që të keqësohet nga shkurtimet e buxhetit, edhe sikur rripi të shtrëngohet në maksimum, duket i pamundur eliminimi i një deficiti që shkon në 13 për qind.

Për të ndaluar përkeqësimin e situatës, BE-ja duhet ta aktivizojë planin e ndihmës. Më pas, Evropa dhe FMN-ja duhet t’i nisin negocimet me Greqinë për një paketë të madhe ndihme.

Kjo do të ndihmojë në rikthimin e besimit të investitorëve.

Investitorët e bënë të qartë këtë javë se trazirat nuk përfundojnë me Greqinë. Portugalia, Spanja dhe Irlanda kanë parë rritjen e deficitit buxhetor në shtëpitë e tyre.

Në këto kushte, BE-ja dhe FMN-ja duhet që së bashku të përgatisin një paketë paraprake ndihme, për t’i bindur investitorët në stabilitetin e financave të tyre dhe të lënë në qarkullim bonot e tyre në një nivel më të lartë. Shpejtësia është esenciale.

Sekretari i Zyrës së Thesarit, Timoti Geithner, dhe ministrat evropianë të financave duhet të punojnë rreth kësaj, gjatë takimit të fundjavës të FMN-së në Uashington.

Më së shumti ky është një problem evropian. Por, Uashingtoni duhet të sigurohet se fondi do të ketë burime të mjaftueshme.

Lajmi i mirë është që bankat amerikane nuk kanë shumë nga borxhi grek. Por, ekonomia amerikane nuk do të jetë e imunizuar nëse kriza greke shkon më tej. (a.ç.)
XS
SM
MD
LG