Ndërlidhjet

Përfundon mënjanimi i transmetuesve të Serbisë


Autoriteti Rregullativ i Telekomunikacionit e quan të përfunduar aksionin për mënjanimin e transmetuesve të telefonisë mobile të Serbisë në Kosovë. Drejtuesi i këtij organi, Ekrem Hoxha, tha se ART-ja gjykon se është arritur efekti i duhur.



Aksioni për mënjanimin e transmetuesve të telefonisë mobile të Serbisë në Kosovë ka përfunduar në orët e para të pasdites.

Këtë e konfirmoi për Radion Evropa e Lirë drejtuesi i Autoritetit Rregullativ të Telekomunikacionit (ART), Ekrem Hoxha.

Ai u shpreh i bindur se aksioni ka arritur efektin e duhur në ndërprerjen e linjave të telefonive mobile serbe, që veprojnë ilegalisht në Kosovë.

“Ka vazhduar dhe ka përfunduar para gjysmë ore (13:30) në gjithë Kosovën. Pra, në gjithë Kosovën ka përfunduar ky aksion dhe të hënën do të dalim me komunikata”, tha Hoxha, duke mos dhënë detaje se sa stacione bazë të këtyre transmetuesve janë larguar.

Një ditë më parë, ART-ja ka bërë të ditur se janë hequr 14 stacione bazë të këtyre transmetuesve, jo vetëm në Prishtinë, por në nivel të Kosovës.

Ekrem Hoxha bëri të ditur se ART-ja do të monitorojë për një periudhë të caktuar situatën në terren.

“Do të bëhet monitorim aktiv njëmujor për efektet, eventualisht sinjalin e mbetur dhe fuqinë transmetuese, dhe nëse ka nevojë, do të vazhdohet me aksionin. Ne gjykojmë se është arritur efekti i duhur. Aksioni mbetet i hapur, po qe se paraqitet nevoja, nëse ka rivendosje apo ka sinjal, do të vazhdojë”, tha Hoxha.

ART-ja nuk dha detaje nëse në përgjithësi janë ndërprerë linjat e telefonive mobile të Serbisë, që veprojnë ilegalisht në Kosovë. Por, drejtori i Departamentit për Komunikime në Post-Telekomin e Kosovës, Menduh Abazi, i tha Radios Evropa e Lirë se shumica e këtyre linjave janë jashtë funksionit.

“Në bazë të informatave që ne kemi nga dje dhe sot, linjat e telefonisë mobile të Telekomit të Serbisë nuk janë duke funksionuar dhe kjo është si pasojë e aksionit të ART-së, që ka ndërmarrë për mënjanimin e operatorëve ilegalë”, tha Abazi.

Ndërkohë, kryeshefi ekzekutiv i Post-Telekomit të Kosovës, Shyqeri Haxha, ka marrë vendim që të shpërndajë numra falas të operatorit Vala në mjediset serbe. Menduh Abazi nuk saktësoi sasinë e këtyre numrave.

“Do të shpërndahen numra falas nëpër pikat tona shitëse, nëpër enklava, në Graçanicë, në Shtërpcë, në komunën e Vitisë, në Mitrovicë, me qëllim që të mundësohet komunikimi sa më efikas dhe sa më i mirë i të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe të mos ketë probleme me komunikim”, tha Abazi.

Qeveria e Kosovës ka përshëndetur aksionin e ART-së, duke sqaruar se ky hap ligjor nuk është i drejtuar kundër asnjë etniteti apo shteti të veçantë, por ndaj të gjithë atyre operatorëve që nuk i kanë respektuar normat ligjore në fuqi.

Por, Ministria për Kosovën në Qeverinë e Serbisë e ka cilësuar veprimin e ART-së si incident të paramenduar.

"Mendojmë se ky është një incident i paramenduar, i cili nuk është vetëm sulm kundër pronave të kompanive serbe, por përpjekje për të ndërprerë çdo komunikim midis serbëve të Kosovës dhe lidhjet e tyre me pjesën tjetër të Serbisë dhe botës”, është thënë në një komunikatë për media të kësaj ministrie.

Mediat serbe kanë bërë të ditur se janë mënjanuar transmetuesit “Telekom”, “Telenor” dhe “Vip”.

Në një komunikatë për shtyp, ART-ja ka sqaruar se "në bashkëpunim me agjencitë e zbatimit të ligjit, me qëllim të jetësimit të ligjeve në fuqi dhe krijimit të kushteve normale të operimit për operatorët e licensuar të telefonisë mobile, duke u bazuar në Ligjin e telekomunikacionit, ka ndërmarrë aksionin e ndalimit të veprimtarisë ilegale të operatorëve të palicencuar/paautorizuar, të cilët kanë të shtrirë rrjetin e tyre brenda territorit të Republikës së Kosovës".

Me këtë rast, ART-ja ka rikujtuar "ndërmarrjet, grupet ose individët, të cilët direkt ose indirekt janë të përfshirë në ushtrimin dhe ofrimin e shërbimeve telekomunikuese të palicencuara dhe të paautorizuara, se nuk do të tolerohen ta ushtrojnë aktivitetin e tyre dhe do të përballen me fuqinë e ligjit dhe rendit juridik të shtetit të Republikës së Kosovës".

Trego komentet

XS
SM
MD
LG