Ndërlidhjet

Gjenocid apo masakër: 95 vjet nga vrasjet masive


Jerevan, 24 prill 2010.
Jerevan, 24 prill 2010.

Armenia shënoi sot 95-vjetorin e vrasjes masive të armenëve nga forcat osmane, gjatë Luftës së Parë Botërore.

Kujtimi i viktimave vjen në kohën kur përpjekjet për pajtim me Turqinë kanë dështuar.

Mijëra njerëz me lule në duar kanë nderuar viktimat në memorialin e ngritur me këtë rast në Jerevan, kryeqytetin armen.

Presidenti armen, Serzh Sarkizian, ishte i pranishëm në homazhe.

Të enjten, Armenia pezulloi miratimin e paktit me Turqinë, pas kërkesës së Ankarasë se Armenia duhet të bëjë paqe me Azerbajxhanin fqinj, lidhur me mosmarrëveshjet rreth rajonit të Nagorni-Karabakut. Ky rajon, që zyrtarisht i takon Azerbajxhanit, konrollohet nga armenët etnikë, që kërkojnë shkëputje.

Disa orë pasi Armenia anuloi miratimin e traktatit të pajtimit me Turqinë, Azerbajxhani, një vend mysliman, aleat i Turqisë, kërcënoi se ushtria ishte e gatshme të qëllonte çdo lloj caku, në mënyrë që të rimerrte kontrollin ndaj Nagorni-Karabakut.

Sipas paktit të nënshkruar nga Turqia dhe Armenia, tetorin e kaluar, në Zvicër, të dyja vendet duhet të rivendosin marrëdhëniet diplomatike dhe t'i hapin pikat kufitare pas gati një shekulli armiqësi, për shkak të vrasjeve, që nga historianët armenë janë cilësuar gjenocid.

Turqia me vendosmëri e hedh poshtë përdorimin e termit gjenocid, duke theksuar se shumë më tepër ishin vrarë në atë kohë si pasojë e dhunës ndëretnike, në kohën që forcat ruse pushtuan lindjen e Anadollit. Bëhet fjalë për ngjarje të Luftës së Parë Botërore. Ankaraja hedh poshtë edhe pretendimin tjetër të Jerevanit, se rreth 1.5 milion armenë u vranë si pasojë e masakrave.

Qeveri dhe parlamente të vendeve të ndryshme, si Franca e Kanadaja, kanë pranuar se vrasjet e armenëve nga osmanët gjatë Luftës së Parë Botërore, ishin gjenocid. Shtetet e Bashkuara, deri tani, kanë qenë të kujdesshme në përdorimin e termit kundërthënës dhe armenët presin me interesim deklaratën e presidentit Obama me rastin e këtij përvjetori.

Në ceremonitë e zhvilluara në Jerevan shumë armenë shprehën pakënaqësinë e tyre që bota nuk e njeh gjenocidin osman ndaj tyre.

“Pranimi i gjenocidit armen asnjëherë nuk duhet të kthehet në element mosmarrëveshjeje mes shteteve. Gjenocidi është krim kundër gjithë njerëzimit e si i tillë duhet të jetë një problem për të gjithë”,
tha kreu i opozitës armene, Levon Zurabian.

Pavarësisht qëndrimit të vendosur të Turqisë zyrtare, një numër aktivistësh turq mbështesin përpjekjet e Armenisë, që Turqia ta pranojë gjenocidin osman ndaj armenëve gjatë Luftës së Parë Botërore.

Kishte nga ata aktivistë turq që gjatë ditës vizituan Jerevanin, për t'i nderuar viktimat. Rreth 100 të tjerë protestuan në Stamboll me parrulla ku shkruhej “Kurrë më”. Kjo ishte mbështetja e parë publike për viktimat armene të asaj masakre.

“Ne do të flasim rreth gjenocidit ndaj armenëve derisa të pranohet nga Turqia”
, tha për Radion Evropa e Lirë Ozlen Daltran, aktiviste turke e të drejtave të njeriut. (i.b.)
XS
SM
MD
LG