Ndërlidhjet

Ekspertët: Duhen plane për veriun


Mitrovicë
Mitrovicë

Ekspertët e sigurisë shprehin shqetësimin lidhur me ndikimet që mund t’i shkaktojë zbatimi i strategjisë për veriun në mesin e serbëve të kësaj pjese. Ata thonë se duhen plane për t’i parandaluar përkeqësimet e mundshme të situatës atje.



Shqetësimet e përfaqësuesve ndërkombëtarë në Kosovë, lidhur me mënyrat e zbatimit të strategjisë për integrimin e veriut të Kosovës dhe ndikimin eventual të këtij veprimi te banorët e asaj pjese të vendit, duket se ekzistojnë edhe në radhët e njohësve të çështjeve të sigurisë në Kosovë.

Ata thonë se fillimi i zbatimit të planit të Qeverisë së Kosovës dhe të Zyrës Civile Ndërkombëtare mund të sjellë pakënaqësi dhe përkeqësim të situatës së sigurisë në veri të vendit.

Andaj, ekspertët thonë se autoritetet përgjegjëse duhet të përgatisin plane të caktuara për të parandaluar situata të tilla.

Eksperti Ramë Arifaj thekson rëndësinë e atyre planeve:

Unë mendoj se serbët nuk do të pajtohen me strategjinë dhe do të ketë trazira e kërcënime, jo vetëm verbale, por edhe kërcënime të natyrës së ndryshme. Unë mendoj se para se të nisë zbatimi i kësaj strategjie, bartësit e institucioneve, njerëzit përgjegjës që janë për zbatimin e Kushtetutës së Kosovës, duhet të ulen dhe ta bëjnë një mini-strategji se si do të implementohet kjo strategji”, deklaron Arifaj.

Edhe drejtori i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, Ramadan Qehaja, thotë se me fillimin e zbatimit të strategjisë për veriun, mund të lindin probleme. Arsyeja kryesore që mund të shkaktojë pakënaqësi rreth zbatimit të dokumentit në fjalë, është refuzimi i banorëve serbë të veriut për të pranuar ndryshime të iniciuara nga mekanizmat shtetërorë të Kosovës.

“Kjo mund të ndodhë, sepse ata (serbët) janë të vendosur për me mjete dhe forca të caktuara, edhe protesta, ndoshta edhe të dhunshme, që kanë për qellim ta mbajnë situatën status quo, në momentin aktual, dhe të mos lejohet asnjë veprim, i cili ka të bëjë me rikthimin apo tentimin e fillimit të qasjes së Qeverisë së Kosovës në atë pjesë të territorit tonë”, thotë Qehaja.

Edhe pse misioni evropian për forcimin e sundimit të ligjit dhe ai i NATO-s në Kosovë ishin distancuar nga strategjia për veriun, Qehaja e quan të domosdoshëm koordinimin në mes të institucioneve të Kosovës dhe misioneve ndërkombëtare që veprojnë në vend.

“Një bashkërenditje duhet të ekzistojë në mes të Policisë së Kosovës, KFOR-it, Policisë së EULEX-it dhe subjekteve të tjera të sigurisë këtu në Kosovë, në mënyrë që, nëse gjërat nuk shkojnë sipas kësaj strategjie në planin politik, siç është e paraparë, atëherë ne si shtet duhet patjetër të marrim masa, që të fillojmë ta rikthejmë ndikimin tonë në atë pjesë të territorit, sepse që 11 vjet nuk e kemi atë ndikim atje. Nëse kjo situatë vazhdohet kësisoj, atëherë ne do të jemi një shtet jofunksional”, thotë Qehaja.

Megjithatë, eksperti Ramë Arifaj konsideron se për fillimin e zbatimit të strategjisë, duhet të qartësohen punët dhe përgjegjësitë se si të veprohet, si nga ana e autoriteteve vendore, ashtu edhe e atyre ndërkombëtare. Në të kundërtën, sipas Arifajt, problemet do të jenë evidente.

“Përgjegjësit kryesorë (institucionet vendore) dhe ndërkombëtare, të cilat e kanë përpiluar strategjinë, ta bëjnë një plan bashkërisht. Nëse nuk do të kemi plan të përbashkët, ku do të dihet kush për çka është përgjegjës apo, më mirë të them, të ndahen detyrat... sepse nëse nuk saktësohet përgjegjësia e KFOR-it, përgjegjësia e Policisë së Kosovës, përgjegjësia e institucioneve të Kosovës, përgjegjësia politike, do të ketë problem. E nëse kjo realizohet, probleme prapë do të këtë, por do të jenë të natyrës më ndryshe”, shprehet Arifaj.

Përfaqësues të Kombeve të Bashkuara në Kosovë kanë shprehur shqetësimin e tyre në lidhje me metodat që institucionet e Kosovës duan t’i aplikojnë për ta integruar pjesën veriore të Kosovës në sistemin kosovar. Strategjia për veriun e Kosovës, sipas UNMIK-ut, është e politizuar.
XS
SM
MD
LG