Ndërlidhjet

Nisi ndërtimi i autostradës Morinë-Merdare


Me ndërtimin e autostradës Morinë-Merdare mundësohet lidhja e Kosovës me shtetin shqiptar, por edhe bashkëpunimi rajonal dhe integrimi evropian, kanë vlerësuar zyrtarë të Kosovës dhe të Shqipërisë.



Me shtypjen e një butoni për shpërthimin simbolik të një sasie të eksplozivit nga ana e kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, homologut të tij shqiptar, Sali Berisha, presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu, dhe kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, nisi zyrtarisht procesi i ndërtimit të autostradës Morinë-Merdare.

Mijëra qytetarë nga e gjithë Kosova ishin mbledhur në Prizren, qytetin më të afërt me pikën kufitare në Vërmicë, për të përcjellë ceremoninë festive, të organizuar me rastin e nisjes së punimeve në autostradën Morinë-Merdare, për ndërtimin e së cilës do të jetë përgjegjës konzorciumi amerikano-turk “Bechtel & Enka”.

Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, tha se autostrada do t’i përmirësojë lidhjet ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë dhe popujve të të dyja vendeve.

“Duke e shtrirë autostradën përmes Kosovës, ne do t’u japim mundësi qytetarëve të vendit tonë, por edhe të gjitha vendeve të tjera të rajonit, që më lehtë të prekin bregdetin e bukur të Adriatikut dhe të Jonit shqiptar. Anasjelltas, kjo udhë do t’ua bëjë edhe më të afërt fizikisht qytetarëve të Shqipërisë, Prizrenin, Gjakovën, Pejën, Therandën, Ferizajn, Prishtinën, Podujevën dhe gjithë Kosovën”
, tha presidenti Sejdiu.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, theksoi se pas lirisë dhe pavarësisë së Kosovës dhe pas hyrjes së Shqipërisë në NATO, kjo ngjarje është një moment i rëndësishëm historik.

“Prandaj, 25 prilli i vitit 2010 do të jetë data e shënuar në historinë e Kosovës dhe Qeverisë së parë të pavarësisë së saj”
, u shpreh kryeparlamentari Krasniqi.

Vendimi i Qeverisë së Kosovës për ndërtimin e autostradës, sipas kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, është një vendim, siç e quajti ai, madhor për paqen, stabilitetin dhe bashkëpunimin rajonal.

“Korridori i kombit i hap Tiranës rrugën më të shkurtër drejt rajonit dhe Evropës qendrore, por ky korridor është gjithashtu një përpjekje e madhe e shqiptarëve për të ndërtuar idealin e tyre evropian”, tha kryeministri Berisha.

Ndërtimi i rrugës së ashtuquajtur të integrimit pritet të ndërtohet gjatë tre vjetëve të ardhshëm dhe vlerësohet se do të kushtojë rreth 700 milionë euro.

Gjatë kësaj periudhe kohore, sipas autoriteteve në Kosovë, do të punësohen rreth katër mijë punëtorë vendës në ndërtimin e autostradës Vërmicë-Merdare.

Dyzet për qind të punimeve të drejtpërdrejta në trasenë e rrugës thuhet se do t’i kryejnë kompanitë vendore.

Kreu i ekzekutivit kosovar, Hashim Thaçi, shprehu bindjen se përfitimet ekonomike të Kosovës do të jenë të mëdha pas përfundimit të projektit të ndërtimit të autostradës.

“Po e hapim kapitullin e historisë së re të Kosovës - epokën e fuqizimit të zhvillimit ekonomik të Republikës së Kosovës. Sot, historia dhe e ardhmja e Kosovës dhe e qytetarëve të Kosovës bëhen një”, tha kryeministri Thaçi.

Rëndësinë e autostradës për tërheqjen e investimeve të huaja në Kosovë e theksoi ministri i Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit të Kosovës, Fatmir Limaj.

“Me ndërtimin e kësaj autostrade, Kosova do të bëhet më tërheqëse për investitorët e huaj; do të na ofrohet dalja në det, nga do të qarkullojnë mallrat dhe njerëzit nga Kosova në Evropë dhe nga Evropa në Kosovë”, tha ministri Limaj.

Në ceremoninë festive me rastin e fillimit të punimeve në autostradën Morinë-Merdare morën pjesë dhe një delegacion nga Tirana zyrtare, deputetë të Kuvendit të Kosovës, ministra dhe zyrtarë të tjerë shtetërorë, përfaqësues të partive politike, përfaqësues të komunave dhe ata të institucioneve ndërkombëtare në Kosovë.

Nisja e punimeve në autostradë nga kompania amerikano-turke, u cilësua si një moment i rëndësishëm edhe nga përfaqësuesi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe ai i Turqisë në Kosovë.

Ambasadori amerikan, Kristofer Dell, tha se zbatimi i projektit për ndërtimin e autostradës shënon një, siç e quajti ai, fazë të re të pjekurisë së shtetit të Kosovës dhe të ushtrimit të pavarësisë së saj.

Ndërkaq, ambasadori i Turqisë në Kosovë, Metin Hysret Ynler, tha se autostrada Morinë-Merdare do t’i mundësojë Kosovës qasje në Detin Adriatik, por edhe në tregjet botërore.
XS
SM
MD
LG