Ndërlidhjet

Serbët kërkojnë kthimin e operatorëve të Serbisë


Serbët e Graçanicës kanë protestuar, duke kërkuar kthimin në funksion të operatorëve të telefonisë mobile serbe. Mirëpo, Autoriteti Rregullativ i Telekomunikacionit ka konfirmuar se heqja e antenave ka përfshirë vetëm operatorët ilegalë të telefonisë mobile nga Serbia, që shfrytëzonin në mënyrë të paligjshme territorin e Kosovës.



Heqja e antenave të operatorëve ilegalë të telefonisë mobile serbe, që ka pamundësuar funksionimin e tyre në pjesën më të madhe të Kosovës, ka nxitur protesta të serbëve lokalë në Graçanicë.

Masa e serbëve të tubuar ka shëtitur qetë rrugës kryesore që kalon në komunën e re të Graçanicës, duke kërkuar kthimin në funksion të operatorëve të telefonisë mobile serbe.

Rada Trajkoviq, nga Këshilli Nacional Serb, tha se me këto veprime, autoritetet e Kosovës po synojnë destabilizimin dhe izolimin e komunitetit serb.

“Askush nuk ka të drejtë që në këtë mënyrë të luajë me jetët dhe ekzistencën e njerëzve, nga të cilët thuhet se po kërkohet që të bëhen pjesë konstruktive e një shoqërie shumetnike”, tha Trajkoviq.

Ajo është edhe drejtoreshë e Shtëpisë së Shëndetit dhe, sipas saj, në mungesë të telefonave, serbët nuk kanë mundur këto ditë të thërrasin as ndihmën e shpejtë për intervenime emergjente.

Organizatorët thanë se protestat do të vazhdojnë edhe gjatë ditëve të ardhshme, deri në kthimin në funksion të operatorëve të telefonisë mobile serbe. Ndërsa po zhvillohej protesta, magjistralja Prishtinë-Gjilan ka qenë jashtë funksionit.

Gjatë kohës së protestës, hyrje-daljet në qytezën e Graçanicës janë siguruar nga forcat e KFOR-it dhe Policia e Kosovës.

Në anën tjetër, Autoriteti Rregullativ i Telekomunikacionit konfirmoi eliminimin e 28 stacioneve të operatorëve ilegalë të telefonisë mobile të Serbisë, që veprojnë në Kosovë.

Nga këto 28 stacione, 26 prej tyre tashmë janë eliminuar tërësisht, tha drejtori i ART-së, Ekrem Hoxha.

Sipas tij, pas heqjes së antenave, në pjesën më të madhe të Kosovës nuk ka më sinjal nga këta operatorë nga Serbia.

“Puna nuk është përfunduar deri në detaje, por efekti është arritur. ART-ja menjëherë do t’i realizojë matjet në nivel të Republikës, për të konstatuar efektin apo matjet konkrete, se si ka ndikuar kjo në tregun e shërbimeve të telefonisë mobile, për të konstatuar se sinjali është i eliminuar apo ka një dobësi shumë të ulët, domethënë, nuk mund të realizohen thirrjet”,
tha Hoxha.

Operacioni nuk ka përfshirë edhe pjesën veriore të Kosovës. Atje, serbët e revoltuar kanë dëmtuar antenat e operatorëve legalë, si Ipko dhe Vala.

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës, Kadri Arifi, tha se policia do të jetë në mbështetje të ART-së nëse vendoset heqja e antenave edhe në veri, si dhe do të angazhohet që stacionet e operatorëve legalë të sigurohen.

“Sa i përket sigurisë së infrastrukturës fizike të operatorëve legalë, ne i kemi ndërmarrë disa masa për sigurimin e tyre - aty ku ne kemi pasur informacion se mund të jenë cak i ndonjë aktiviteti kriminal - kështu që ne vazhdojmë me punën tonë”
, tha Arifi.

Ndërkaq, duke iu përgjigjur disa kërcënimeve që vijnë nga Beogradi për pengesat që Serbia mund t’ia bëjë Kosovës në shfrytëzimin e internetit apo edhe bllokimin e prefiksit ndërkombëtar 381, zyrtarët e ART-së thanë se për internetin, operatorët në Kosovë kanë edhe lidhje alternative.

Kurse, për prefiksin 381, kryeshefi ekzekutiv i Postës dhe Telekomunikacionit të Kosovës, Shyqyri Haxha, tha se ky është një rast që tregon se Kosova duhet ta ketë kodin e vet ndërkombëtar shtetëror, të cilin e ka kërkuar me vite.

“Ka kohë të gjatë që kemi kërkuar nga ITU-ja (Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikacionit) që të na ndihmojë. Ndoshta ky kërcënim lidhur me kodin mund të merret shumë serioz dhe institucionet ndërkombëtare mund të ndërhyjnë këtu e t’ia japin kodin Kosovës dhe të mos varemi e kërcënohemi më, sikurse që po kërcënohemi tash nga organet serbe”, tha Haxha.

Ndryshe, një ditë pas largimit të disa antenave të operatorëve ilegalë, në përpjekje të largimit të serbëve nga operatorët ilegalë, PTK-ja ka marrë vendim që të shpërndajë falas SIM kartela-Vala për banorët e enklavave serbe në Kosovë.



“Hakmarrja” e serbëve në veri


Hedhja në erë me eksploziv e një stacioni bazë të operatorit legal të telefonisë Ipko në Rudar të Zveçanit dhe nxjerrja nga funksioni i disa antenave të këtij operatori dhe operatorit Vala në veri të Kosovës dhe në Shtërpcë, janë produkt i zemërimit të serbëve, thonë politikanët serbë të Kosovës.

Ata vlerësojnë se e gjithë kjo ka ndodhur për shkak të shkyçjes së operatorëve të telefonive Telekom dhe Telenor në Kosovën qendrore, operatorë këta të Serbisë, të cilët nga Autoriteti Rregullator i Telekomunikacionit të Kosovës vlerësohen si ilegalë.

Marko Jakshiq, politikan serb nga veriu i Kosovës, e quan të gabuar veprimin e Autoritetit Rregullator të Telekomunikacionit, që, sipas tij, ka nxitur revoltën e serbëve në veri të Kosovës.

“Kjo që ka ndodhur ose po ndodh në veriun e Kosovës, me siguri është një reaksion apo produkt i tërbimit ose zemërimit të njerëzve, të cilët nuk mund t’i kontaktojnë familjarët e tyre në pjesën tjetër të Kosovës. Shpjegimi im për këtë është se një veprim i gabuar, gjithmonë provokon dhe nxit një veprim tjetër të gabuar”, thotë Jakshiq.

Ai shton se aplikimi i dhunës nga cilado anë është i gabueshëm. Në këtë drejtim, Jakshiq kritikon veprimin e Autoritetit Rregullator të Telekomunikacionit apo, siç thotë ai, të institucioneve të Kosovës, por edhe veprimet e serbëve me eksploziv ndaj antenave të operatorëve Ipko dhe Vala.

Edhe Dragan Veliq, politikan serb nga Kosova qendrore, vlerëson se ngjarjet në veri të Kosovës, lidhur me antenat e telefonisë, janë nxitur, siç thotë ai, nga institucionet e Kosovës.

“Pikërisht kjo që po ndodh në veri, është një gjest ose aktivitet, i cili është rezultat i aktiviteteve që ndodhën dy ditë më parë, në kuptimin e shkyçjes së rrjeteve 063 dhe 064. Me siguri se është e palejueshme heqja e pajisjeve dhe prerja e lidhjeve. Ndërkaq, kjo që ka ndodhur në veri, me siguri është rezultat i revoltës. Natyrisht, unë nuk i arsyetoj veprimet e asnjërës palë”, thotë Veliq, për të shtuar se veprimet e tilla nuk i shërbejnë normalizimit dhe stabilizimit të situatës.

Ndryshe, të dy këta politikanë serbë, pavarësisht se nuk i miratojnë mënyrat e “hakmarrjes” së serbëve ndaj transmetuesve të telefonisë Vala dhe Ipko, thonë se përgjegjësinë për të gjitha pasojat që mund të rezultojnë, duhet ta bartin institucionet e Kosovës.

Jakshiq thotë se Qeveria e Kosovës duhet të angazhohet në këtë drejtim.

“Personalisht, mendoj dhe supozoj se Qeveria e Kosovës do t’i kthejë gjërat në gjendjen e mëparshme dhe se serbët, të cilët janë në numër mjaft të madh, në gjithë Kosovën do ta kenë rrjetin e tyre të komunikimit”.

“Kjo duhet të ndodhë edhe për arsye humanitare, të sigurisë dhe të tjera. Nuk duhet harruar që e gjithë kjo ndikon në jetën e përditshme. Për këtë arsye, mendoj se Qeveria e Kosovës duhet ta tërheqë vendimin e saj dhe thjesht t’u mundësojë serbëve që të jetojnë normalisht dhe denjësisht”,
thotë Jakshiq.

Ngjashëm shprehet edhe Veliq:

“Thjesht, përgjegjësinë kryesore duhet ta marrin dhe ta bartin ata që kanë marrë mbi vete realizimin e këtij procesi, që nënkupton shkyçjen si dhe rrezikimin e sigurisë së serbëve në Kosovë”.
XS
SM
MD
LG