Ndërlidhjet

logo-print

Mungesa e kuadrit dhe përvoja e punës së gjyqtarëve dhe prokurorëve thuhet të jenë sfida, me të cilat po përballet Këshilli Gjyqësor i Kosovës për riemërimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Kryesuesi i këtij këshilli, Enver Peci, thotë se janë edhe faktorë të tjerë, të cilët po ashtu ndikojnë në ngadalësimin e reformimit të sistemit të drejtësisë në vend.

“Është fakt se nga fillimi i procesit të riemërimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, ka munguar në një aspekt kualiteti i gjyqtarëve. Përvoja, motivimi po pengojnë shumë në reformimin dhe krijimin e zgjedhjes së gjyqtarëve dhe prokurorëve të rinj”.

“Sikur të veprohej më herët me Ligjin për gjykatat, që e rregullon këtë çështje dhe të pagave, atëherë me siguri që do të kishim edhe numër, edhe kualitet më të madh të konkurrentëve për gjyqtarë dhe prokurorë”
, thotë Peci.

Edhe avokati Tomë Gashi, i cili është edhe këshilltar ligjor i kryeministrit të Kosovës, konsideron se mungesa e numrit të kandidatëve për prokurorë dhe gjyqtarë ka bërë që të ketë vonesa në procesin e riemërimit.

Gashi mendon se njëri nga kriteret e kërkuara, ku një kandidat duhet të ketë të paktën 12 vjet përvojë pune për postin e një gjyqtari, është, siç e quan ai, joreal.

“Nuk është zgjedhur numri adekuat i gjyqtarëve të Gjykatës Supreme të Kosovës, nuk janë zënë të gjitha vendet... ende janë të zbrazëta në Prokurorinë e Shtetit. Arsyetimi ka qenë se nuk ka pasur kandidatë të mjaftueshëm që kanë konkurruar për këto pozita”.

“Kjo është një hendikep, për shkak se është kërkuar që për këto dy pozita për Prokurorinë e Shtetit dhe për Gjykatën Supreme të Kosovës, personi që konkurron, përveç tjerash, t’i ketë 12 vjet përvojë pune në judikaturë. Kjo është e pamundur për personat e rinj
”, thotë Gashi.

Por, zoti Peci, megjithatë, konsideron se kriteri që një gjyqtar të ketë përvojë pune më shumë se 10 vjet, është i arsyeshëm.

“Është fakt se, për shembull, për Gjykatën Supreme kërkohen 12 vjet përvojë pune. Personalisht, nuk mendoj se është e gjatë, sepse Gjykata Supreme është kulmi i drejtësisë, kulmi i sistemit gjyqësor dhe aty përfundojnë të gjitha çështjet. Kështu që me të vërtetë duhet një kualitet shumë i mirë për të punuar në atë nivel”, thekson Peci, për të shtuar se, sa i përket riemërimit të gjyqtarëve, janë duke u bërë punë intensive për përzgjedhjen e kandidatëve të fazës së dytë të riemërimit.

“Është një hetim i gjithanshëm, një verifikim i integritetit personal, moral e profesional të të gjithë bartësve të funksionit të gjyqësorit. Mendoj se komisioni është duke e bërë një punë të madhe në këtë drejtim dhe është real në kuptimin e vlerësimit”
, thotë Peci.

Deri më tash janë riemëruar 22 gjyqtarë dhe prokurorë të Gjykatës Supreme, Prokurorisë së Shtetit dhe Prokurorisë Speciale.

Përzgjedhja e prokurorëve dhe gjyqtarëve të rinj është kërkuar disa herë, për shkak se, siç është thënë edhe në raporte të ndryshme ndërkombëtare dhe vendore, sektori i drejtësisë është joefikas.

Tomë Gashi, procesin e deritanishëm të përzgjedhjes së gjyqtarëve dhe prokurorëve e konsideron si të drejtë, pasi që, siç thotë ai, nuk ka pasur ndikim politik.

“Unë mendoj se procesi ka shkuar relativisht në mënyrë të drejtë, për shkak se, formalisht të paktën, nuk ka pasur ndikime politike, sepse këtë nuk e kanë lejuar ndërkombëtarët”, thotë Gashi.

Por, megjithatë, ai vlerëson se me përfundimin e procesit të riemërimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, i cili ka filluar vitin e kaluar, nuk do të përfundojnë të gjitha problemet në drejtësinë kosovare. Riemërimi, sipas Gashit, është një fillim i ri i tentimit për zgjidhjen e problemeve në drejtësi.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG