Ndërlidhjet

logo-print

Kosova rrezikon t’i humbë donacionet, për shkak të mosrespektimit të rekomandimeve të Fondit Monetar Ndërkombëtar, vlerësojnë ekspertët për çështje të ekonomisë.



Qeveria e Kosovës nuk i ka realizuar reformat e kërkuara nga Fondi Monetar Ndërkombëtar e nga Komisioni Evropian dhe kjo e vë Kosovën në pozicion që të rrezikojë marrjen e donacioneve të premtuara, vlerësojnë ekspertë të çështjeve të ekonomisë. Ata thonë se Kosova rrezikon t’i humbasë donacionet prej rreth 200 milionë eurosh.

Berat Rukiqi, nga Oda Ekonomike e Kosovës, thotë se mosrealizimi i kërkesave të Fondit Monetar Ndërkombëtar, që Kosova ta reformojë administratën publike, të ketë një disiplinim fiskal, mund të sjellë konsekuenca.

“Këtu ka edhe konsekuenca të tjera që lidhen kryesisht me stërngarkimin e administratës publike, pastaj me rritjen e pagave, që nuk është në hap me atë që kërkohet nga Fondi Monetar Ndërkombëtar. E gjitha kjo shkakton telashe, për shkak se dihet që FMN ka politika mjaft restriktive dhe është mjaft konservativ”.

“Në të njëjtën kohë, ai është një kërkues i vazhdueshëm i reformave, sidomos në administratën publike, e që në rastin e Kosovës është e stërngarkuar dhe jo e përgatitur aq sa duhet për të absorbuar fonde. Nëse këto reforma nuk ndërmerren, atëherë, normalisht, këto mjete nuk do të ndahen”
, thotë Rukiqi.

Ndërkaq, Lumir Abdixhiku, nga Instituti Riinvest, thotë se Fondi Monetar Ndërkombëtar i ka kërkuar Qeverisë së Kosovës ndërprerjen e zgjidhjeve, siç i quan ai, ‘ad hok’. Ai përmend rastet, si rritja e pagave në disa sektorë publikë, pa rigjeneruar burime të caktuara, dhe, në anën tjetër, investimet kapitale, të cilat, sipas tij, nuk kanë pasur planifikim për gjenerimin e të hyrave.

Abdixhiku thotë se Kosova duhet t’i respektojë rregullat e institucioneve financiare, në të cilat është anëtarësuar.

“Në qoftë se ne nuk i respektojmë këto rregulla, këto institucione financiare do të marrin masa. Masat e para janë ndërprerjet e donacioneve, qoftë nga Fondi Monetar, qoftë nga Banka Botërore apo nga vendet tjera - donacione që i janë premtuar Kosovës”.

“Tërheqja do të bëhet me një logjikë shumë të shëndoshë dhe të thjeshtë, sepse asnjë vend nuk dëshiron që paratë e tij, si formë e donacionit, t’i jepen një vendi, i cili nuk ka vizion të qartë për menaxhimin financiar. Faza e parë është rreth 170 - 200 milionë euro, donacione nga këto institucione dhe nga këto vende që i kanë bërë këto premtime në Konferencën e Donatorëve. Kjo është humbja e parë”
, thekson Abdixhiku.

Sipas tij, institucionet financiare ndërkombëtare duan të ndërtojnë një strukturë të komunikimit të mirëfilltë me Qeverinë e Kosovës, në mënyrë që në të ardhmen të mos përsëriten gabimet.

Ndryshe, këta ekspertë të çështjeve ekonomike thonë se për ta gjetur Kosova shtegdaljen nga pozita në të cilën gjendet përballë institucioneve financiare ndërkombëtare, nevojitet vullneti politik.

Rukiqi thekson se Qeveria e Kosovës duhet të ndërmarrë hapa, siç i quan ai, të guximshëm.

“Në rastin e reformës së administratës publike duhen hapa të guximshëm nga Qeveria, që nënkupton edhe hapa të dhimbshëm, duke pasur parasysh që një pjesë e njerëzve ndoshta duhet të largohen nga puna. Duhet të ketë definim të qartë, ngritje të kapaciteteve të administratës, që projektet publike, shpenzimin e mjeteve publike ta bëjnë në mënyrë më efikase”.

“Duhet të ketë disiplinë, duhet të ketë planifikim dhe duhet të ketë efikasitet në shpenzimin e këtyre mjeteve. Është çështje e vullnetit politik dhe në raste të caktuara edhe e neglizhencës institucionale”,
shprehet Rukiqi.

Në anën tjetër, Abdixhiku vlerëson se Qeveria e Kosovës do ta ketë të vështirë të gjejë një zgjidhje, duke pasur parasysh faktin se, siç thotë ai, deri më tash nuk ka bërë planifikime të mirëfillta të gjenerimit të të hyrave, ndërkohë që ka iniciuar projekte madhore, siç është edhe autostrada Vërmicë-Merdare.

“Projekti i autostradës, për shembull, është një prej sfidave kryesore të Qeverisë së Kosovës, se si do të arsyetohen të hyrat e autostradës. Janë përmendur 700 milionë euro, janë përmendur edhe 1 miliard euro. Institucionet financiare, thjesht, duan ta dinë se prej nga do të vijnë këto para për t’i mbuluar këto investime kapitale”.

“Institucionet financiare dhe të gjitha institucionet ndërkombëtare që kanë vepruar në vend, vazhdimisht kanë kërkuar që administrata publike të zvogëlohet, meqenëse është e tepërt në numër. Shpeshherë, institucionet qeveritare janë quajtur si një strehimore sociale”,
thotë Abdixhiku.

Sipas Abdixhikut, nga kjo situatë mund të dilet nëse respektohen rekomandimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe përmbushen kërkesat e këtij institucioni. Por, Rukiqi shprehet skeptik, sepse, sipas tij, lidhur me këtë çështje kërkohet vullneti politik, ndërsa, siç thotë ai, jo rrallë në Kosovë është dëshmuar se politikat varen nga interesat ditore të politikës.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG