Ndërlidhjet

Hungari: Partia Fidesz fiton dy të tretat e Parlamentit


Kryetari i partisë Fidesz, Viktor Orban. Budapest, 26 prill 2010.
Kryetari i partisë Fidesz, Viktor Orban. Budapest, 26 prill 2010.

Kryeministri i zgjedhur hungarez, Viktor Orban, ka premtuar të rindërtojë ekonomikisht Hungarinë, pas raundit të dytë të votimit në zgjedhjet parlamentare, në të cilat grupi i Fidesz fitoi dy të tretat.

Orban u ka thënë mijëra mbështetësve të tij se Fidesz do ta rindërtojë vendin që u prek nga recesioni dhe do ta bëjë atë më të fortë.

Fidesz ka rrëzuar një qeveri jopopullore socialiste, por i duhet të ketë rezultate të shpejta, që t’i përmbushë shpresat e elektoratit të tij tashmë të lodhur.

Kryeministri i sapozgjedhur hungarez, Viktor Orban, u ka thënë qytetarëve të tij se ata kanë kryer një revolucion në kutitë e votimit, duke përdorur mjete demokratike, me qëllim që t’i jepet vendit një fillim i ri nga depresioni ekonomik, në të cilin ndodhet.

Orban ka folur para mijëra mbështetësve që duartrokisnin, në mbrëmjen e së dielës në Budapest, pas fitores së jashtëzakonshme me dy të tretat e mazhorancës në Parlament.

"Një revolucion ka ndodhur sot në kabinat e votimit”, ka thënë para mbështetësve të tij Orban.

Ai, në fjalimin e tij, e ka akuzuar kryeministrin e socialistëve, Gordon Bajnai, për mosmenaxhim të ekonomisë dhe të politikës dhe për korrupsion.

"Populli hungarez sot ka rrëzuar regjimin e oligarkëve, të cilët keqpërdorën pushtetin e tyre, dhe njerëzit kanë vendosur një regjim të ri, një regjim të bashkimit kombëtar”, ka thënë Orban.

Shifrat zyrtare paraprake tregojnë se Fidesz ka fituar 263 vende, 5 herë më shumë sesa është e nevojshme për dy të tretat e mazhorancës në Kuvend.

Socialistët gati u asgjësuan, duke humbur më shumë se dy të tretat e vendeve dhe për të përfunduar vetëm me 59 vende në Kuvend. E treta me 47 vende ishte partia e ekstremit të djathë, Xhobik.

Orban ka premtuar të rivendosë prosperitetin në vend, që ishte afër kolapsit financiar dhe i duhej të pranonte 20 miliardë euro ndihmë nga Bashkimi Evropian dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar në 2008-ën.

Ekonomia u tkurr me 6.7 për qind vitin e kaluar, duke “i çuar hungarezët shumë” në dëshpërim.

Kryeministri i sapozgjedhur, Orban, ka premtuar të krijojë 1 milion vende pune gjatë 10 vjetëve të ardhshëm, t’i heqë taksat dhe burokracinë dhe t’ia lehtësojë diasporës hungareze për të marrë nënshtetësinë hungareze.

Mbështetësit e partisë Fidesz.
Maria Holecka, një votuese e moshuar, ka shprehur dëshirën e saj që për vendin të bëhet diçka e mirë, dy dekada pas rënies së komunizmit.

"Unë, thjesht, dua një të ardhme më të mirë për nipërit dhe mbesat. Nuk ka rëndësi nëse vendin e drejton Fidesz apo partia socialiste apo ndonjë parti tjetër”, ka thënë Maria.

Analistët, megjithatë, thonë se Orban ka pak kohë në dispozicion për të bërë përmirësime, përpara se elektorati i tij ta humbë durimin.

Dhe, ata thonë se nuk do të jetë e lehtë, derisa Budapesti është angazhuar me një program të vazhdueshëm kursimi, si kusht për marrjen e ndihmës nga BE-ja dhe FMN-ja.

Fidesz pritet të kontaktojë me huadhënësit që të lejojë rritjen e buxhetit nga kufiri i rreptë 3.8 për qind, në mbi 6 për qind, në mënyrë që të nisë riorganizimi i ekonomisë.

Por, analistët shqetësohen se realiteti do të jetë i vështirë.

Sandor Rishter, specialist në Institutin Ndërkombëtar të Studimeve Ekonomike, ka thënë për Reuters se popullariteti i partisë Fidesz është i bazuar në “pritjet e mëdha iluzionare”.

Analistët gjithashtu vënë në dukje se herën e fundit kur Orban dhe Fidesz ishin në pushtet, 1998-2002, cilësia e tyre e vendimmarrjes nuk ishte më e mençur se ajo e partive të tjera. (a.ç.)
XS
SM
MD
LG