Ndërlidhjet

Debatet për emrin


Shkup
Shkup

Një ditë pas deklaratës së kryeministrit Nikolla Gruevski, se është kundër propozim- emrit Maqedonia Veriore, kanë reaguar partitë politike shqiptare dhe faktori ndërkombëtar, duke e cilësuar atë si dezinkurajues për zgjidhjen e kontestit të emrit me Greqinë.



Deklarata e kryeministrit të Maqedonisë, Nikolla Gruevski, se është kundër propozim-emrit Maqedonia Veriore, për ambasadorin e Bashkimit Evropian në Shkup, Ervan Fuere, është dhe një dëshmi për nevojën urgjente për bisedime bilaterale mes dy vendeve fqinje.

“Me këtë shprehet rëndësia kruciale për marrëveshje bilaterale mes dy palëve, që të arrihet zgjidhje rreth kontestit të emrit mes Greqisë dhe Maqedonisë. Por, me deklarata publike, zgjidhja nuk mund të arrihet, sepse një situatë e tillë mund të shkaktojë keqkuptime”
, theksoi ambasadori Fuere, sipas të cilit “afati është shumë i shkurtër deri në fund të qershorit që të arrihet kompromis lidhur me kontestin e emrit".

Ndërkohë që dy partitë politike maqedonase sot kanë parapëlqyer të heshtin, blloku politik shqiptar vlerësoi se kryeministri Gruevski me këtë deklaratë dezinkurajon faktorin ndërkombëtar, që drejtpërdrejt ndihmon në zgjidhjen e kontestit.

“Konsideroj se është deklaratë e përshpejtuar, aq më tepër kur në këtë moment janë dhënë më shumë shpresa, sa i përket këtij procesi bisedues, dhe aq më tepër kur është më se e qartë se cilat janë propozimet e ndërmjetësuesit Nimic, njëherësh kur edhe presidenca spanjolle, përmes shefit të diplomacisë në Shkup, u shpreh tejet optimiste për zgjidhjen e kontestit të emrit me Greqinë”, tha nënkryetarja e Bashkimit Demokratik për Integrim, Teuta Arifi.

Ajo nënvizoi se një qaje e tillë e kryeministrit vë në pikëpyetje prezencën e BDI-së në Qeveri.

“Personalisht, mendoj se qëndrimi i partisë gjatë kohë në Qeveri, në qoftë se me të vërtetë nuk lëvizet asgjë që ka të bëjë me zhbllokimin e proceseve euroatlantike, faktikisht nuk është i logjikshëm. Pra, e them nëse ai proces nuk zhbllokohet”, tha Arifi.

Ndërkaq, deputeti i Demokracisë së Re, Sulejman Rushiti, vlerësoi se me këtë qëndrim, kryeministri Gruevski e çon Maqedoninë në izolim total.

“Ne vlerësojmë se absolutisht nuk ka nevojë e as kohë Republika e Maqedonisë që të merret me zvarritje, ngase çdo zvarritje është në dëm të Maqedonisë dhe jo në dëm të Greqisë. Maqedonia duhet ta vazhdojë procesin e negociatave të drejtpërdrejta dhe sigurisht të arrihet kompromisi”,
tha Rushiti.

Ndryshe, kryeministri Nikolla Gruevski, mbrëmë, ka përsëritur faktin se referendumi do të jetë i pashmangshëm lidhur me çështjen e emrit. Qëndrimi i tij i shprehur është se ai do të japë përgjigje negative në rast se do të organizohej referendum për propozimin Republika e Maqedonisë Veriore.

"Qeveria ka qëndrim dhe ne në programin tonë kemi qëndrimin tonë. Por, në pyetjen tuaj konkrete, nëse në referendum shtrohet në pyetje Republika e Maqedonisë Veriore për përdorim të përgjithshëm, unë do të kisha votuar kundër”, ka theksuar Gruevski.
XS
SM
MD
LG