Ndërlidhjet


“Foreign Affairs”

Shkruan: Nikolas K. Gvosdev, profesor i Studimeve Kombëtare mbi Sigurinë në “U.S. Naval War College”.


Kur Kosova shpalli pavarësinë në shkurt të 2008-ës, mbështetësit e këtij hapi supozuan se pranimi i statusit final të Kosovës nga ana e Serbisë, nuk është absolutisht i domosdoshëm. Shtetet e Bashkuara dhe shumë vende në Evropë shpresuan në njohjen e shpejtë të Kosovës.

Qeveritë mbështetëse menduan se Kosova, në këtë mënyrë, do të kishte qasje në investime dhe se veriu i saj, pjesët e banuara me serbë përgjithësisht, do të donin të merrnin pjesë në lulëzimin ekonomik të pas-pavarësisë. Për fat të keq, gjërat nuk ecën sipas këtij plani.
Nikolas Gvosdev


Edhe pse Shtetet e Bashkuara dhe shumica e vendeve evropiane e kanë njohur shtetin e ri, disa vende anëtare të Bashkimit Evropian – sikurse Spanja – nuk e kanë bërë këtë, nga frika se mund të vendosin një precedent të dëmshëm, që do ta dobësonte doktrinën e integritetit territorial.

Një pjesë e madhe e fuqive botërore gjithashtu kanë refuzuar ta njohin pavarësinë e Kosovës, përfshirë këtu Brazilin, Kinën dhe Indinë.


Edhe pse strategët amerikanë kanë parashikuar se bota islame do ta përqafonte shtetin e ri mysliman, pothuajse asnjë anëtar i Organizatës së Konferencës Islamike nuk e ka njohur Kosovën.

Madje, edhe shtetet që gëzojnë patronazhin e Shteteve të Bashkuara, sikurse Gjeorgjia dhe Iraku, nuk kanë pranuar ta mbështesin Uashingtonin duke e njohur Kosovën, duke qenë se të dyja përballen me probleme të veta separatiste.

Siç ka thënë edhe zëvendëssekretari amerikan i shtetit, Filip Gordon, Kosova vuan nga “papunësia e lartë, investime të dobëta dhe nga një bazë relativisht e vogël ekonomike”. Qeveria në Prishtinë ka nevojë për ndihmën perëndimore që të përballet me shpenzimet e veta.

Ndërkohë, Kosova vazhdon të mbetet një qendër rajonale për substanca narkotike, armatim, trafikim qeniesh njerëzore dhe me një korrupsion që pengon në masë të madhe investimet e huaja.

Fillimisht, shumëkush ka shpresuar se prosperiteti i Kosovës do t’i nxiste ata që jetojnë në veriun me shumicë serbe dhe banorët e enklavave në jug, që të pajtohen me realitetin e pavarësisë së Kosovës. Por, ekonomia e dobët e ka lënë të papërmbushur këtë zotim.

Për t’i bërë gjërat edhe më të rrezikshme, me gjithë supozimet e mbështetësve të shumtë të pavarësisë, Beogradi gjithashtu nuk e ka pajtuar veten me këtë akt të kryer. Madje, ai ka vendosur ta sfidojë ligjshmërinë e deklaratës së pavarësisë, duke argumentuar se sistemi ndërkombëtar i ligjit është komprometuar, kur statusi i Kosovës ka ndryshuar pa pajtueshmërinë e të dyja palëve.


Preteksti për bisedime

Procesi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë ka krijuar gjithashtu pretekst për ripërtëritjen e negociatave që mund të çajnë akullin aktual. Duke i shtyrë bisedimet përpara, Shtetet e Bashkuara dhe Evropa duhet t’i sfidojnë dy realitete.

I pari: Qeveria në Prishtinë nuk do ta tërheqë deklaratën e saj të pavarësisë dhe as vendet që e kanë njohur tashmë këtë pavarësi – duke nisur nga Shtetet e Bashkuara – nuk janë të gatshme t’i tërheqin njohjet. I dyti: asnjë qeveri në Beograd nuk do t’i njohë kufijtë aktualë të Kosovës si legjitimë.

Megjithatë, pavarësisht nga rezultati, Beogradi do të përfitonte nga zgjidhja e statusit të Kosovës. Raportet e Serbisë me të gjithë fqinjët e saj janë ndërlikuar, për shkak të çështjes së Kosovës.

Politika e brendshme serbe gjithashtu është nën ndikimin negativ, duke marrë parasysh se nacionalistët janë në gjendje t'i sulmojnë partitë pro-reformiste dhe pro-perëndimore, duke qenë kampionë të “fatit të Kosovës”.

Mbi të gjitha, strategjia e Shteteve të Bashkuara mbi ndarjen e çështjes së Kosovës nga çështjet tjera amerikano-serbe, nuk është e qëndrueshme. Administrata e Obamës nuk mund ta thellojë bashkëpunimin me Serbinë për të stabilizuar Ballkanin Perëndimor, me konceptin “jemi pajtuar të mos pajtohemi mbi Kosovën”.

Për të ecur përpara, Uashingtoni duhet ta zgjidhë çështjen e pavarësisë nga ajo e kufijve. Me fjalë të tjera, debatet nëse duhet të ketë një shtet të pavarur me shumicë shqiptare, duhet të trajtohen veçmas nga çështjet territoriale.


Precedentët

Precedentë të këtillë ekzistojnë tashmë: pas Luftës së Parë Botërore, komuniteti ndërkombëtar ka njohur pavarësinë e Armenisë dhe Polonisë, para se të përcaktoheshin kufijtë e saktë; sot, procesi paqësor izraelito-palestinez funksionon mbi pikënisjen e një zgjidhjeje për dy shtete, edhe pse asnjë marrëveshje territoriale nuk është bërë deri më tash.

Që prej dështimit të bisedimeve paqësore në Rambuje, më 1999, diplomatët e kanë bërë gabimin, duke insistuar që pavarësia e Kosovës të mbulojë një tërësi territoriale, të definuar nga diktatori komunist, Josip Broz Tito.

Beogradi dhe Prishtina mund të arrijnë një marrëveshje, nëse kufijtë ndahen nga çështja teorike e pavarësisë. Bisedimet e këtilla do të duhej të zhvilloheshin pa ndonjë parakusht. Kjo do të thotë që Serbisë nuk do t’i kërkohej ta ndryshojë Kushtetutën për të hequr dorë nga territori i Kosovës dhe as Qeveria në Prishtnë nuk do të hiqte dorë nga deklaratat e mëhershme të saj.

Përshtatjet territoriale, megjithatë, duhet padyshim të jenë në tavolinën e bisedimeve. Kornizat e një opsioni të këtillë tashmë janë të qarta: veriu i banuar me shumicë serbe do të mbetej pjesë e Serbisë, me disa aranzhime për trashëgiminë kulturore të Serbisë në jug të Kosovës.

Një model i mundshëm për këtë opsion është marrëveshja e arritur midis Italisë dhe Vatikanit më 1929. Për dekada me radhë, Kisha Katolike nuk e ka njohur pushtetin e Romës në Itali më 1870; shteti italian gjithashtu nuk pranonte të heqë dorë nga ky qytet.

Traktati Lateran e ka zgjidhur këtë çështje duke themeluar Vatikanin si neutral, por shtet të pavarur. Natyrisht, rasti i Kosovës nuk është identik, por modeli Lateran mund t'i trasojë udhëzimet për një marrëveshje të qëndrueshme.

Një marrëveshje midis Beogradit dhe Prishtinës mund ta zgjidhë edhe paqartësinë që shteti i Kosovës ka në raport me komunitetin ndërkombëtar.

Në një formë simultane do të zgjidhej çështja e integrimit të ngadalshëm të Serbisë në Evropë: aftësia e Beogradit për të dëshmuar se kontrollon gjithë territorin që ka nën juridiksionin e vet, është kriter që duhet të përmbushet.

Një marrëveshje e këtillë gjithashtu do t'i hiqte të gjitha barrierat për anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara, duke i dhënë fund kësaj çështjeje.

Kritikët e një plani të këtillë mund të thonë se vetëm ideja e rivizatimit të kufijve është e rrezikshme, sepse mund t'i ringjallë të gjitha çështjet e kufijve të kontestueshëm në Ballkan. Por, realiteti në terren është se Prishtina asnjëherë nuk e ka kontrolluar territorin e saj në veri.

Disa kritikë gjithashtu mund të thonë se përshtatja e kufijve të Kosovës do ta komprometonte statusin e saj si shtet i qëndrueshëm. Megjithatë, sot Kosova është më pak e qëndrueshme, në gjendjen që është.

Përshtatja e kufijve territorialë nuk do të nxiste domosdoshmërisht jostabilitet, meqë çdo marrëveshje duhet ta respektojë Marrëveshjen e Helsinkit të vitit 1975, duke qenë një marrëveshje vullnetare dhe e negociuar dhe jo e dhunshme apo e imponuar nga vetëm njëra palë.

Deklarimet e fundit të zyrtarëve të lartë në Beograd flasin se Serbia dëshiron ta zgjidhë këtë burim të jostabilitetit në Ballkanin Perëndimor. Prishtina, në anën tjetër, nuk mund ta konsolidojë pozicionin që ka dhe të fillojë një qeverisje të mirëfilltë në këtë gjendje status quo-je.

Rifillimi i negociatave serioze midis të dyja palëve - me gatishmërinë e të dyja palëve për të bërë koncesion – mund ta çojë Kosovën më në fund drejt një paqeje të qëndrueshme dhe jetëgjatë. (a.v.)

Trego komentet

XS
SM
MD
LG