Ndërlidhjet

Të arrestuarit ende në paraburgim


Stacion policor në Prishtinë
Stacion policor në Prishtinë
Përfaqësuesit e Policisë së Kosovës bënë të ditur se në paraburgim po vazhdojnë të mbahen 7 aktivistë të Lëvizjes “Vetëvendosje”, të arrestuar gjatë ditës së djeshme, në përpjekje për të arrestuar liderin e kësaj lëvizjeje, Albin Kurti.

Zëdhënësi i policisë, Baki Kelani, tha se personat e ndaluar do të mbahen në paraburgim derisa të intervistohen dhe te merret një vendim nga prokurori.

Ndërkaq, Glauk Konjufca, aktivist i Lëvizjes “Vetëvendosje” pohon se janë 6 pjesëtarë të kësaj lëvizjeje, që vazhdojnë të mbahen në paraburgim, kurse i arrestuari i shtatë, tha Konjufca, nuk është pjesëtar i “Vetëvendosjes”.

Njësitet Speciale të Policisë së Kosovës kanë bërë përpjekje që ta arrestojnë zotin Kurti gjatë një ceremonie varrimi dhe gjatë këtij operacioni, lëndime të lehta kanë marrë disa persona, përfshirë këtu edhe pjesëtarë të policisë.

Lëvizja “Vetëvendosje” e ka cilësuar këtë operacion të policisë si të “dhunshëm”.

Forcat e rendit kanë marrë një urdhër-arrest për Albin Kurtin, për ta detyruar atë të paraqitet në seancën gjyqësore kundër tij, në ndërlidhje me protestat e 10 shkurtit të vitit 2007.

Këshilli kundër Procesit Gjyqësor ndaj Albin Kurtit, nëpërmjet një komunikate, e ka dënuar intervenimin e policisë së Kosovës, në përpjekje për të arrestuar zotin Kurti, në përfundim të ceremonisë së varrimit të veprimtarit Ali Aliu.

“Intervenimi i policisë ishte krejtësisht i dështuar në aspektin profesional, i pamenduar për aspektin politik dhe në kundërshtim me traditën dhe moralin e popullit shqiptar”, thuhet në komunikatë.


XS
SM
MD
LG