Ndërlidhjet

Timoshenko: Ukraina nuk është në shitje


Kiev, 27 prill 2010.
Kiev, 27 prill 2010.

Tensionet qenë të larta brenda dhe jashtë Parlamentit ukrainas, ndërsa ligjvënësit miratuan marrëveshjen për zgjatjen e kohës së përdorimit nga marina ruse të një baze ushtarake në Krime. Bomba tymi u lëshuan në Parlament dhe foltorja u gjuajt me vezë, ndërsa mijëra protestues opozitarë demonstruan jashtë.



Parlamenti ukrainas shpërtheu në kaos sot, kur ligjvënësit aprovuan një marrëveshje të diskutuar ashpër për lejimin e flotës ruse që të qëndrojë në Ukrainë deri në vitin 2042.

Pati shpërthime përleshjesh dhe deputetët e opozitës hodhën vezë mbi kryetarin e Parlamentit, Litvin Volodim, i cili u detyrua të mbrohet me çadra.

Bomba tymi mbushën dhomën me një mjegull të bardhë dhe të dendur, duke shkaktuar alarm dhe duke detyruar deputetët që t’i mbulojnë fytyrat e tyre.
Pavarësisht kaosit, deputetët e koalicionit të presidentit Viktor Janukoviq ratifikuan një zgjatje qëndrimi prej 25 vjetësh të flotës ruse në Detin e Zi në Krime.

Parlamenti ukrainas, 27 prill 2010.
Kreu i Parlamentit, Litvin, njoftoi ratifikimin mes fishkëllimave dhe duartrokitjeve.

“Në favor 236 vota. Vendimi aprovohet. Qetësi, ju lutem. Me 236 vota vendimi kalon”, tha Litvin.

Në më pak se një orë, marrëveshja kaloi në Parlamentin rus.

Marrëveshja u nënshkrua nga Janukoviq dhe homologu i tij rus, Dimitri Medvedev, më 21 prill. Në shkëmbim, Moska u zotua ta ulë me 30 për qind çmimin që Ukraina duhet t’ia paguajë Rusisë për gazin natyral.

Duke folur për një vizitë të tijën sot në Norvegji, Medvedev përshëndeti votimin e Ukrainës, duke e quajtur si një fitore të shëndoshë.

"Jam shumë i lumtur për këtë. Ajo tregon triumf të shëndoshë dhe interesat strategjike të Ukrainës kanë triumfuar mbi emocionet e momentit, të cilat janë shfaqur në forma të ndryshme të zhurmshme dhe mënyra të tjera, për të treguar bindjet e dikujt", tha Medvedev.

Në Kiev, këto emocione u treguan jashtë Parlamentit gjithashtu, ku mijëra protestues të opozitës u mblodhën për të kundërshtuar qëndrimin e flotës ruse në Krime.

Ish-kryeministrja e Ukrainës, Julia Timoshenko, tha se vota e sotme ka hyrë si “një faqe e zezë” në historinë e Ukrainës.

Duke folur në mitingun e sotëm, ajo bëri thirrje për protesta masive të opozitës jashtë Parlamentit, më 11 maj, për zgjedhje të parakohshme dhe largimin e Janukoviqit.

Protesta në Kiev, 27 prill 2010.
“Bashkimi ynë mund të sjellë një shumicë të re në Parlament dhe një president të ri në Ukrainë, jo në pesë vjet, jo në tre, madje as në dy, por relativisht shpejt”,
tha Timoshenko.

Ajo gjithashtu bëri thirrje për krijimin e një komiteti të posaçëm, me qëllim ruajtjen e Parlamentit të Ukrainës, universitet, si dhe vendet e punës në të gjithë vendin.

"Komiteti në mbrojtje të Ukrainës mund të ketë vetëm një parullë: Nuk ka çmim në tokën e Krimesë. Ukraina nuk është për shitje. Nuk ka çmim në fushat tona strategjike të zhvillimit. Ukraina nuk është për shitje”, tha Timoshenko.

Nga ana tjetër, ndjekësit e Janukoviqit mbajtën sot një tubim në Kiev, në mbështetje të marrëveshjes.

Kryeministri rus, Vladimir Putin, tha se ishte i çuditur nga shkalla e kundërshtimit të opozitës, duke thënë se qeveria e mëparshme nuk e kishte kundërshtuar shtyrjen me qira të bazës.

Flota ruse e Detit të Zi ka qenë me bazë në Krime, që në shekullin 18, kur mbretëronte Katerina e Madhe.

Por, kur Ukraina fitoi pavarësinë pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, Moska ra dakord ta tërheqë flotën e saj më 2017-ën. (a.ç.)


XS
SM
MD
LG