Ndërlidhjet

Janjiq: Minimi i pajisjes së telefonisë në veri - terrorizëm

  • RFE /RL

Derisa autoritetet në Beograd sinjalizojnë se çështjen e operatorëve mobilë të Serbisë në Kosovë do ta çojnë në nivelin më të lartë ndërkombëtar, analisti Dushan Janjiq thotë se minimi i pajisjes së telefonisë mobile kosovare në veri, gjithkund në botë do të kualifikohej si terrorizëm.





Autoritetet në Beograd sinjalizojnë se çështjen e operatorëve mobil të Serbisë në Kosovë do ta çojnë në nivelin më të lartë ndërkombëtar. Ata nuk përjashtojnë tensione të mëtejme, ndërsa ftojnë serbët e Kosovës të refuzojnë kartelat që po u ndahen falas.

Por, disa analistë në Beograd mendojnë ndryshe: ata thonë se në këtë formë pushteti serb po keqpërdor problemet jetësore të serbëve të Kosovës.

Sekretari shtetëror në Ministrinë për Kosovën, Oliver Ivanoviq, thotë për radion Evropa e Lirë se tash priten bisedime të vështira me EULEX-in rreth kësaj çështjeje.
Oliver Ivanoviq


“Aksioni do të zhvillohet në dy drejtime. Ne kemi mundësi teknike dhe politike që këtë çështje ta nxjerrim në nivelin politik ndërkombëtar. Me EULEX-in bisedimet nuk do të jenë të lehta, sepse askush nuk është i kënaqur që ata injoruan faktin se në këtë rast kishim të bënim me shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut, duke vënë në rrezik jetët e njerëzve që jetojnë në enklava”, thotë Ivanoviq.


Por, ngritjen e kësaj çështjeje në nivel politik dhe deklaratat e ashpra të zyrtarëve serbë, analisti Dushan Janjiq i sheh si keqpërdorim të problemeve konkrete të serbëve dhe përkujton situatën e ngjashme me energjinë elektrike.
Dushan Janjiq


“Pas ndërprerjes së rrymës elektrike serbëve të Kosovës, Beogradi kishte bërë katastrofë humanitare, ndërsa në fakt mbronte interesat e një tregtari të Serbisë".

"Në esencë Beogradi dëshironte konfrontimin e serbëve me autoritetet e Kosovës. Është krejt e qartë se Beogradi nuk ka mundësi që çështjen e telefonisë mobile ta zgjidhë ashtu siç po paralajmëron dhe se më shumë po bën zhurmë të kotë, se sa që është duke ndihmuar serbët”, thotë Dushan Janjiq.

Kështu nuk mendon Oliver Ivanoviq dhe sinjalizon ngritje të tensioneve.

“Mungesa e telefonisë ndikon edhe në sigurinë, sepse tash është ndërprerë komunikimi me të gjithë. Është detyrë e EULEX-it që të sigurojë që njerëzit të shfaqin pakënaqësinë e tyre dhe kjo të mos shëndrrohet në incidente”,
thotë Ivanoviq.

Por, analisti Dushan Janjiq i ka thënë Radios Evropa e Lirë se ngritja në ajër e transmetuesve legal të telefonisë mobile kosovare në Leposaviq dhe Zveçan është veprim terrorist.

“Minimi i dy transmetuesve gjithkund në botë kualifikohet terrorizëm. Tensionimi i situatës politike ka nxitur këto akte dhe kjo mund të jetë shumë serioze për gjendjen në veri".

"Shih për këtë, porosis autoritetet në Beograd që të ulin tensionet dhe të gjejnë ndonjë formë tjetër për të ruajtur popullaritetin në mesin e serbëve”,
konkludon analisti beogradas Dushan Janjiq. (m.k.)
XS
SM
MD
LG