Ndërlidhjet

logo-print

Feith: Kini durim, do të luftohet korrupsioni


Piter Feith

Piter Feith

Kosova nuk ka tjetër alternativë përveç luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit, tha shefi i ICO-së, Piter Feith. Këto komente, ai i bëri gjatë një ligjërate të mbajtur në Universitetin Amerikan në Kosovë, me temën “Perspektiva evropiane e Kosovës”. Feith tha se shtetet që synojnë integrimet, duhet ta kenë të qartë rëndësinë e vendosjes së sundimit të ligjit dhe t’i rregullojnë raportet ndër-fqinjësore.



Kosova duhet ta luftojë korrupsionin nëse dëshiron perspektivën evropiane, tha shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare, Piter Feith, i cili njëherësh mban dhe postin e Përfaqësuesit Special të Bashkimit Evropian.

Gjatë një ligjërate të mbajtur para studentëve të Universitetit Amerikan në Kosovë, lidhur me perspektivën evropiane të Kosovës, Feith i ftoi kosovarët të kenë durim, duke besuar se Kosova, në një të ardhme jo shumë të largët, do ta heqë qafe korrupsionin dhe do të ndërtojë kështu një perspektivë evropiane si edhe vendet tjera.

“Ju do të shihni më shumë hapa që do të ndërmerren, ngase, në të kundërtën, Kosova kurrë nuk do të shënojë përparime në rrugën drejt Bashkimit Evropian”, tha Feith.

Luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit, si pjesë e vendosjes së rendit ligjor, si dhe zhvillimi ekonomik përbëjnë hapat e domosdoshëm që Kosova duhet t’i ndërmarrë për sendërtimin e aspiratave drejt BE-së, theksoi Feith.

Ai nuk e mohoi dhe as pohoi nëse ka kërkuar nga kryeministri Thaçi shkarkimin e të paktën një ministri të dyshuar për afera korruptive dhe keqpërdorim të parasë publike.

“Ju lutem, kini durim dhe do të shihni se do të ketë zhvillime të tjera”
, tha Feith, në lidhje me kërkesën e tij drejtuar kryeministrit të Kosovës për shkarkimin e zyrtarëve të dyshuar për korrupsion.

Ndërkaq, duke iu referuar rastit të Albin Kurtit dhe tentimeve të pasuksesshme të Policisë së Kosovës, që pas një ceremonie mortore ta arrestojnë atë, Feith tha se drejtësia është në kërkim të Kurtit dhe se ai nuk mund të fshihet nga drejtësia.

Një sistem i pavarur i drejtësisë përbën njërin prej komponentëve kryesorë të një shteti, nënvizoi Feith.

Në vazhdim, ai u ndal edhe në perspektivën evropiane të rajonit. Përmirësimin e raporteve Kosovë - Serbi, Feith tha se e sheh si të domosdoshëm dhe kriter që këto dy shtete të mund t’i realizojnë synimet për integrimet evropiane.

“Është me rëndësi që Prishtina dhe Beogradi të fillojnë bashkëpunimin për zgjidhjen e çështjeve të hapura, që kanë implikime afatgjate për të dyja palët”
, tha zyrtari i lartë evropian.

Regjistrimi i popullatës, i caktuar për majin e vitit 2011, është një çështje që do të kërkojë bashkëpunim me Beogradin, tha ai.

Gjatë kësaj ligjërate, Feith u shpreh i rezervuar në lidhje me përparimet ekonomike. Ndërkaq, në vazhdimësi adresoi mesazhe optimiste për përparimet e bëra në përgjithësi, këto vitet e fundit.

Feith tha se mandati i shefit të ICO-së, pavarësisht se do të jetë ai apo dikush tjetër në krye, pritet të zgjasë edhe për më shumë se një vjet, përderisa ai i Përfaqësuesit Special të BE-së mund të jetë më afatgjatë.

Deri më tani, ai tha se nuk ka dashur në asnjë rast t’i përdorë autorizimet e tij që ia mundëson Pakoja e Ahtisarit dhe t’i shkarkojë përfaqësuesit e zgjedhur kosovarë, kur ata bëjnë shkelje të caktuara, ngase këtë përgjegjësi ua kishte lënë në autorizim udhëheqësve të institucioneve të Kosovës.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG