Ndërlidhjet

Kosovën s’e shqetësojnë kërcënimet serbe


Ndërtesa e Qeverisë së Kosovës

Ndërtesa e Qeverisë së Kosovës

Kosova nuk është e shqetësuar me kërcënimet e Serbisë për ndërprerjen e mundshme të kodit të telefonisë fikse, të cilin Kosova vazhdon ta shfrytëzojë, pavarësisht pavarësimit nga Serbia. Zyrtarë të Qeverisë thonë se i kanë alternativat në tavolinë dhe, po qe se ndërpritet ky kod, Kosova nuk do të mbetet për asnjë çast pa telefoni fikse. Zyrtarët nuk përjashtojnë mundësitë që të shfrytëzohet kodi i Shqipërisë.



Kërcënimet e Serbisë se do t’ia ndërpresë Kosovës shfrytëzimin e kodit të saj telefonik, priten qetë në Prishtinë.

Aksioni i Autoritetit Rregullativ të Telekomunikacionit për largimin e antenave të operatorëve ilegalë serbë të telefonisë mobile, ka nxitur kërcënimet e Qeverisë serbe.

Por, zyrtarë të Ministrisë së Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit nuk janë të shqetësuar edhe po qe se Serbia ndërpret kodin. Zëdhënësi Xhevdet Pozhari thotë se ministria i ka alternativat për të dalë nga situata. Ai siguron se Kosova nuk do të mbetet për asnjë çast pa telefoni fikse.

“Ekspertët tanë vendorë dhe ndërkombëtarë i përcjellin rrjedhat dhe i kanë alternativat e mundshme në secilin rast. Edhe në rastin konkret, kemi alternativa dhe assesi nuk mund të vijë deri te ajo; vetëm se do të veprojmë në mënyrë që të kemi një alternativë sa më të mirë të mundshme”, thotë Pozhari.

Në të njëjtën frymë shprehet edhe eksperti për telekomunikacion, Agron Dida. Ai thotë për Radion Evropa e Lirë se pa e pritur Serbinë, Kosova është dashur vetë t’i shkëpusë këto lidhje.

“Nëse Serbia ndërpret komunikacionin, për Kosovën bile është më mirë. Kurrgjë nuk humb Kosova. Ajo duhet t’i riorientojë të gjitha kapacitetet edhe është gabim që nuk është bërë deri tash. Është dashur që gradualisht të hiqen të gjitha komunikimet me Serbinë, meqenëse ajo nuk po i paguan obligimet e transferimit”,
shprehet Dida.

Kosova, edhe më shumë se dy vjet pas pavarësisë, nuk ka arritur ta sigurojë kodin e saj shtetëror. Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikacionit, që vepron në kuadër të OKB-së, nuk i ka lëshuar Kosovës kodin, për shkak të mosnjohjes së pavarësisë nga shumica e vendeve anëtare të OKB-së.

Në rast se Serbia ia ndërpret Kosovës shfrytëzimin e prefiksit të saj 381, atëherë si alternativë shihet shfrytëzimi i kodit të ndonjë shteti tjetër, siç është Shqipëria. Xhevdet Pozhari nuk e përjashton këtë mundësi.

“Të gjitha mundësitë janë të hapura, por fjalën e fundit e thonë ekspertët - se cili do të ishte varanti më i mirë në këtë rast”, thotë Pozhari.

Eksperti i telekomunikimeve, Agron Dida, thotë se shfrytëzimi i kodit të Shqipërisë do të ishte gjë e lehtë për autoritetet kosovare.

“Nuk është problem të shfrytëzosh ndonjë kod tjetër. Ajo është një marrëveshje biznesi dhe mund të bëhet për aspekte të tjera strategjike; për shembull, mund të bëhet me Shqipërinë, pa asnjë problem”.

“Besoj se duhet të bëhet ajo. Shpresoj se Qeveria do të përpiqet ta bëjë atë punë, ta kemi kodin e Shqipërisë, për arsye të thjeshtë, se ende ka komunikime fikse dhe duhet të përdoren këto komunikime fikse edhe në një të ardhme të afërt”
, deklaron Dida.

Në anën tjetër, shteteve që kanë problem me njohje, Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikacionit ua ka lënë mundësinë që ta shfrytëzojnë atë që quhet kod gjeografik. Por, Kosova refuzon të pajiset me një kod të tillë.

“Është e vërtetë që ka të tjera mundësi, si kodi gjeografik, që disa shtete e kanë, por jo në nivel të shtetit. Mirëpo, çdo qeveri i ka objektivat e qarta dhe, në rastin konkret, objektivi ynë është i qartë dhe ne jemi të interesuar që ta kemi kodin telefonik shtetëror, në mënyrë që, njëherë e përgjithmonë, ta zgjidhim këtë problem”
, thotë zëdhënësi i Ministrisë së Transportit, Xhevdet Pozhari.

Në mungesë të kodit shtetëror, Kosova shfrytëzon tri kode të shteteve të huaja. Për telefoninë fikse përdor atë të Serbisë - 381, ndërsa për telefonitë mobile përdoret kodi i Monakos - 377 - dhe ai slloven - 386. Shfrytëzimi i kodeve të huaja ka një kosto të lartë për buxhetin kosovar.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG