Ndërlidhjet

Ende s'dihet gjë për 1862 persona


Prishtinë, 27 prill 2010.

Prishtinë, 27 prill 2010.

Familjarët e personave të pagjetur të luftës presin nga autoritetet vendore dhe ato ndërkombëtare më shumë angazhime për zbardhjen e fatit të të afërmve të tyre. Konsiderohet se janë edhe 1862 persona, për fatin e të cilëve nuk dihet asgjë.


Familjet e të pagjeturve në Kosovë, edhe 11 vjet që nga paslufta, mbesin ende pa asnjë informatë për mbi 1860 persona të pagjetur.

Autoritetet vendore dhe ndërkombëtare ritheksuan vendosmërinë e tyre për të zbardhur fatin e personave të pagjetur. Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se angazhimet e ekzekutivit kosovar në këtë drejtim do të koordinohen me mekanizmat përgjegjës ndërkombëtarë në Kosovë.

“Ne, edhe sot, rishprehim zotimin tonë të angazhimeve të përbashkëta me komunitetin ndërkombëtar, që të zbardhet kjo çështje. Do të angazhohemi maksimalisht me të gjithë mekanizmat relevantë, do të punojmë maksimalisht me të gjitha institucionet, që t’i gjejmë mundësitë më të mira që të përmbyllet kjo çështje njëherë e përgjithmonë, në mënyrë që t’ia lehtësojmë dhimbjen familjare farefisit”, tha kryeministri Thaçi.

Edhe misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit në Kosovë, përmes një komunikate për media, theksoi se “zbardhja e fatit të të pagjeturve në Kosovë mbetet një detyrë vendimtare, të cilën EULEX-i e konsideron si prioritetin më të madh”.

“EULEX-i është i vetëdijshëm për faktin se, për shumë familje me të afërm të pagjetur, adresimi i së kaluarës do të thotë adresim i së tashmes. EULEX-i, në këtë ditë, i kujton familjet dhe të afërmit e tyre të pagjetur dhe thekson zotimin e vet për ta vazhduar ndihmën ndaj autoriteteve kosovare, në angazhimet e tyre për të sjellë përgjigje, rezultate dhe sqarime historike rreth çështjes së dhimbshme të të pagjeturve“,
citohet të ketë thënë shefi i EULEX-it, Iv De Kermabo.

Sinjale shpresëdhënëse se ne vitin 2010 mund të ketë ndryshime pozitive në çështjet që kanë të bëjnë me gjetjen e trupave të zhdukur, identifikimin e tyre, por edhe për ato tema që ndërlidhen me familjarët e të pagjeturve, dhanë edhe ekspertët për mjekësi ligjore në Prishtinë.

Drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu, tha se mekanizmi që ai drejton, ka marrë deri më tani informata për një varg lokacionesh në Kosovë e Serbi, të cilat dyshohet të jenë varreza masive.

Brenda këtij viti, sipas tij, pritet të hapen 10 nga këto lokacione brenda territorit të Kosovës, ndërsa një agjendë me precize e veprimit është caktuar tashmë për tri vende të tjera.

“Pikërisht më datën 29 të këtij muaji do të shkojmë të vizitojmë lokacionin e dyshuar në Medvegjë. Pastaj, gjatë kësaj vere planifikohet të rishikohet edhe një herë në afërsi të vendit, që Haga ka hapur në vitin 2000, në Rudnicë, ku dyshohet të jenë 250 deri në 500 shqiptarë, si dhe lokacionin, i cili është kontrolluar më herët, do të thotë atë në Rashkë”, tha Gërxhaliu.

Mirëpo, puna e deritanishme në nivelin politik u kritikua nga përfaqësues të Kuvendit të Kosovës. Kryetari i Komisionit për të Drejtat e Njeriut, për Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione, Ismet Beqiri, tha se janë bërë vonesa në lidhje me ligjin për familjarët e të pagjeturve në Kosovë, nismë kjo që, sipas tij, i është drejtuar Qeverisë së Kosovës vite më parë.

“Që nga fillimi, si komision, ne kemi ngritur problemin, mbi të gjitha atë të nxjerrjes së një projektligji, gjegjësisht të një ligji për familjet e të pagjeturve, rregullimin e statusit të tyre dhe, fatbardhësisht, parashihet të jetë sivjet në strategjinë legjislative, edhe pse do të dëshironim të bëhet më shpejt”, deklaroi Beqiri.

XS
SM
MD
LG