Ndërlidhjet

Shkup: Rënie e dialogut politik


Kuvendi i Maqedonisë
Kuvendi i Maqedonisë

Blloku politik shqiptar ka mirëpritur reagimin e katër misioneve diplomatike, të BE-së, NATO-s, OSBE-së dhe SHBA-ve, të cilat, përmes një letre të përbashkët, kanë shprehur shqetësim për zhvillimet në Maqedoni dhe veçanërisht për bllokimin e procesit integrues, me mosgjetjen e një zgjidhjeje për çështjen e emrit.

Deputetja e Bashkimit Demokratik për Integrim, Ermira Mehmeti Devaja, vlerësoi se kjo letër vjen në momentin e duhur, duke theksuar se kjo deklaratë, njëherësh, dërgon dhe një mesazh të qartë, se për faktorët relevantë ndërkombëtarë mbetet i rëndësishëm përkushtimi i realizimit të Marrëveshjes së Ohrit, si garanci për paqen e brendshme, e cila po ashtu hap rrugën e integrimit për Maqedoninë.

“Konsiderojmë dhe presim, në fakt, që mesazhet e dërguara nga kjo deklaratë e përbashkët e katër misioneve diplomatike, të BE-së, NATO-s, OSBE-së dhe SHBA-ve, do të shërbejnë si udhërrëfyes për klasën politike të vendit, për atë se çfarë drejtimi apo kahu duhet pasur politika jonë e brendshme në periudhën që vijon”, tha deputetja e BDI-së në pushtet, Ermira Mehmeti Devaja, ndërkohë që partia maqedonase në pushtet, VMRO-DPMNE, është përmbajtur nga çfarëdo komenti ndaj reagimit të faktorit ndërkombëtar.

Nga ana tjetër, për partitë politike në opozitë, qëndrimi i përfaqësuesve diplomatikë është më se shqetësues dhe dëshmon qartë politikën e gabuar që ndjekin strukturat udhëheqëse të vendit.

“Kjo dëshmon se proceset në vend, jo vetëm që nuk lëvizin në drejtimin e duhur, por ato ecin në drejtim krejtësisht të kundërt, dhe se demokracia në vend ka stagnuar. Më shqetësuese është se Qeveria, në vend se t’i realizojë reformat dhe t’i zgjidhë problemet ndëretnike, ajo i shkakton ato”, tha deputeti i Lidhjes Social-Demokrate, Andrej Petrov.

Ndërkaq, deputeti i Demokracisë së Re, Sulejman Rushiti, tha se në reagimin e subjekteve relevante ndërkombëtare, ku ftohen të gjithë liderët politikë që ta verifikojnë përkushtimin e tyre të plotë ndaj Marrëveshjes së Ohrit dhe ndaj përforcimit të dialogut politik, shprehet shqetësimi ndaj udhëheqësve politikë, të cilët me veprimet e tyre devalvojnë dokumentin kornizë të Ohrit.

“Është me vend dhe i arsyeshëm ky reagim edhe sa i përket realizimit të Marrëveshjes së Ohrit, duke pasur parasysh se ata janë nënshkrues dhe garantues të këtij dokumenti kornizë, që solli paqen pas konfliktit të armatosur të vitit 2001. Vlerësojmë se ky shqetësim i yni i përbashkët do të arrijë që, më në fund, t’i kthjellojë politikë-bërësit e Qeverisë së Maqedonisë”, u shpreh deputeti Sulejman Rushiti.

Ambasadori i SHBA-ve në Shkup, Filip Riker, ripërsëriti edhe një herë sot domosdoshmërinë e gjetjes së një zgjidhjeje për problemin me emrin. Ndryshe, theksoi ai, ardhmëria e Maqedonisë vihet nën pikëpyetje të madhe.

“Konsideroj se, që të vini deri te zgjidhja, duhet të koncentroheni në atë që është e pranueshme për ju, e jo në atë që është e papranueshme”, deklaroi ambasadori Riker.

Duke komentuar deklaratën e djeshme të përfaqësuesve diplomatikë në Maqedoni, të cilët paralajmëruan për “rënie të përgjithshme të dialogut politik në vend”, ambasadori amerikan tha se deklarata nuk është aspak e ashpër, porse paraqet një reagim të zhvillimit të ngjarjeve të fundit, veçmas në aspektin e deklaratave të disa politikanëve, të cilët flasin për ndarje ose për braktisje të marrëveshjes kornizë.
XS
SM
MD
LG