Ndërlidhjet

logo-print

FMN: Kriza greke vë në lojë besimin në eurozonën



Kreu i Fondit Monetar Ndërkombëtar, Dominik Shtraus-Kan, tha se besimi në eurozonën është vënë në lojë nga përkeqësimi i krizës së borxheve në Greqi.

Shtraus-Kan foli pas takimit emergjent në Berlin me ministrin e Financave, Volfgang Shauble, kryetarin e Bankës Qendrore Evropiane, Zhan-Klod Trishe dhe anëtarë të parlamentit të Gjermanisë.

“Ajo që sot është në lojë, sigurisht është situata ekonomike e Greqisë, por më shumë se kaq, sepse Greqia është pjesë e eurozonës. Është në lojë besimi në këtë zonë, prandaj ne duhet të veprojmë menjëherë dhe fuqishëm”, tha Shtraus-Kan.

Bisedimet në Berlin u zhvilluan kur tregjet financiare shënuan rënie, ndërsa euroja ra në nivelin më të ulët ndaj dollarit në një vit.

Sot edhe borxhi i Portugalisë u vlerësua si i keq pas vlerësimit të njëjtë që dje iu bë borxhit të Greqisë.

Ndërkohë, kryetari i Komisionit Evropian, Zhoze Manuel Barroso, tha se vendet e BE-së dhe Banka Qendrore Evropiane janë përkushtuar të garantojnë stabilitetin e eurozonës në kohën e frikës nga përhapja e krizës së Greqisë.

Në Greqi sot sërish u protestua, ndërsa për 5 maj është caktuar grevë e përgjithshme.
XS
SM
MD
LG