Ndërlidhjet

Kriza greke rrezikon botën


Athinë
Athinë
Rënia e vlerës së aksioneve në tregjet financiare ndërkombëtare erdhi pasi agjencitë që merren me vlerësimin e rrezikut të kredive, e cilësuan besueshmërinë e Greqisë zero.

Analistët thonë se kjo është shenjë se kriza financiare greke po del jashtë kontrollit dhe me gjasa që t’i prekë jo vetëm ekonomitë e Eurozonës, por botën në tërësi.

Agjencia e vlerësimit të besueshmërisë së kredive “Standard and Poor” beson se Greqia realisht rrezikon që të mos jetë në gjendje ta paguajë borxhin ndërkombëtar.

E njëjta agjenci uli me dy pikë besueshmërinë e Portugalisë, një tjetër vend problematik në Eurozonë. Të njëjtat burime renditën si vende në vështirësi edhe Spanjën, Irlandën dhe Italinë.

Kjo shkaktoi panik në mesin e investitorëve, derisa euroja përballë dollarit pësoi rënien më të madhe brenda ditës, gjatë një viti.

Gjendjes së rëndë në tregjet financiare ndërkombëtare i kanë ndihmuar dhe deklaratat e ekspertëve.

Kryeekonomisti i “Deutsch Bank”, Tomas Majer, ka deklaruar se Greqia “ka hyrë në spiralen vdekjeprurëse të paaftësisë qeveritare për t’i paguar borxhet”.

Ministri grek i Financave, Jorgos Papakonstandinu, ka hedhur poshtë perspektivën e zymtë që qarkullon për Greqinë.

“Është e qartë se kjo rënie nuk reflekton pozitën e vërtetë të ekonomisë, as gjendjen fiskale, as bisedimet që po zhvillohen për ta përmbyllur me sukses marrëveshjen me Bashkimin Evropian dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar, gjatë ditëve në vijim”, ka thënë Papakonstandinu.

Kryetari i Bashkimit Evropian, Herman Von Rompoi, duke folur për mediat, ka ruajtur gjakftohtësinë karakteristike, duke theksuar se do të ketë takim të përfaqësuesve të Eurozonës më 10 maj, por bisedimet me Greqinë vazhdojnë normalisht.

“Bisedimet po vazhdojnë e janë në rrugë të mbarë dhe ristrukturimi i borxhit grek nuk vihet në diskutim”, ka thënë Von Rompoi.

E gjithë çështja qëndron në dhënien e një kredie prej 45 miliardë eurosh nga vendet e Eurozonës për Greqinë. Por, Gjermania, që pritet të jetë kontribuuesja kryesore në këtë paketë, është e tërhequr. Ka një kundërshtim të madh të opinionit në Gjermani për ta paguar borxhin e Greqisë.

Por, tani, ekonomistët po ngrenë dyshimin se edhe sikur të konkretizohet paketa prej 45 miliardë eurosh, ajo nuk do të jetë e mjaftueshme për Greqinë. Analistët tërheqin vërejtjen se Greqia ka një rrugë të gjatë e të vështirë përpara.

Në pesë vjetët e ardhshëm na duhet të rifinancojmë mbi 150 miliardë euro, plus 90 miliardë interes, çfarë dihet se nuk është një detyrë e lehtë. Kjo ka bërë që dhe agjencitë ta klasifikojnë besueshmërinë e kredive të Greqisë në zero”, thotë analisti Valastarakis.

Në tërësi, Greqia ka një borxh prej 300 miliardë eurosh. (i.b.)
XS
SM
MD
LG