Ndërlidhjet

logo-print

Freedom House: Kosova pjesërisht e lirë



Në raportin e fundit të organizatës Freedom House për lirinë e shtypit në botë për vitin 2009, Kosova është radhitur në vendin e 53 si pjesërisht e lirë.

Karakteristikë e raportit të sivjemë është se Kosovën për herë të parë e trajton si shtet i veçantë.

Shqipëria është radhitur e 50-ta gjithashtu si pjesërisht e lirë.

Me të njëjtin vlerësim janë klasifikuar Serbia në vendin e 35, Kroacia në vendin 40, Maqedonia në vendin e 46, ndërsa Bosnjë e Hercegovina në vendin e 48.

Raporti i Freedom House thotë se në vitin 2009 është shënuar rënie e lirisë së shtypit në mbarë botën.

Raporti thotë se gjatë 2009-ës, vetëm njëri nga gjashtë njerëz kanë jetuar në vend me liri të shtypit.

Turkmenistani, Uzbekistani, Bellorusia dhe Irani radhiten ndër shkelësit më të mëdhej të lirisë së shtypit, ku "mediat e pavarura janë jo ekzistente ose mezi operojnë".

Irani ka marrë vlerësimet më të këqija në historinë 30 vjeçare të raporteve. Ky vend u radhit në mesin e dhjetë vendeve më shtypëse të mediave në botë në vitin 2009, gjë që u pasqyrua nga shtypja e gjerë e qeverisë ndaj gazetarëve pas rizgjedhjes së kontestuar të presidentit Mahmud Ahmadinexhad.

Në Rusi, liria e shtypit është përkeqësuar pak në 2009-ën, dhe nuk u cilësua si "e lirë" për të shtatën herë me radhë.

Vendet skandinave mbeten në krye të listës, me shkallën më të lartë të lirisë së shtypit në botë.

Indeksi i lirisë i organizatës Freedom House e vlerëson shkallën e lirisë së mediave të shtypit, të atyre elektronike dhe të internetit në çdo vend të botës, duke analizuar ngjarjet dhe zhvillimet në çdo vit kalendarik. Radhitja përcaktohet përmes shqyrtimit të tre kategorive të gjera: mjedisit legal në të cilin veprojnë mediat, ndikimet politike në raportimet apo qasjet në informacionet, dhe presionet ekonomike në përmbajtjen e lajmeve.

Radhitja nuk i pasqyron vetëm veprimet dhe politikat e qeverisë, por edhe sjelljen e mediave në kufijtë e caktuar, madje edhe në mjediset më kufizuese. Çdo vend vlerësohet prej numrit 0 (më e lira) deri në 100 (më pak e lirë). Kjo shërben si bazë për cilësimin e gjendjes së mediave si të lira, pjesërisht të lira, apo jo të lira.
XS
SM
MD
LG