Ndërlidhjet

EULEX: Tenderët për ndërtimin e rrugëve nën hetime


Gjatë bastisjes së Ministrisë së Transportit në Prishtinë, 28 prill 2010.

Gjatë bastisjes së Ministrisë së Transportit në Prishtinë, 28 prill 2010.

Misioni evropian për sundimin e ligjit, EULEX, ka bërë të ditur se bastisjet e së mërkurës në Ministrinë e Transportit dhe Telekomunikacionit dhe në shtëpinë e ministrit Fatmir Limaj, ndërlidhen me disa tenderë për ndërtimin e rrugëve, gjatë periudhës 2007-2009.



Kontrollimi i tenderëve për ndërtimin e rrugëve në Kosovë, të periudhës 2007-2009, është shkas i bastisjes së djeshme të Ministrisë së Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit, si dhe të disa banesave private të personave nga kjo ministri. Këtë e konfirmoi vetë misioni evropian për sundimin e ligjit.

“Ka pasur disa bastisje, njëra nga to në Ministrinë e Transportit dhe Postë Telekomunikacionit, si dhe në banesat private të personave nga kjo ministri. Kjo është bërë nga Policia e EULEX-it nën mbikëqyrjen e Zyrës së Prokurorisë Speciale. Kjo është pjesë e vazhdës së hetimeve që udhëhiqen nga Zyra e Prokurorit Special në Kosovë”,
tha zëdhënësja e EULEX-it për komponentin e drejtësisë, Kristina Herodes.

Ajo nuk dha detaje nëse deri më tani ka të dyshuar apo të arrestuar në këtë operacion të EULEX-it. Por, Herodes sqaroi se bëhet fjalë për hetime për tenderët.

“Hetimet dhe bastisjet ndërlidhen me disa tenderë për ndërtimin e rrugëve në Kosovë, gjatë periudhës 2007-2009. Bastisjet janë autorizuar paraprakisht nga gjyqtari i procedurës paraprake i Gjykatës së Qarkut në Prishtinë”, tha zëdhënësja Herodes.

Misioni evropian për sundimin e ligjit bëri të ditur se në këtë fazë, bastisjet janë thjesht të karakterit hetues dhe materiali, i cili është duke u mbledhur, do të analizohet me kujdes nga policia dhe Prokuroria Speciale.

“Prokurorët specialë të EULEX-it ishin të pranishëm në vendngjarje, për të siguruar mbledhjen efektive të materialit dëshmues dhe t’u japin shpjegime të plota dhe të duhura personave të pranishëm në vendngjarje”, tha Herodes.

Në këtë operacion të EULEX-it, i cili filloi pasditen e së mërkurës, nuk kanë qenë të përfshirë fare autoritetet e Kosovës.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, i tha Radios Evropa e Lirë se për shkak të natyrës së hetimeve, EULEX-i nuk u ka bërë shumë gjëra të ditura organeve kosovare të rendit.

“Në rastin konkret, operacioni është zhvilluar nga departamenti për çështje të ekzekutivit të Policisë së EULEX-it dhe jo nga Policia e Kosovës”, tha Kelani.

Vetë ministri Fatmir Limaj ka shprehur gatishmërinë për të bashkëpunuar me drejtësinë. Ai i ka quajtur bastisjet e EULEX-it në ministri, në shtëpinë ku ai banon dhe në disa lokalitete të tjera, si zhvillime normale, ndërsa ka bërë të ditur se do të vazhdojë ta mbajë postin e ministrit. Limaj ka potencuar se ai personalisht nuk është ftuar në ndonjë bisedë nga organet e rendit të misionit evropian.

Ministri Limaj i ka bërë këto komente në orët e vona të së mërkurës, pas një takimi maratonë në ndërtesën e Qeverisë, ku, për një kohë, të pranishëm kanë qenë edhe ambasadori amerikan, Kristofer Dell, dhe shefi i EULEX-it, Iv de Kermabo. Asnjëri nga këta të fundit nuk është prononcuar në lidhje me takimin.
XS
SM
MD
LG