Ndërlidhjet

logo-print

Freedom House: Kosova, pjesërisht e lirë

  • RFE /RL


Në raportin e fundit të Organizatës Freedom House për lirinë e shtypit në botë, për vitin 2009, Kosova është radhitur në vendin e 53-të si pjesërisht e lirë.

Karakteristikë e raportit të sivjetmë është se Kosovën, për herë të parë, e trajton si shtet të veçantë.

Shqipëria është radhitur e 50-ta, gjithashtu si pjesërisht e lirë.

Me të njëjtin vlerësim janë klasifikuar Serbia në vendin e 35-të, Kroacia në vendin 40, Maqedonia në vendin 46, ndërsa Bosnjë e Hercegovina në vendin 48.

Bota e shtypit është më pak e lirë më 2009-ën, duke përjetuar një vit tjetër pengesash. Vende si: Turkmenistani, Uzbekistani, Bjellorusia dhe Irani, kryesojnë në raportin e ri të Organizatës Freedom House, që monitoron çdo vit lirinë e shtypit, të televizioneve dhe të internetit, në 196 vende.

Drejtori për studime në Freedom House, Kristofer Uolker, thotë:

"Këtë vit kemi globalisht një tjetër rënie. Ky është viti i tetë ku ndjehet rënie”.

Indeksi i lirisë i Organizatës Freedom House e vlerëson shkallën e lirisë së mediave të shtypit, të atyre elektronike dhe të internetit në çdo vend të botës, duke analizuar ngjarjet dhe zhvillimet në çdo vit kalendarik.

Radhitja përcaktohet përmes shqyrtimit të tri kategorive të gjera: mjedisit legal në të cilin veprojnë mediat, ndikimeve politike në raportimet apo qasjet në informacionet, dhe presioneve ekonomike në përmbajtjen e lajmeve.

Të dhënat tregojnë se në 2009-ën, vetëm një në gjashtë persona jeton në një vend me shtyp të lirë. Kjo paraqet një rënie të vogël në gjithë botën krahasuar me vitet e tjera.

Irani ka marrë vlerësimet më të këqija në historinë 30-vjeçare të raporteve.

Ky vend u radhit në mesin e dhjetë vendeve më shtypëse të mediave në botë në vitin 2009, gjë që u pasqyrua nga shtypja e gjerë e qeverisë ndaj gazetarëve, pas rizgjedhjes së kontestuar të presidentit Mahmud Ahmadinexhad.

Dhjetëra gazetarë, përfshirë dhe redaktorë, reporterë, fotografë, mbeten në burgjet e Iranit, disa të akuzuar për shkelje, të cilat ndëshkohen me vdekje.

Në Rusi, liria e shtypit është përkeqësuar pak në 2009-ën dhe nuk u cilësua si "e lirë" për të shtatën herë me radhë.

Nga raporti vihet re se, me përjashtim të Estonisë, Lituanisë, Letonisë, të cilat janë përcaktuar si "të lira", dhe Ukrainës dhe Gjeorgjisë, të cilat janë përcaktuar si "pjesërisht të lira," nëntë vendet e mbetura të ish-Bashkimit Sovjetik, ku përfshihet dhe Rusia, janë përcaktuar në kategorinë “jo të lirë”.

Ndërsa, 3 nga 10 vendet më të këqija për sa i përket lirisë së shtypit, në raportin e Organizatës Freedom House janë: Turkmenistani, Uzbekistani dhe Bjellorusia.

Ja si e komenton këtë fakt drejtori i studimeve në Freedom House, Kristofer Uolker:

"Përveç gazetarëve, të cilët individualisht kërcënohen, ne gjithashtu shohim infrastrukturën e mediave dhe të lajmeve që vihen nën kontrollin e qeverive dhe të fuqive dominuese, në vendet jobaltike dhe të ish- Bashkimit Sovjetik”.

Skena e gjendjes së shtypit në Rusi dhe në vendet fqinje pati rënie, për shkak se qeveria, vitin e kaluar, dështoi për t’i kapur dhe ndjekur penalisht sulmuesit e gazetarëve.

Kjo është vërejtur nga Freedom House edhe nga Meksika në Afganistan.

Pavarësisht nga rënia globale, disa vende kanë përvojë më të madhe në lirinë e shtypit në 2009-ën. Ka pasur pak sulme ndaj gazetarëve në Ukrainë.

Ndërsa, vendet skandinave mbeten në krye të listës, me shkallën më të lartë të lirisë së shtypit në botë. (a.ç.)
XS
SM
MD
LG