Ndërlidhjet

logo-print

A do ta fundosë kriza greke monedhën evropiane?

  • RFE /RL


Zyrtarët evropianë janë duke ftuar për aksion të shpejtë ndihme për Greqinë e goditur nga kriza e borxheve, me qëllim të evitimit të zgjerimit të saj në vendet tjera të Bashkimit Evropian.

Kryeministri grek, Jorgos Papandreu, ka sinjalizuar se kriza e borxheve të këtij vendi është një zjarr i vogël, që mund të dalë jashtë kontrollit dhe të ketë pasoja katastrofale për Evropën dhe ekonominë globale.

Sinjalizim të ngjashëm ka bërë edhe shefi i Fondit Monetar Ndërkombëtar, Domenik Shtraus Kan, pas bisedimeve që ka zhvilluar me Qeverinë gjermane dhe presidentin e Bankës Qendrore Evropiane, Zhan Klod Trishet.

“Aktualisht, sfida ka të bëjë me situatën ekonomike në Greqi, por edhe me Eurozonën. Kemi të bëjmë me çështjen e besimit ndaj Eurozonës dhe rrjedhimisht duhet veprim i shpejtë dhe i fuqishëm”, ka thënë Domenik Shtraus Kan.

Gjatë qëndrimit në Gjermani, Kan ka thënë se Greqisë i duhet ndihmë në vlerë prej 120 miliardë dollarësh.

Në këtë temë, përmes telefonit kanë biseduar edhe presidenti amerikan, Barak Obama, dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel, që janë pajtuar se duhet aksion i shpejtë.

Angela Merkel ka thënë se ndihmat financiare për Greqinë duhet siguruar për të shpëtuar Eurozonën. Këto deklarime janë bërë pas shenjave se kriza e borxheve greke mund të dalë jashtë kontrollit, duke prekur tregjet nga Roma deri në Madrid.

Sekretari i përgjithshëm i Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, Angel Gurria, ka thënë madje se vendeve të prekura nga kriza e borxheve, mund t’u duhet ndihmë në vlerë prej 700 miliardë dollarësh.

Nuriel Rubini, profesor në Universitetin e Nju Jorkut, që kishte parashikuar me saktësi kolapsin ekonomik të vitit 2008, thotë se kriza e borxheve nga Greqia është duke shkuar drejt vendeve të tjera.

Tashmë ka shenja se kriza e borxheve është duke iu afruar Portugalisë dhe Spanjës, ndërsa disa përmendin edhe Italinë dhe Belgjikën.

Kryeministri grek, Jorgos Papandreu.
Këtë sinjalizim e ka bërë edhe kryeministri grek, Jorgos Papandreu.

“Ky nuk është problem vetëm i Greqisë dhe Athina këtë çështje nuk mund ta zgjidhë vetë. Tash shtrohet pyetja se çfarë mund të bëjë Evropa? Ne do të dëshironim të shihnim vendime më të shpejta të Evropës”, ka thënë kryeministri grek, Papandreu.

Liderë tjerë evropianë hedhin poshtë mundësinë që kriza e borxheve të Greqisë të bartet në vendet tjera të Eurozonës dhe përtej saj.

Në këtë kontekst, ministri francez për Buxhet, Fransoa Baron, ka thënë se nuk ka asnjë dilemë rreth vendosmërisë së vendeve anëtare të Eurozonës, të Bankës Qendrore Evropiane, Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bashkësisë Evropiane, për të siguruar stabilitetin financiar të Greqisë dhe rrjedhimisht edhe të monedhës së përbashkët evropiane – euros. (m.k.)

Trego komentet

XS
SM
MD
LG