Ndërlidhjet

Janukoviq kthen Ukrainën nga Rusia


Viktor Janukoviq
Viktor Janukoviq
Për shumë ukrainas, emri tjetër Karkiv tashmë lidhet me një marrëveshje të re ndërkombëtare për vendosjen e ndikimit të huaj të Moskës.

Javën e kaluar, qyteti ukrainas priti presidentin e sapozgjedhur, Viktor Janukoviq, dhe presidentin e kënaqur rus, Dmitri Medvedev, për nënshkrimin e një marrëveshjeje, që përmbysi dy politikat më simbolike të udhëheqësve pro- perëndimorë.

Janukoviq zgjati edhe për të paktën 25 vjet të tjerë qiranë për qëndrimin e bazës ruse në Krime.

Shumë ukrainas e shohin bazën si një prani armiqësore, të mbetur nga koha komuniste. Ish-presidenti Viktor Jushçenko kishte premtuar se qiraja nuk do të rinovohej pas vitit 2017, kur ishte afati i planifikuar për të përfunduar.

Në shkëmbim, Moska ia uli me 30 për qind çmimin e gazit natyral Ukrainës, që mund t’i kursejë Kievit dhjetëra miliarda dollarë.

Që nga Revolucioni i Portokalltë, pesë vjet më parë, Moska është ndjerë keq kur Ukraina ka dëshiruar t’i bashkohet NATO-s dhe t’i ndjekë politikat pro-perëndimore.

Tani, kryeministri rus, Vladimir Putin, ka thënë se marrëveshja e bazës në këmbim të uljes së çmimit të gazit, është një domosdoshmëri me kosto për Moskën, por bashkëpunimi me Ukrainën është më i rëndësishëm se paratë.

"Bashkëpunimi në fushën ushtarake përmirëson nivelin e besimit mes dy vendeve, na jep një shans besimi për të punuar në ekonomi, në fushën sociale dhe politike po ashtu. Kjo është gjëja më e rëndësishme”, ka thënë Putin.

Janukoviq është në postin e presidentit të Ukrainës afërsisht dy muaj. Por, marrëveshja Karkiv ishte vetëm njëra prej vargut të veprimeve, që kanë rikthyer mbrapsht politikën e paraardhëse të tij, për të minimizuar ndikimin e Moskës.

Janukoviq, në deklaratën e tij të postuar sot në ueb-sajtin presidencial, pas nënshkrimit në ligj të marrëveshjes për flotën detare në Detin e Zi, ka thënë se “pas pesë vjetësh të portretizimit të Rusisë si një armik”, periudha e mosmarrëveshjeve midis Kievit dhe Moskës ka mbaruar.

Por, veprimet e Qeverisë ukrainase kanë shkaktuar polemika të hidhura në një vend të ndarë përgjysmë mes industrisë së lindjes të rusisht-folësve, që mbështeten nga Janukoviq, dhe në perëndim, kryesisht nga pro-perëndimorët.

Kur Parlamenti ratifikoi marrëveshjen për qëndrimin edhe 25 vjet të tjerë të bazës ruse në Krime, ligjvënësit opozitarë hodhën vezë, bomba tymi, deri në rrahje të deputetëve mbështetës të Janukoviqit.

Sipas vëzhguesve politikë, një situatë e tillë nuk ishte parë kurrë në Parlament.

Opozita thotë se Janukoviq po e vendos Kievin nën sferën e influencës së Moskës, pavarësisht premtimit të tij në fushatë, që integrimi i Ukrainës në BE do të jetë një nga objektivat kryesore të politikës së jashtme në vend.

Ish-kryeministrja Julia Timoshenko, që udhëheq opozitën, e ka quajtur marrëveshjen e Karkovit si antiukrainase.

"Kjo nuk është vetëm tradhti. Është fillimi i shkatërrimit sistematik të pavarësisë dhe sovranitetit të vendit tonë”, ka thënë Timoshenko.

Veprimet e Janukoviqit po plotësojnë parashikimet e përhapura, shumë prej tyre nga Perëndimi, se një horr i Revolucionit të Portokalltë, i përshkruar si “pro-Moskës”, nuk mund të ndjekë politika relativisht neutrale.

Veprimet e shpejta të Janukoviqit kanë shokuar edhe shumë ukrainas.

Eksperti politik, Volodimir Fesenko, thotë se stili i armës që përdor Janukoviqi, ndryshon natyrën e sistemit politik të Ukrainës.

“Formalisht, vendi ka një republikë parlamentare, por, në fakt, ne jemi në një sistem parlamentar presidencial”, thotë Fesenko.

Kritikët thonë se veprimet e Janukoviqit paraqesin një kërcënim serioz për stabilitetin dhe zhvillimin e vendit.

Sociologia Irina Bekeshkina thotë se presidenti po ndan shoqërinë ukrainase në një shkallë të paparë, madje krahasohet me administratën e vjetër pro-Moskës të ish-presidentit Leodid Kushma.

“Janukoviq vepron kaq ashpër dhe pa turp sa ai efektivisht është bërë legjitim vetëm në sytë e gjysmës së popullsisë, kur detyra e tij duhet të jetë për bashkimin e shoqërisë”, thotë Bekeshkina.

Ajo thotë se është e rrezikshme, sepse zyrtarët në rajonet e kontrolluara nga opozita perëndimore mund të përpiqen për t’i sabotuar politikat e qeverisë qendrore.

Por, ekspertët e politikës bien dakord se, edhe nëse udhëheqësit e opozitës lënë mënjanë mosmarrëveshjet e tyre për t’u bashkuar, me qëllim heqjen e tij nga posti, ata kanë pak shpresë të heqin një president, me kontroll të fortë mbi qeverinë dhe shumicën në parlament. (a.ç.)
XS
SM
MD
LG