Ndërlidhjet

Kamerun fiton debatin e tretë

  • RFE /RL

David Kameron, Nik Kleg dhe Gordon Braun.

David Kameron, Nik Kleg dhe Gordon Braun.


Për herë të parë sivjet, britanikët patën mundësinë t’i shohin politikanët e tyre përballë njëri-tjetrit në një debat televiziv.

Në prag të zgjedhjeve të 6 majit, liderët e konservatorëve, laburistëve dhe liberal-demokratëve e shfrytëzuan ekranin që t’i bindin votuesit për programet e tyre politike.

Dejvid Kamerun, Gordon Braun dhe Nik Kleg mbrëmë u përballën për të tretën herë.

Fitues i debatit të tretë dhe të fundit televiziv në Britani është lideri i Partisë Konservatore, Dejvid Kamerun, me rreth 37 % të votave të shikuesve, treguan rezultatet e anketës së shpallur pas emisionit.

Lideri i Liberal-demokratëve, Nik Kleg, ka marrë përkrahjen e 32 % të shikuesve, ndërsa kryeministri aktual, lideri i Partisë Laburiste, Gordon Braun, ishte i treti me 25.6 %.

Sot, shtypi britanik njëzëri e shpalli Kamerunin fitues të debatit të mbrëmshëm, por përkujtoi se ai nuk i përmbushi pritjet nga debatet e mëparshme.

Debati i mbrëmshëm iu kushtua çështjeve ekonomike, para së gjithash deficitit buxhetor.

“Është tërësisht e papranueshme ajo që ndodhi dhe ne duhet të merremi me këtë shumë seriozisht. E para që duhet të bëjmë, është t’i rregullojmë bankat, duke u thënë një ‘Jo’ të madhe bonuseve marramendëse, që janë paguar në të kaluarën”, tha Kamerun.

Kryeministri Braun tha se nuk ka shkuar gjithçka si duhet, por shtoi se ai e di se si udhëhiqet ekonomia në kohë të mira dhe të vështira.

“Në këtë botë të rrezikshme e të pasigurt, Kameruni propozon shkurtime në shpenzimet publike, 6 miliardë funta. Por, kjo do ta fundosë ekonominë në një kohë kur ne duhet ta mbështesim atë. Nuk mund të lejojmë që të humbim vende të punës dhe biznese dhe të rrezikojmë rritjen ekonomike. Ne duhet ta mbajmë ritmin e rimëkëmbjes së ekonomisë dhe të mos lejojmë t’i përsërisim gabimet e së kaluarës”
, tha Braun.

Kandidati i Liberal-demokratëve, Nik Kleg, ishte më i rreptë për sa u përket bonuseve të majme për drejtorët e bankave. Ai tha se njerëzit duhet të jenë ata që do të përfitonin nga bizneset e tyre.

“Sa u përket bonuseve, do të thosha se duhet të veprojmë si vijon. Së pari, duket shumë e rreptë, por e domosdoshme: Drejtorët e bankave nuk duhet të kenë bonuse fare. Pse them kështu? Sepse, nuk dua që njerëzit, të cilët i drejtojnë bizneset e tyre dhe që përpiqen të sigurojnë interesa afatgjata, të bien pre e tundimeve të stimuleve të bonuseve”, tha Kreg.

Kamerun gjithashtu tha se Partia Konservatore nuk do të lejonte kurrë që Qeveria në Londër ta zëvendësojë funtën britanike me euron dhe paralajmëroi se shpëtimi i disa vendeve nga kolapsi ekonomik, nuk është ide e mirë.

Kleg, i cili fitoi shumë popullaritet pas debatit të parë, ishte mjaft i bindshëm kur fliste për imigrantët, duke u angazhuar për zgjidhjen e statusit të të huajve, të cilët më shumë se 10 vjet kanë qëndruar në Britani. (v.p.)

XS
SM
MD
LG