Ndërlidhjet

logo-print
Më shumë se dy vjet që nga shpallja e pavarësisë, Kosova ende nuk e ka strategjinë e sigurisë, përkundër faktit se për hartimin saj janë angazhuar ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë.

Secili shtet ka strategji të sigurisë kombëtare, e cila shërben si bazë për strategjitë e fushave të tjera që kanë të bëjnë me sigurinë.

Ekspertët e çështjeve të sigurisë thonë se pavarësisht pranisë civile dhe ushtarake ndërkombëtare, përgjegjësia kryesore për sigurinë bie mbi autoritetet e Kosovës.

Eksperti Ramadan Qehaja, vonesën e deritanishme të hartimit të strategjisë së sigurisë e quan të paarsyeshme.

“Ne, si shtet, nuk e kemi strategjinë e sigurisë së Kosovës. Pse po ndodh kjo, unë nuk e di. Por, në mungesë të kësaj strategjie, ne kemi mungesa edhe në strategjitë e tjera, të cilat po aprovohen në nivel të Kosovës, në nivele të ministrive të ndryshme”.

“Sidoqoftë, po apeloj, jo për të kritikuar dikë, por po apeloj që ne duhet të fillojmë njëherë e përgjithmonë që t’i kuptojmë gjërat, që ne të jemi subjekt në çështjet e sigurisë”
, thotë Qehaja.

Jeton Arifi, drejtor i Departamentit për Analiza të Sigurisë në Sekretariatin e Këshillit të Sigurisë, deklaron se strategjia është në fazën përfundimtarë të hartimit.

Sipas tij, ajo, së shpejti, pritet të kalojë në Qeverinë e Kosovës, e më pas edhe në Kuvend për miratim.

“Strategjia pritet të kalojë në mbledhjen e Qeverisë, e cila pritet të ndodhë shumë shpejt, sepse tashmë kanë përfunduar të gjitha nivelet e hartimit. Aktualisht po bëjmë konsultat përfundimtare - ne si Sekretariat i Këshillit bashkë me Ministrinë e Brendshme”.

“Sapo të kalojë në Qeveri, ajo do t’i përcillet Kuvendit, ku do t’i nënshtrohet një debati dhe, tek pastaj, pasi të jetë një dokument i aprovuar, mund t’u nënshtrohet debateve publike
”, thotë Arifi.

Ai mohon të ketë vonesa në hartimin e strategjisë së sigurisë. Sipas tij, strategjitë e tilla kërkojnë kohë dhe përkushtim.

“Këto vonesa nuk i kushtojnë Kosovës, sepse Kosova ka shumë strategji që janë të miratuara rreth sigurisë dhe të gjitha këto do të fuzionohen dhe do të harmonizohen me këtë strategji të përgjithshme, e cila do të shërbejë si ombrellë e të gjitha strategjive të tjera, të aprovuara për sektorin e sigurisë”, shprehet Arifi.

Ekspertët e sigurisë thonë se strategjia e sigurisë së Kosovës duhet të fokusohet kryesisht te sfidat që paraqesin kërcënimet e brendshme, si: dobësitë në sundimin e rendit dhe të ligjit, shkalla e lartë e kriminalitetit, si dhe korrupsioni.

Eksperti Qehaja përmend edhe shkallën e lartë të papunësisë, që, sipas tij, mund të konsiderohet si element me rrezikshmëri të lartë, që mund ta përkeqësojë gjendjen politike dhe atë të sigurisë.

Rrjedhimisht, Qehaja mendon se strategjia e sigurisë së Kosovës do të ndihmonte në shumë drejtime.

“Derisa nuk bëhet një strategji e sigurisë kombëtare, e mirëfilltë, ku parashihen të gjitha rrezikshmëritë, forcat dhe mjetet për t’iu kundërvënë atyre rrezikshmërive për Kosovën, mund të ketë ndonjë strategji, siç po thonë për veriun e Kosovës, e strategji të tjera, por ato do të jenë strategji të mangëta”.

“Ajo (strategjia e sigurisë) është baza kryesore, e cila mundëson veprime të mëtutjeshme në zbatimin e ligjit, por sidomos në çështjet e sigurisë, që kanë të bëjnë me lëvizjen e lirë të qytetarëve, mallrave etj.”,
thotë Qehaja.

Qehaja konsideron se prolongimi i mëtejmë i miratimit të strategjisë do të jetë i dëmshëm për Kosovën.

  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG