Ndërlidhjet

logo-print

Kosova tashmë ka nënshkruar disa marrëveshje me vendet e Bashkimit Evropian për riatdhesim të kosovarëve. Përderisa autoritetet kompetente i pohojnë përpjekjet e tyre për t’iu siguruar strehim të qëndrueshëm personave të kthyer, njohës të çështjeve ekonomike dhe disa qytetarë konsiderojnë se kthimi i tyre do ta rëndojë situatën sociale.


Riatdhesimi i kosovarëve nga vendet e Bashkimit Evropian do ta rëndojë edhe më tepër gjendjen socio-ekonomike në Kosovë, thonë disa qytetarë dhe ekspertë për çështje ekonomike.

Riatdhesimi i kosovarëve me status të parregulluar në vendet perëndimore është ndër kushtet bazë për liberalizim të vizave me Bashkimin Evropian. Kosova tashmë ka nënshkruar disa marrëveshje me shtetet evropiane, në të cilat jetojnë qindra-mijëra kosovarë.

Eksperti i ekonomisë, Milaim Abazi, riatdhesimin e konsideron si sfidë për institucionet kosovare. Ai thotë se Kosova ende nuk ka kushte për t’i pranuar shtetasit e saj. Shumica e familjeve në Kosovë varen nga të ardhurat financiare nga diaspora, kështu që, shton Abazi, një gjë e tillë do të ndikojë në rritjen e varfërisë dhe të papunësisë në Kosovë.

“Kjo do të ndikojë negativisht në gjendjen ekonomike të kosovarëve, do t’i rrisë problemet sociale, prandaj Qeveria duhet të mendojë fuqishëm, sepse burim kryesor i Kosovës janë remitencat”, thotë Abazi.

Janë të shumtë qytetarët që mendojnë se riatdhesimi i kosovarëve do të jetë barrë për institucionet vendore. Idriz Gashi, qytetar nga Prishtina, thotë se kosovarët që jetojnë në vende të ndryshme të Evropës, do të kenë vështirësi të integrohen në shoqëri.

“Sipas mendimit tim, do të ishte një barrë e rëndë në buxhetin e varfër të Kosovës. Ata kanë vështirësi edhe në integrimin në sferat ekonomike në Kosovë, kanë një sistem ndryshe të shkollimit. Kështu që, prapëseprapë, mendoj se Qeveria e Kosovës, edhe për një hap (duhet) ta shtyjë riatdhesimin e kosovarëve, edhe pse ata janë të mirëseardhur në Kosovë”
, thotë ai.

Ndërsa, një tjetër qytetar, Avdush Gashi, shprehet:

“Nëse ata kthehen, do t’ i bashkohen një kolone të gjatë të njerëzve të papunë në Kosovë, të cilët presin punë prej ditës në ditë. Në të ardhmen, mendoj se do të zgjidhet diçka në këtë drejtim”.


Riatdhesimi i kosovarëve është brengë edhe për Qeverinë, vlerësojnë vetë zyrtarët qeveritarë. Por, megjithatë, ky kriter duhet të përmbushet, thotë ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Nenad Rashiq, për të shtuar se ministria që ai drejton është duke punuar vazhdimisht, që personave të kthyer t’u sigurohet strehim i qëndrueshëm.

“Kemi një numër të personave dhe të familjeve që nuk kanë ku të shkojnë dhe për këtë ne kemi insistuar që të ndërtojmë zona të veçanta, apo ndërtesa të veçanta, ku mund t’iu sigurojmë kushte më të mira personave që kthehen nga bota e jashtme
”, thekson Rashiq.

Pavarësisht angazhimeve, ministri Rashiq thotë se mjetet që disponon Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale për këtë çështje, nuk mjaftojnë për t’i përmbushur kushtet e nevojshme për personat e kthyer.

“Fatkeqësisht, realiteti është se, në këtë moment, mjetet që i kemi, që janë modeste, nuk mund t’i rregullojnë të gjitha ato probleme që i kemi. Ne, edhe në të ardhmen, edhe një herë po them fatkeqësisht, do të kemi papunësi, njerëz të varfër”
, shprehet Rashiq.

Ndryshe, sipas autoriteteve kompetente, procesi i riatdhesimit të kosovarëve pritet të finalizohet në fund të këtij viti.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG