Ndërlidhjet

logo-print

Modeli i ashtuquajtur Gimnik i konferencës së Sarajevës është miratuar në parim nga pala serbe dhe ajo kosovare. Por, edhe UNMIK-u është i gatshëm të marrë pjesë në këtë konferencë, gjë që është kërkuar nga përfaqësues të shtetit serb.



Pas pëlqimit të idesë për pjesëmarrjen në konferencën e Sarajevës, sipas të ashtuquajturit modelit të Gimnikut, pala kosovare, ajo serbe, por edhe përfaqësues të mekanizmave ndërkombëtarë në Kosovë janë në pritje të ftesave zyrtare për konferencën rajonale.

Derisa në Zyrën e Përfaqësuesit Special të Bashkimit Evropian në Prishtinë nuk u komentua kjo çështje për shkak të, siç thuhet, mungesës së një vendimi zyrtar mbi modelin e mbajtjes së konferencës, administrata e Kombeve të Bashkuara në Kosovë u shprehur e gatshme që të marrë pjesë në takimin e organizuar nga BE-ja.

Zëdhënësi i UNMIK-ut, Rasell Giki, tha se misioni i OKB-së në Kosovë do ta shqyrtojë ftesën eventuale të presidencës së BE-së, porse, në rast të pjesëmarrjes në këtë takim, përfaqësuesi i UNMIK-ut do të flasë në emër të misionit.

“Përfaqësuesit e UNMIK-ut, qoftë edhe Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm apo dikush tjetër, do të flasin në emër të vetin. Ne do të flasim në emër të UNMIK-ut, ne nuk do të flasim në emër të institucioneve kosovare. Institucionet kosovare i kanë udhëheqësit e tyre që mund të flasin”, u shpreh Giki.

Ditë më parë, zyrtarë serbë deklaruan se Serbia do të marrë pjesë në takimin e qershorit në Sarajevë, nëse organizatorët do të sigurojnë, siç thuhet, elementët asimetrikë në pjesëmarrjen e Prishtinës, bazuar në Rezolutën 1244.

Drejtori politik në Ministrinë e Punëve te Jashtme të Serbisë, Borko Stefanoviq, i tha Radios Evropa e Lirë se delegacioni serb do të merrte pjesë në takimin e Sarajevës po qe se do të ishte i pranishëm edhe shefi i UNMIK-ut, Lamberto Zanier, i cili do të fliste para delegacionit të institucioneve vendore.

Mirëpo, autoritetet në Prishtinë vazhdojnë të insistojnë në pjesëmarrjen në këtë konferencë vetëm si palë e barabartë me të gjitha shtetet, përfshirë Serbinë. Zëdhënësi i Presidencës së Kosovës, Xhavit Beqiri, theksoi se në emër të institucioneve të Kosovës, mund të flasin vetëm përfaqësuesit e këtyre institucioneve.

“Nuk do të paragjykojmë tani se a do të jenë atje përfaqësuesit e UNMIK-ut apo të institucioneve të tjera ndërkombëtare që janë në Kosovë. Mirëpo, dihet botërisht se në emër të institucioneve të Republikës së Kosovës, flasin vetëm përfaqësuesit e institucioneve të Republikës së Kosovës”,
tha Beqiri.

Çështja e formatit, nivelit dhe modelit të konferencës së Sarajevës thuhet se po trajtohet me kujdes të veçantë në Bashkimin Evropian, për shkak të zhvillimeve që kujtojnë konferencën e Bërdos, ku, për shkak të paraqitjes së Kosovës si shtet, pjesëmarrjen e kishte anuluar delegacioni i Serbisë.

Analisti për çështje politike, Driton Lajçi, tha se pjesëmarrja eventuale e shefit të UNMIK-ut, Lamberto Zanier, në takimin e diplomatëve të rajonit në qershor, mund të jetë pjesë e kompromisit ndërmjet Brukselit, Prishtinës dhe Beogradit zyrtar.

“UNMIK-u ka marrë pjesë në takimin e Bërdos dhe ka mundësi të marrë pjesë edhe kësaj radhe, sepse përfaqëson organizatën më të fuqishme në botë - OKB-në. Mirëpo, kjo mund të jetë edhe si pjesë e kompromisit. Pavarësisht prej kësaj, UNMIK-u mund të marrë pjesë në kuadër të mandatit të tij edhe si kompromis që është bërë në mes të Moratinos, Fratinit, Kosovës dhe Serbisë”, tha Lajçi.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG