Ndërlidhjet

logo-print

Luftimi i korrupsionit nuk duhet t’i kursejë “peshqit e mëdhenj” dhe asnjë nivel të pushtetit, deklaroi raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Ulrike Lunacek. Këto komente, ajo i bëri derisa po vizitonte Shtëpinë e BE-së në veri të Mitrovicës, ku u prit nga ambasadori italian, Majkëll Gjifoni, përfaqësues i BE-së për veriun.


Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Ulrike Lunacek, ka përkrahur misionin e BE-së për sundim të ligjit - EULEX, në veprimet e ndërmarra në luftimin e korrupsionit dhe keqpërdorimit të parasë publike.

Në ditën e katërt të vizitës së saj në Kosovë, Lunacek ka vizituar Shtëpinë e BE-së në veri të Mitrovicës. Atje, ajo është pritur nga përfaqësuesi i Bashkimit Evropian për veriun, ambasadori italian, Majkëll Gjifoni.

Raportuesja Lunacek tha se është shumë me rëndësi që EULEX-i ka filluar luftimin e dukurive negative, duke mos kursyer as nivelin më të lartë të pushtetit.

“Kishte premtime se do të kapen edhe të ashtuquajturit ‘peshqit e mëdhenj’ të korrupsionit dhe mendoj se është shumë mirë që procesi ka filluar”, tha ajo.

Sipas eurodeputetes Lunacek, procesi ka filluar dhe do të përfundojë me rezultate konkrete, pavarësisht nëse bëhet fjalë për nivele të larta.

Luftimi i dukurive negative është pjesë e angazhimeve të Kosovës për t’u bërë pjesë e Evropës së bashkuar, tha ajo.

“Ju duhet të keni prokurim, sidomos për sektorin publik, rreth asaj se si po shpenzohet paraja publike, duke siguruar transparencë se si po shpenzohen këto para”, tha Lunacek.

Vizita e eurodeputetes Lunacek është përqendruar kryesisht në çështjet e integrimeve dhe të liberalizimit të vizave.

Për dallim nga deklarimet e zyrtarëve vendorë, të cilët procesin e liberalizimit të vizave e shohin si një proces që nuk do të vonojë shumë, Lunacek deklaroi se kosovarët duhet të presin edhe pak vite, para se të përfshihen në liberalizim. Po ashtu, edhe integrimi në BE është proces që kërkon vite, nënvizoi ajo.

“E di se do të marrë disa vite, por ju jeni në këtë rrugë dhe shumica në Parlamentin Evropian dëshiron që t’ju shohë dhe t’ju ketë edhe juve në Bashkimin Evropian”, tha Lunacek.

Ndërkohë, ambasadori italian, Majkëll Gjifoni, përsëriti se të 27 shtetet anëtare të BE-së janë të përkushtuara që Kosova dhe Serbia të kenë perspektivë evropiane.

Duke folur për veriun dhe kthimin në funksion të gjykatave atje, Gjifoni tha se nuk mund ta parashikonte datën.

Shpresoj se gjykatësit dhe prokurorët vendorë do të kthehen shpejt në gjykatën në veri të Mitrovicës”, tha Gjifoni, duke i lutur gazetarët që të mos kërkojnë edhe data se kur do të ndodhë kjo.

Ndryshe, raportuesja Lunacek tha se do të raportojë në Parlamentin Evropian rreth përpjekjeve të përbashkëta të BE-së dhe të shoqërisë civile në veri të Kosovës, në funksion të përmirësimit të cilësisë së jetës së qytetarëve të atjeshëm.

Gjithashtu, ajo tha se do të kërkojë nga Komisioni Evropian të mbështesë projekte që ndikojnë në përmirësimin e kushteve të jetesës për banorët e veriut.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG