Ndërlidhjet

Opozita proteston, pushteti feston


Tiranë: Partia Socialiste proteston

Tiranë: Partia Socialiste proteston

Në Tiranë, protesta e Partisë Socialiste vazhdoi sot me grevë të urisë të 22 deputetë socialistë, të shoqëruar nga rreth 180 qytetarë. Po sot, në sheshin "Nënë Tereza" u mbajt një miting i Partisë Demokratike në pushtet. Lideri i opozitës Edi Rama tha se protestat do të vazhdojnë. Kryeministri Sali Berisha tha se vendi ndodhet para vendimeve të mëdha.




Bulevardi qendror “Dëshmorët e kombit” është ndarë nga kordonë uniformash blu për të garantuar në njërën anë grevën e urisë së Partisë Socialiste përballë selisë qendrore të Kryeministrisë dhe pak metra më tutje në sheshin “Nënë Tereza” koncertin festiv të mazhorancës.

Njëzetedy deputetë socialistë dhe 180 mbështetës të tyre janë futur prej ditës së premte në grevë urie, shoqëruar paralelisht nga protesta të mbështetësve të partive në opozitë.

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, deklaroi se opozita është e vendosur të rezistojë deri në marrjen e një vendimi nga mazhoranca, për hapjen e kutive të votimit.

“Unë u bëj apel të gjithë protestuesve të djeshëm dhe të gjithë atyre që dje nuk mundën të jenë me ne, të vazhdojnë të protestojnë dhe të përshkallëzojnë, të gjithë së bashku, rezistencën tonë paqësore, duke shtrirë barrikadën njerëzore në tërë vendin. Çdo qytet do të thirret në protestë, çdo qytetar është i mirëpritur në çdo organizim, të vogël apo të madh, në qytetin e tij apo në Tiranë”, tha Rama.

Pak metra më tutje, mazhoranca dhe mbështetës të saj u mblodhën në një koncert festiv nën logon “Shqipëria evropiane”.

Kryeministri Sali Berisha tha në një fjalim përshëndetës se vendi ndodhet pranë vendimeve të mëdha dhe historike edhe për shkak të votës së lirë më 28 qershor.

“Shqipëria tani është Shqipëria anëtare e NATO-s, është Shqipëria e vendimeve historike për çdo qytetar shqiptar, drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian, vendimeve për të lëvizur të lirë pa viza. Të gjitha këto i bëjnë të mundura mundi, djersa, përkushtimi juaj, i bëjnë të mundura vota juaj e lirë”, tha Berisha.

Por, sot, rreth orës 11:00 u regjistruan dhe incidentet e para. Mbështetës të Partisë Socialiste, në përpjekje për të kaluar kordonin rrethues të policisë, u konfrontuan me këta të fundit, duke hedhur në drejtim të uniformave blu dhe sende të forta. Situata u qetësua në pak minuta, duke sjellë për pasojë dhe plagosjen e lehtë të disa qytetarëve mbështetës të partive në opozitë.
XS
SM
MD
LG