Ndërlidhjet

Vizat: Kosova e izoluar


Për më pak se dy vjet, Kosova mund të jetë e gatshme për liberalizimin e vizave, thonë zyrtarët në Prishtinë. Dinamika e përfshirjes në këtë proces, sipas tyre, mbetet e ndërlidhur edhe nga vullneti politik i pesë vendeve të BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën.



Përfshirja e Kosovës në procesin e liberalizimit të vizave aktualisht sfidohet si në rrafshin politik, ashtu edhe në atë teknik, thonë deputetë dhe ministra kosovarë.

Sipas tyre, mosnjohja e Kosovës nga pesë vende anëtare të Bashkimit Evropian padyshim që ka reflektuar në lënien e Kosovës si vendin e vetëm të izoluar deri më tani në këtë proces.

Kurse, pengesa tjetër besohet se është ajo teknike, përkatësisht plotësimi i kritereve të domosdoshme, të cilat nuk janë përmbushur nga ana e institucioneve të Kosovës.

Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, parasheh një periudhë prej afërsisht dy vjetësh deri në përfshirjen e Kosovës në ‘Shengenin e bardhë’, por nëse paraprakisht do të ketë vullnet politik nga vendet që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.

“Ne, deri në fund të vitit, gati mbi 80 për qind të këtyre kushteve apo parakushteve do t’i plotësojmë. Natyrisht që varet edhe nga vullneti politik i këtyre pesë shteteve që nuk na kanë njohur ende, prandaj periudha 2011 – 2012, realisht mund të pritet si optimale”,
deklaron Rexhepi.

Deklarata e raportueses për Kosovën në Parlamentin Evropian, Ulrike Lunacek, se Kosovës i duhen vite derisa të bëhet pjesë e liberalizimit të vizave, sipas kryetarit dhe deputetit të Lidhjes Demokratike të Dardanisë, Nexhat Daci, ishte vlerësimi më i drejtë i thënë deri më sot për këtë proces.

Daci thotë se Kosova vazhdon të mbetet e izoluar, përderisa kritikon retorikën politike të Qeverisë se integrimi në BE dhe në liberalizimin e vizave, është duke ecur rrugës së duhur.

“Unë mendoj se rruga për Evropë nuk është as e lehtë e as e shkurtër; është shumë e gjatë dhe kërkon përkushtim më të madh të institucioneve tona, që janë krejtësisht jofunksionale. Besoj se vërejtjet e tilla (si ato të Lunacekut) duhet të merren seriozisht, si programe pune për të ardhmen, në mënyrë që të mos mbetemi të izoluar nga e gjithë bota, si gjithmonë”, thotë Daci.

Ndërkohë, deputetja dhe ministrja e Administratës Publike, Edita Tahiri, thotë se kriteret për përfshirjen e vendeve në liberalizim të vizave, janë strikte. Dhe, për kah ana teknike, ajo beson se Kosova nuk mund të shpresojë që të bëhen përjashtime.

Por, Tahiri thotë se pengesat politike që vijnë si pasojë e mosnjohjes nga pesë vendet anëtare të BE-së, mund të janë të kalueshme, nëse Brukseli me të vërtetë e dëshiron Kosovën në BE.

“Ne të gjithë jemi të vetëdijshëm se ekziston një parim i BE-së, se pa i kryer detyrat e shtëpisë nuk ka mundësi të mbërrihet aty ku po synojmë. Mirëpo, ashtu siç është politike aktualisht bllokada, njësoj mund të jetë politik edhe vendimi për të mos lënë Kosovën jashtë këtyre proceseve. E dëgjuat ministrin e Jashtëm të Italisë, Fratini... ishte shumë i qartë, Kosova është pjesë e integrimeve”, thekson Tahiri.

Zyrtarët e lartë evropianë, në disa raste, kanë përsëritur se Kosova nuk do të mbetet një ishull i izoluar në Evropë.

Ndërsa kanë inkurajuar Qeverinë që t’i plotësojë kriteret e domosdoshme teknike, diplomatët evropianë kanë deklaruar se mund të gjendet një zgjidhje politike për vizat, ngjashëm siç ishte gjetur zgjidhja në kohën kur ishte marrë vendimi për dërgimin në Kosovë të misionit të BE-së për sundim të ligjit – EULEX, ku bëjnë pjesë edhe përfaqësues nga vendet që nuk e kanë njohur Kosovën e pavarur.
XS
SM
MD
LG