Ndërlidhjet

logo-print

Vështirësitë e punëtorëve


Prishtinë, 1 maj, 2010: Ish-punonjës në ndërmarrjet shoqërore dhe pensionistë kanë shprehur pakënaqësitë për gjendjen e të drejtave të punëtorëve në Kosovë.

Prishtinë, 1 maj, 2010: Ish-punonjës në ndërmarrjet shoqërore dhe pensionistë kanë shprehur pakënaqësitë për gjendjen e të drejtave të punëtorëve në Kosovë.

Të drejtat e punëtorëve në Kosovë ende mbrohen në bazë të një rregulloreje të punës, pasi që Ligji i punës, i cili është përgatitur nga Qeveria e kaluar, disa herë ka kaluar në Parlament, por nuk është miratuar. E gjithë kjo, sipas përfaqësuesve të punëtorëve, ka bërë që të drejtat e punëtorëve të shkelen në vazhdimësi, si në sektorin publik, ashtu edhe në atë privat.



Deri në miratimin dhe fillimin e zbatimit të Ligjit të punës nga ana e Kuvendit të Kosovës, përfaqësuesit e punëtorëve kosovarë thonë se të drejtat e punëtorëve në Kosovë do të shkelen, si në sektorin publik, ashtu edhe në atë privat.

Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Kosovës (BSPK), Haxhi Arifi, thotë se në shumicën e rasteve, punëtorët kosovarë punojnë pa kontrata pune, nuk kanë siguri në vendet e tyre të punës dhe njëherësh nuk kanë as mbrojtje shëndetësore.

“Padrejtësi jashtëzakonisht të mëdha u bëhen punëtorëve, sidomos atyre ne sektorin privat, sepse atje nuk mblidhet tatimi. Atje bëhen shkelje flagrante, nuk kanë mbrojtje shëndetësore, largohen nga puna kur dëshiron punëdhënësi etj.”, thotë Arifi.

Dje, Qeveria e Kosovës ka miratuar projektligjin e punës, i cili pritet të kalojë në Kuvendin e Kosovës. Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Nenad Rashiq, ka deklaruar se ky projektligj është i gatshëm dhe se tani, pas miratimit nga ana e kabinetit qeveritar, do të procedohet për miratim në Kuvendin e Republikës së Kosovës, gjë që, sipas tij, pritet të ndodhë shumë shpejt.

Projektligji i punës rregullon krijimin e marrëdhënieve të punës në mes punëdhënësit dhe punëmarrësit, krijimin e kushteve dhe standardeve të punës, mbrojtjen e të drejtave ekonomike, profesionale, sociale për punonjësit, avancimin dhe zhvillimin e dialogimit social mes partnerëve socialë, eliminimin e formave të diskriminimit etnik, racor, fetar, gjinor, politik, kulturor, sindikal etj., si dhe çështje të tjera të rëndësishme nga marrëdhënia e punës në Kosovë.

Kryetari i BSPK-së, Haxhi Arifi, shfaq shpresën se pas miratimit të ligjit dhe hyrjes në fuqi të tij, gjërat do të përmirësohen. Ai konsideron se është koha e fundit që Ligji i punës të miratohet dhe të fillojë të zbatohet.

“Pas disa bisedave që i kemi pasur, qeveritarët na kanë thënë se ligji do të miratohet gjatë këtij viti, por ne në BSPK jemi pak skeptikë. Do të duhej që, më në fund, premtimet dhe ato biseda që i kemi zhvilluar me qeveritarët, të realizohen, se pa Ligj të punës, është duke u bërë një padrejtësi e madhe për qytetarët e Kosovës”, shprehet Arifi.

Në anën tjetër, ka shumë qytetarë, të cilët shprehen të pakënaqur me kushtet që iu ofrohen në vendet e tyre e punës. Disa nga ta thonë se të drejtat e punëtorëve në Kosovë, derisa nuk mbrohen me ligj, është e natyrshme që mund të shkelen.

Edona Çeku shprehet:

“Punëdhënësit e sektorëve privatë e kanë shfrytëzuar ndoshta rastin që ka papunësi të madhe dhe për shkak të papunësisë së madhe marrin punëtorë, nuk i regjistrojnë, nuk paguajnë tatime për ta”.

Ndërsa, Zylfi Gashi thekson si problem mungesën e mekanizmave ligjorë:

“Të drejtat e punëtorëve shkelen se mungon mekanizmi për mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve. Pushteti, deri më tani, nuk ka punuar në atë drejtim thuaj fare. I ka miratuar disa ligje, të cilat nuk i ka mbështetur me mekanizmat tjerë”.

Ekspertë të çështjeve ekonomike dhe sociale vazhdimisht kanë kritikuar Qeverinë e Kosovës për mosangazhim të duhur në këtë çështje.

Ndryshe, Ligji i punës, që nga viti 2004 nuk ka arritur të miratohet në Kuvendin e Kosovës, për shkak të, siç është thënë, implikimeve buxhetore.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG