Ndërlidhjet

U-2, 50 vjet më pas


Piloti Frensis Geri Pauers, 1960.
Piloti Frensis Geri Pauers, 1960.

Frensis Geri Pauers ishte piloti amerikan, i cili me aeroplanin spiun U-2 u qëllua gjatë një fluturimi mbi hapësirën e ish-Bashkimit Sovjetik, më 1 maj, 1960.

Ai u gjykua për spiunazh kundër Bashkimit Sovjetik dhe u dënua me 10 vjet burg. Pauers u lirua pas më pak se dy vjetësh, por incidenti u pa si kthim prapa në negociatat ndërmjet Amerikës dhe udhëheqësve sovjetikë në kulmin e Luftës së Ftohtë.

Më 5 maj, 1960, bota për të parën herë e mori vesh lajmin se një aeroplan amerikan ishte qëlluar dhe rrëzuar në Rusi.

“Nikita Hrushçov shpalli se një aeroplan i Shteteve të Bashkuara është qëlluar mbi territorin e Rusisë, të dielën e kaluar. Zyrtarët në Uashington thanë se aeroplani i paarmatosur fluturonte për kërkime të motit”, raportuan mediat amerikane.

Por, aeroplani nuk ishte i përfshirë në kërkime mbi motin. Ai ishte aeroplan i spiunazhit U-2, i dërguar nga Agjencia Qendrore e Zbulimit në SHBA. CIA ishte përfshirë në spiunazhin nga ajri mbi Bashkimin Sovjetik që nga viti 1956, me misione që synonin t’i fotografonin bazat ushtarake dhe lokacionet tjera të ndjeshme.

Kremlini kishte dijeni për programin U-2, mirëpo nuk ishte në gjendje të përgjigjej. Në vitin 1960, sovjetikët e zhvilluan teknologjinë e nevojshme për të marrë kundërmasa. Më 1 maj, raketa e re S-75 tokë-ajër e rrëzoi aeroplanin U-2 dhe pilotin e saj, Frensis Pauers.

Pauers, i cili ishte nisur nga një bazë amerikane afër qytetit Peshauar në Pakistan, bëri një ndalesë të shkurtër në bazën ajrore Inxhirlik në Turqi, përpara se të drejtohej kah malet e Uralit. Ai u rrëzua mbi Sverdlovsk.

CIA ishte e sigurt se Pauers kishte vdekur. Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Linkoln Uajt, u përpoq ta paraqesë fluturimin si një mision civil, i cili rastësisht kishte ndryshuar kursin, pasi kishte rënë niveli i oksigjenit në kabinën e pilotit.

“Është krejtësisht e mundshme që aeroplani të ketë vazhduar të fluturojë me pilotimin automatik për një distancë dhe rastësisht të ketë cenuar hapësirën sovjetike”,
kishte thënë Uajt.

Por, Shtetet e Bashkuara më vonë mësuan se Pauers nuk kishte vdekur. Aeroplani i tij kishte zbritur pothuaj i paprekur dhe ishte zënë në Bashkimin Sovjetik.

Lideri sovjetik, Nikita Hrushçov, e njoftoi kapjen gjatë një fjalimi në Sovjetin Suprem dhe iu kërcënua me zemërim Shteteve të Bashkuara, nëse ato nuk do të hiqnin dorë nga misionet e spiunazhit.

“Mos fluturoni në Bashkimin Sovjetik! Mos fluturoni në vendet socialiste! Respektoni sovranitetin dhe dijini kufijtë tuaj! Nëse nuk e dini kufirin tuaj, ne do të godasim”, tha Hrushçov.

Incidenti u bë një kapitull famëkeq në historinë e Luftës së Ftohtë. Por, rrënjët e tij shtrihen prapa në kohë në vitin 1954, kur punonjësit amerikanë të zbulimit e kuptuan se u mungonin të dhëna për arsenalin ofensivë të Bashkimit Sovjetik, veçanërisht për armët bërthamore, sistemet e lëshimit të raketave, nëndetëset dhe bombarduesit strategjikë.

Raportet nga agjentët në terren ishin të pakta, kështu që ideja për të fotografuar zona u pa si mënyrë e re për grumbullim të informatave.

Për ta realizuar këtë, kundërzbulimi amerikan duhej të zgjidhë dy probleme në të njëjtën kohë: të ndërtojë një aeroplan që do të fluturonte shumë lart dhe një kamerë që do të fotografonte nga kjo lartësi.

Pauers, një veteran i Luftës së Vietnamit, ishte ndër pilotët e parë që u angazhua në misionet e këtilla dhe bëri fluturime të numërta, përpara se të rrëzohej në vitin 1960.

Gazetari i njohur televiziv, Uolter Kronkajt, i cili e mbuloi ngjarjen, tha në një rast se “me rrëzimin e aeroplanit të Pauersit, mori fund një kapitull i rëndësishëm i Luftës së Ftohtë”. (v.p.)
XS
SM
MD
LG